A i kërkon më njeri komshiut
farë kosi?/ Nga Alma Nikolli

A i kërkon më njeri komshiut<br />farë kosi?/ Nga Alma Nikolli
Kosi nuk është jetësor, pa të njeriu bën si bën, edhe komshiu gjithashtu një qenie rastësore në lagje është.

Por kosi ishte një "pretekst", nuk është më.

Një komshi që jepte farë kosi, ishte i gatshëm ta zgjoje në 3 të mëngjesit, të hidhte krahëve ç'të gjente varur mbi gozhdë dhe të kërkonte bashkë me ty malit familjarin e mbetur në dëborë.

Kosi ishte pretekst, me ndërru dy llafe. "Lumi unë që t'kam kojshie, kur t'mërzitem vi e rri."

Tani me një palë syze të errëta bëjmë të padukshëm komshiun e veten.

Nuk e duam komunitaren, jemi individualë. Shtëpitë i rrethojmë me avlli.

Kur bimët zgjerojnë degët mbi beton dhe prekin ajrin e komshiut, i presim. "Pse me oksigjenin e pemës sime do mbajë familjen ai?"

Xhaxhi e teta s'i thotë kush më kujt. Tash fëmijët e adoleshentët dijnë veç "tituj interesi" jo "tituj respekti".

I thonë veç liderit suprem "zoti kryetar", punëdhënësit "shef", e babit e mamit "shef e shefe" kur duan ndonjë 5 mijë lekësh të pamerituar, se për të merituarin mjaftohen me një "plake".

Më rastisi njëherë duke luajtur me fëmijë nëpër shtëpi, në katin e katërt të pallatit ishim.

Në një orar kur jeta gumëzhin dhe fëmijët s'kanë pse ndalin hapat e lumtur nëpër dhoma, komshia poshtë pati vërejtje.

Dhe zgjodhi ta komunikojë me bisht fshese. Bam, bam, bam tavanit, pa fjalë, duke zhdukur çdo mjet komunikimi nga frika se po të vinte në derë të trokiste, zonjën do ta zbusnin buzëqeshjet e fëmijëve që edhe mund ta ftonin brenda tu tregonte një përrallë.

Jo, jo ka menduar, c'dua unë, kam kutinë time të shkrepses dhe fshesën fluturuese, të vegjël s'më bredhin nëpër shtëpi ndaj të heshtin këta të komshiut.

E dielë.

Redaksia online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi