A duhet të hamë më shumë mish pasi kalojmë moshën 65 vjeç? Sipas studiuesve që analizojnë lidhjen mes ushqimit dhe jetëgjatësisë, përgjigjja është më e ndërlikuar se sa duket.

Rreth dhjetë vite më parë, një studim mbi proteinat zbuloi se tek personat e moshës së mesme konsumimi i lartë i tyre, sidomos i proteinave me origjinë shtazore, lidhej me rrezik më të madh për vdekje nga sëmundje të ndryshme, përfshirë edhe kancerin. Por tek të moshuarit ky efekt nuk u pa në të njëjtën mënyrë.

Me fjalë të thjeshta, një person rreth 70–75 vjeç që konsumon shumë pak proteina nuk jeton domosdoshmërisht më gjatë. Në disa raste mund të ndodhë edhe e kundërta, pasi mungesa e proteinave mund të çojë në dobësim të muskujve dhe në rritje të brishtësisë fizike.

Një studim i publikuar në “American Journal of Clinical Nutrition” analizoi mbi 5 mijë persona mbi 80 vjeç për të parë se cilët kishin më shumë gjasa të arrinin moshën 100 vjeç. Pjesëmarrësit u ndanë sipas dietës: ata që hanin gjithçka, vegjetarianë, veganë dhe persona që hanin kryesisht ushqime bimore por edhe peshk.

Rezultatet treguan se vegjetarianët kishin rreth 20% më pak gjasa të arrinin 100 vjeç krahasuar me ata që hanin edhe mish, ndërsa veganët rreth 30% më pak. Ndërkohë, ata që konsumonin peshk, ose vezë dhe produkte qumështi, kishin pothuajse të njëjtën mundësi jetëgjatësie si personat që hanin gjithçka.

Një tjetër element i rëndësishëm ishte pesha trupore. Tek të moshuarit me peshë normale diferencat ishin më të vogla, ndërsa tek ata nënpeshë rreziku për jetë më të shkurtër ishte më i lartë.

Në të njëjtën kohë, në shumë vende konsumi i mishit mbetet i lartë. Edhe në Shqipëri shifrat janë të konsiderueshme: sipas të dhënave të INSTAT, në vend konsumohen rreth 179 milionë kilogramë mish në vit, që përkthehet në mesatarisht 75.7 kilogramë mish për person në vit, ose rreth 207 gramë në ditë.

Sipas studiuesve, ndër të moshuarit me peshë normale dieta që i afrohej më shumë rezultateve të atyre që hanin gjithçka ishte ajo pesko-vegjetariane. Po ashtu, konsumimi i përditshëm i perimeve u lidh me dyfishim të gjasave për të arritur një jetë shumë të gjatë.

Për këtë arsye, rekomandimi kryesor i ekspertëve është një dietë e balancuar pas moshës 65–70 vjeç: shumë perime, burime të ndryshme proteinash dhe pa e tepruar me mishin. Edhe një dietë vegjetariane mund të funksionojë, për sa kohë që personi merr sasinë e duhur të proteinave dhe mban një peshë të shëndetshme.