Unë nuk besoj se është e saktë të thuhet se Reforma në Drejtësi ka dështuar. Sa herë që një sistem nuk prodhon rezultatin për të cilin është ndërtuar, ose prodhon një rezultat të deformuar, diskursi ynë publik reagon menjëherë. Impulsiv për nga natyra dhe i prirur ndaj përfundimeve bardh e zi, ai nxjerr verdiktin përfundimtar: dështim.
Por shpejtësia e një përfundimi nuk është garanci për saktësinë e tij. E vërteta është më e ndërlikuar, pasi ne nuk e kemi testuar kurrë reformën në një tension real institucional.
Shpallja e dështimit është rruga më e lehtë. Është një akt çlirues, sepse shpërndan përgjegjësinë dhe e zhvendos adresimin e saj. Fajin e lëviz nga aktorët te arkitektura, nga praktika te teksti, nga zbatuesi te hartuesi.
Në një plan, çliron nga llogaridhënia ata që duhet të përgjigjen. Në një tjetër, e zhvendos pakënaqësinë në terrenin politik, ku argumenti bëhet më i manipulueshëm dhe më i përdorshëm. Në një plan të tretë, shndërrohet në formë reagimi subjektiv ndaj sistemit, nga ata që janë ndjerë viktima të tij, shpesh edhe me të drejtë.
Por kritika totale është gjithmonë më e lehtë se analiza kirurgjikale.
Reforma e vitit 2016 ishte një ndërhyrje e thellë në arkitekturën normative të shtetit dhe si çdo ndërhyrje e kësaj përmase, nuk mund të jetë e përkryer. Ajo ka mangësitë e saj dhe disa prej tyre kanë ndikuar në produktin që shohim sot. Por norma juridike nuk jeton vetëm si tekst, ajo merr jetë e kuptim vetëm në zbatim.
Ligji lind nga idetë, por nuk është ide. Është veprim. Është rregullim. Është urdhërim.
Nëse ligji nuk zbatohet, zbatohet në mënyrë të deformuar, ose gjatë zbatimit krijohet një rend informal paralel, a mund ta shpallim dështimin e normës? Do të ishte si të shpallnim të dështuar një instrument kirurgjikal sepse kirurgu nuk e përdor siç duhet.
Nëse institucionet e qeverisjes së gjyqësorit nuk funksionojnë efektivisht; nëse kontrolli parlamentar reduktohet në formalitet; nëse përgjegjësia disiplinore mbetet iluzive; nëse vendimmarrja fshihet pas shkronjës së ligjit; nëse sistemi korporatizohet rreth prodhimit të statistikave dhe jo të drejtësisë; nëse stoku i dosjeve rritet sepse askush nuk ndjen presionin e përgjegjësisë, atëherë problemi nuk është norma. Është dështimi i saj në zbatim.
Në diskursin publik qarkullon një fantazi juridike: ideja se një reformë duhet të funksionojë pavarësisht nivelit të përgjegjësisë institucionale që e zbaton. Kjo është e pamundur. Asnjë arkitekturë ligjore, sado e përkryer në tekst, nuk i mbijeton mungesës së përgjegjësisë, integritetit dhe kulturës së zbatimit.
Ne nuk e kemi testuar reformën në një bankë prove tensioni institucional. Një test i tillë do të kërkonte zbatim rigoroz, konsistent, pa selektivitet, pa oportunizëm, pa konformizëm, pa sinjale statistikore. Do të kërkonte integritet personal, profesional dhe institucional të hekurt.
Në vend të kësaj, kemi mbajtur në këmbë struktura korporatiste dhe konformiste që matin suksesin me antivlera që e gërryejnë sistemin. Nëse vendimet unifikuese nuk zbatohen; nëse autorizimi gjyqësor anashkalohet; nëse paraburgimi përdoret si instrument paradenimi; nëse llogaridhënia nuk funksionon, atëherë nuk kemi provë të dështimit të normës. Kemi provë të një dështimi sistemik në zbatimin e saj.
Në këtë situatë, reagimi më i lehtë është ndryshimi i ligjit. Por çdo ligj i ri do të zbatohet nga të njëjtat duar. Sa më shumë ndryshime ligjore, aq më shumë pasiguri juridike.
Kur rendi institucional është i shëndetshëm, mjaftojnë pak ligje të qarta. Kur sistemi degradohet, ai prodhon gjithnjë e më shumë ligje për të korrigjuar pasoja që nuk i menaxhon dot përmes përgjegjësisë dhe kulturës institucionale.
Inflacioni normativ është simptomë dobësie, jo force. Shumë ligje nuk do të thotë më shumë drejtësi. Shpesh do të thotë më shumë pasiguri. Më shumë hapësirë për papërgjegjshmëri.
Pra, a ka dështuar reforma?
Unë them kemi dështim të marrëdhënies së institucioneve me përgjegjësinë që reforma krijoi.
Reforma në drejtësi nuk është vetëm çështje norme. Është çështje zbatimi. Është çështje mbikëqyrjeje reale. Është çështje integriteti personal, profesional dhe institucional. Institucionet që nuk janë mësuar me përgjegjësi do ta shpallin gjithmonë të dështuar strukturën, për të mos pranuar se dështimi qëndron në mënyrën si ato veprojnë brenda saj.
Të ndryshosh ligjin është e lehtë. Të ndryshosh mënyrën si ushtron pushtetin që ligji ta ka besuar në mirëbesim - kjo është sfida. Kjo është reforma e vërtetë.
Dhe pikërisht kjo reformë ende nuk ka filluar./TemA
Komente









