A është zgjidhje përjashtimi i “non grata-ve” nga politika me ligj?

A është zgjidhje përjashtimi i “non grata-ve” nga politika me ligj?

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Që të jem i qartë qysh në fillim. Sali Berishën ka merituar jo thjesht largimin nga politika por burgun, qysh nga viti 1996 kur ai nisi projektin e rrënimit të demokracisë shqiptare, që pasoi me krimet e shkaktuara prej tij nga viti 1997 me rënien e skemave piramidale e të vetë shtetit, e më pas me tentativën e grushtin e shtetit në shtator 1998, e për të vijuar me gjëmat e 8 viteve të qeverisjes si kryeministër që kulmojnë me Gërdecin dhe 21 janarin.

I thashë këto më sipër teksa është hedhur në publik ideja nga mazhoranca që për personat e shpallur “Non Grata”, t’u hiqet e drejta të zgjidhen apo emërohen në institucione të larta shtetërore.

Duke qenë se Sali Berisha është një prej të shpallurve “Non Grata” nga dy prej demokracive më të konsoliduara të botës, duket sikur ky ligj po bëhet enkas për të, pra për ta nxjerrë njëherë e mirë nga politika, ose më saktë, nga institucionet e politikës.

Duke qenë se mbetem gjithnjë i idesë që Berishës nuk i duhet dhënë më kurrë mundësia që të ketë dorë në punët qeverisëse të Shqipërisë, nuk më duket shumë e gjetur si zgjidhje që nxjerrjen e Berishës [dhe të tjerëve] nga politika, t’i bësh me nen të posaçëm ku qenia e tyre “Non Grata” prej SHBA ve, Mbretërisë së Bashkuar apo çdo vendi tjetër të BE së, të përbëjë shkak për këtë përjashtim.

Parimisht duket si diçka e drejtë për të qenë në harmoni me frymën e partnerëve tanë strategjikë që sidoqoftë na e duan të mirën. Por unë e shoh edhe në një aspekt tjetër, i cili më frenon për të qenë entuziast me këtë zhvillim politik e ligjor nëse i shkohet deri në fund siç përflitet.

Nuk më shqetëson fakti se Sali Berisha (i cili sa ka rrojtur s’ka për të rrojtur) e kushdo qoftë tjetër pas tij, do të përjashtohen nga institucionet e politikës meqë janë “Non Grata”. Shqetësues është fakti se vendimmarrja në të ardhmen e kryetarit të shtetit, e organit legjislativ Kuvendit të Shqipërisë, e ekzekutivit pra qeverisë, e më tej deri e opozitës, do të jenë të paragjykuara.

Kushdo mund të ngrejë më pas teori konspirative se vendimmarrjet e të lartpërmendurave po bëhen nga frika se mund të shpallen “Non Grata” dhe rrjedhimisht do u digjet karriera politike.

Kjo do të jetë shumë e rëndë për besueshmërinë e një shteti, sepse e paragjykon në pavarësinë vendimmarrëse të përfaqësuesve të saj. Sado miq të mirë e partnerë strategjikë të pazëvendësueshëm t’i kemi ata që do shpallin “Non Grata” shtetas shqiptarë (veçanërisht politikanët), më duket e tepërt që këtyre partnerëve t’u japim një të drejtë të tillë në ligjet tona që shkon kaq thellë në lëshimin e sovranitetit të vendit. Faktikisht, klasa politike e një shteti ka lidhje të drejtpërdrejtë me sovranitetin e një vendi.

Aktualisht ne kemi një pengesë ligjore që përjashton automatikisht nga sistemi gjyqësor çdo gjykatës a prokuror që shpallet “Non Grata”, por kjo është një masë e përkohshme që zgjat aq sa zgjat edhe procesi i vetting-ut. Me përfundimin e afatit ligjor të vetting-ut, bie automatikisht edhe kjo klauzolë e parashikuar në ligj.

Kurse në rastin e politikanëve kjo do të jetë e përhershme. Po në rast se me kalimin e viteve ndonjëri nga shtetet që ka shpallur “Non Grata” një politikan shqiptar vjen një çast dhe ia heq atë damkë, a do quhet i rehabilituar ai? Sigurisht që politikanit në fjalë i lind e drejta t’i rikthehet politikës. Por pyetja që lind në këtë rast është: Cila është kostoja e dyshimit që ai mbart mbi vete pas këtij rikthimi?

Faktikisht, shpallja “Non Grata” e politikanëve nga vendet mike të Shqipërisë duhet të ishte një akt moral i vetë individit për të reflektuar nëse duhet të këmbëngulë për të qenë pjesë e politikës, por jo të shkohet në ekstremin e përjashtimit apriori me ligj nga politika.

Besueshmëria në vendimmarrjen e institucioneve tona, në pushtet apo në opozitë qofshin ato, ka më shumë rëndësi se çdo antipati politike që mund të kemi për njërin apo tjetrin politikan, qoftë ky edhe vetë Sali Berisha!

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tosi: 17/08/2022 14:02

    Plotesisht dakord me autorin. Porse je ligj duhet por jo nga rilindja mafioze neokomuniste. Por nga Ne, Populli. Dhe te fshijme nga faqa e dheut te politikes kedo antar te ish PPSH dhe organeve te sigurise dhe drejtesise komuniste, femijet e tyre dhe femijet e femijeve te tyre te cilet kurre nuk mund te jene ne politike dhe sherbim publik! Me kete rast shperojme nga Sale non grata, Ilir floriri apo Edi imorali.

    Përgjigju
    • Bureto: 18/08/2022 00:15

      Përgjigjia? Po e vetmja dhe me e drejta zgjidhje. Me largimin me ligj, e Berishës dhe Metës nga politika i jepet fund tranzicionit karikaturë të gjoja demokracisë shqiptare. Po të jetë në dorë të një pjese të elektoratit, edhe pse ajo nuk i sjell më ata kurrë në pushtet, ndoshta një nga rrugët do ishte ajo e drejtësisë. Edhe sikur të kishte brenda saj vullnet të hekurt për t'i ndëshkuar ata me gjithë ato që kanë bërë, drejtësia në vetë ndërtimin e saj është një makineri e ndërlikuar procedurash, dhe deri në ezaurimin e plotë të tyre vepron i ashtuquajturi "prezumim" i pafajësisë, me te cilin ata e shtyjnë deri sa të kenë jetë. Rasti është i Berluskonit, i cili edhe pse në kalvar akuzash e gjyqesh, ai prapë se prapë me partinë e tij "Forca Italia", vazhdon të jetë në politikë, është deputet, synoi dhe deputet të parlamentit europian,edhe pse i ka kaluar të 85-tat. Ka miliarda do thoni ju, po pse Berisha e Metaj pak kanë?! Ndryshimi i Silvios me këta është se ai i ka të vëna vetë ato dhe i ka legale, në dallim nga mafiozët tanë që i kanë siguruar me korrupsion dhe i kanë të fshehura në parajsat fiskale.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi