A mund ta kthejë Rama, populizmin e tij në vlerë për pushtet!?

A mund ta kthejë Rama, populizmin e tij në vlerë për pushtet!?

Kryeministri Edi Rama

Ajo që i atribuohet dhe e identifikon më së shumti Demokracinë e sotme është mundësia e shprehjes së lirë. Por, në dekadat e para të shekullit XXI, studiuesit, pas kësaj lirie të pamatë duken pak të tkurrur në mendim sa i përket atributeve që ka marrë kjo lloj lirie. E vërteta është se ajo që reflektohet tregon se: Vërtetë Demokracia është më e mira, por aman publiku po përballet me protagonizmin e vetëm pak njerëzve, siç po ndodh sot në të gjithë Globin, madje edhe në hapësira më lokale në Evropën Lindore dhe në Ballkan! Rasti i Shqipërisë është më i sakti për ne, ku njerëzit e pushtetit (kryesisht kryeministrat) nuk kanë fre dhe i atribuojnë vetes aftësi, mundësi por edhe leje për të artikuluar gjithçka për gjithçka, rrallë duke bërë Mea Culpa. Në më të thjeshtën e mundshme ky është një populizëm, që shprehet edhe me një retorikë specifike si edhe me tematikën. Populli është tema për të cilin flitet në çdo rresht por protagonistët që e bëjnë të njohur mbeten ata dhe vetëm ata!! Populizmi tek ne duket se vjen apriori me marrjen e pushtetit, por pak e habitshme është se pushtetarët nuk mësojnë nga përvojat e njëri-tjetrit, përveçse e shtojnë precedentin me forma të tjera. Shqetësimi më i madh është se pse nuk ka më shumë modesti të zyrtarëve, por thjesht përpjekje për të mbajtur pushtetin me këtë lloj sjellje e retorike. Dhe, pse nuk krijojnë fushë për lëvrimin e ideve për publikun e gjerë, bash këta njerëzit që mëtojnë se mund të thonë gjithçka? Edhe pse tregu i ideve në vendin tonë do jetë i largët si koncept dhe një vargan argumentesh mund të kërkojë një temë të dedikuar ndaj saj. Në vend të kësaj, ka retorikë dhe paradoks, ku sot, kryeministri Rama arrin “bën” edhe opozitën e vet ndaj qeverisjes së tij!!! “Nëse na kujtohen vazhdimisht të gjitha marrëzitë që njerëzit thonë dhe mendojnë, bëhet mjaft e vështirë të kujtojmë argumentet e mira dhe fisnike ku të gjithë të mund të marrin pjesë dhe të vendosin…”, shkruan me cinizmin e vet, publicisti i njohur suedez Johan Hakelius.

Një konstatim i përgjithshëm na sjell ekzistencën e një frike gati ekzistenciale kur përmendet termi “populizëm”. Ai mbledh çka publiku e mendon si pushtet i pakufi dhe shfrytëzim mirëfilli i emrit të tij për interesa të ngushta. Një pjesë e turmës nuk e kupton, por një pakicë që mundohet të ndajë e të bëjë opinione e ka të qartë termin e thjeshtë përballë e që quhet qartë: manipulim. Menjëherë, diskursi i Orban në Hungari dhe qesëndia ndaj BE-së të vjen para syve; vetëbesimi i shfrenuar i Donald Trump gati të bën të dyshosh për demokracinë e SHBA-së, kur militantët e inspiruar prej ish-presidentit desh e dogjën Kapitolin; Vuçiç të lodh me populizmin e tij të stisur, siç po e bën me publikun e vet në Serbi, duke u kujtuar kohën që ka qenë dhe do jetë në pushtet (madje duke e krahasuar vetëm me kryeministrin e 100 viteve më parë Pashiç); ndërsa më tutje nga Azia të vinë si kujtime lëbyrëse çmenduritë e Dutertes etj, etj!!! Shqipëria s’është më aq larg stadit të populizmit, teksa ky koncept po fillon të ngjisë disi me performancën e kryeministrit. Rama në fjalimin e tij kilometrik në Kongresin e fundit të PS-së nuk linte shteg duke nënkuptuar se e vërteta janë socialistët, që ai drejton, kurse misioni i tyre është epror, pasi vetëm ata mund të ndreqin Shqipërinë! Po, vetëm i tyre! Vetëm socialistët mund ta bëjnë Shqipërinë, vazhdonte kori dhe këtë e përcolli nëpër studio e gjithë shpura e PS-së.

Por, a është popullor apo populist Rama? Rama është popullor shpesh në formën tejet të zgjuar që zgjedh për t’u përballur, por në shprehje po kthehet tejet populist. Në fjalimin e tij në Kongres tregoi se përfaqësonte atë që mëton se do populli dhe është përfaqësuesi jo vetëm i zgjedhur por edhe misionar, detyrë që vetëm ai mund ta bëjë. Për këtë, duke shmangur vëmendjen, herë pas here, vazhdon e nxjerr ndonjë batutë për opozitën dhe e sheh me cinizëm kaosin e pamatë aty. E në një akt edhe më “të guximshëm” në diskursin e vet populist, Rama tregon se ai është edhe vetë opozitar me qeverinë e tij!!! Kësaj i shkon një varg argumentesh të tij, ku tregohen shqetësime që i interesojnë qytetarit, por që zvarriten nga zyrtari i tij!! Dhe, që ai vetë, do t’i përballë. Po ai është gati edhe të protestojë nëse e sheh të arsyeshme dhe turma ka të drejtë…!!! Në këtë liri, populizmi i Ramës shkon edhe më shumë kur shpërfill mendimin e ndryshëm, i bën hije të gjithë mendimit alternativ te partia e vet, por më shumë se kaq ironizon sistematikisht kundërshtarët politikë. Këta të fundit, sidomos ato grupime që lidhen me PD-në, po i bëjnë demokracisë tonë, një nga dëmet me të mëdha me kaosin e tyre. Më ‘e veçantë’ është ajo që artikulon Rama: se nuk do i interesojë oponenca e opozitës në parlament, pasi ai mbështetet tek populli. Në fakt, problematikat që kanë shoqëruar Reformën Territoriale, atë të Administratës, Rama i ka kaluar me fjalët e tij publike me regji dhe në fakt janë munduar të sfumojnë shqetësimet e njerëzve për realitetet e vërteta të qeverisë së tij. Nga një herë qesharakja është edhe aty, sepse kritikat e kryeministrit ndaj administratës së tij për korrupsioni dhe paaftësinë, nga ana tjetër, tregojnë se ato janë prej modelit të tij politik të qeverisjes dhe institucioneve të tij. Anipse, Rama e kalon me humorin dhe retorikën e zhdërvjelltë, pastaj jep vetë tapi, kërkon të reformojë sektorin publik, u kërkon studentëve që t’u bashkohet dhe ai në protestë, edhe pse fasada e tij populiste nuk shkon dot në thelb. Që do të thotë do të ishte më mirë, të bënte politikë që këto institucione të funksiononin dhe të administronte përuljen ndaj një detyre tejet të vështirë që mbart mbi shpinë.

Profesoresha nga Universiteti Columbia, Nadia Urbinati, në një shkrim botuar në sitin e BBC-së argumentonte se përmbajtja populiste është “kthyer në kah negativ”, pavarësisht se a është anti-politikë, apo anti-intelektualizëm apo anti-elitë. Sipas saj, këtu qëndron një nga pikat më të forta të populizmit. “Ajo që tek Mandela shihej si një aftësi pothuajse e shenjtë për t’u pajtuar, në një njeri më të vogël, mund të lexohej si populizëm me gjunjë të dobët.”  Populizmi i referohet një sërë qëndrimesh politike që theksojnë idenë e “popullit” dhe shpesh e vendosin këtë grup kundër “elitës”. Termi u zhvillua në fund të shekullit të 19-të dhe është aplikuar për politikanë, parti dhe lëvizje të ndryshme që nga ajo kohë, shpesh si një përbuzje, shkruhet në literaturë.

Në debatin aktual të Evropës Qendrore, Lindore dhe Ballkan, “populizmi” zakonisht lidhet me retorikën emocionale, të thjeshtëzuar dhe manipulues, drejtuar në “ndjenjat e brendshme” të njerëzve ose në politika oportuniste të cilat synojnë të “blejnë” mbështetjen e njerëzve, shpjegon politologu Philipe Schmitter. Në këtë kuadër, ku shembulli Rama është primar nuk mund të rrinë poshtë tij, presidenti Meta. Ky i fundit është një mjeshtër i vërtetë i populizmit deri anakronik dhe shumë folklorik; ashtu si Berisha e kalon me fuqinë e lartë të sugjestionimit që u bën militantëve, ku radhë herë ka dukshëm elementë manipulimi. Paradoksi nuk mbaron këtu, sepse ajo që mund të konsiderohet si populiste për një grup, për pjesën tjetër mund të jetë pozitive cilëson Ralf Dahrendorf, që shton se: “populizmi i një njeriu është demokracia e tjetrit dhe anasjelltas”.

Ka edhe një qasje tjetër: politologu Philippe Schmitter këmbëngul se ngritja e partive populiste mund të ketë një ndikim pozitiv në demokracitë e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore. Politologu i lartpërmendur vërtetë e pranon anën negative të partive populiste, sipas të cilës ato minojnë besnikërinë ekzistuese partiake dhe zgjedhjet e qëndrueshme midis programeve partizane konkurruese, duke mos sjell ide alternative; rekrutojnë persona të keqinformuar që nuk kanë preferenca të qëndrueshme dhe që kërkojnë kënaqësi “emocionale” dhe jo programore nga politika; vetëm se ato nga ana tjetër, ngrenë pritshmëri që nuk mund të përmbushen. Por në të njëjtën kohë, argumenton Schmitter, partitë populiste bëjnë dhe një të mirë të madhe, pasi shkundin besnikërinë sklerotike partizane dhe shpërbëjnë dhe hapin sisteme partiake të fshehta;  afrojnë dhe rekrutojnë persona të cilët ishin indiferentë në zonën gri dhe i mobilizojnë për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. A mundet të jetë ky rasti i PS-së? Deri diku po, por peshën më të madhe të diskursit politik populist e ka marrë Rama, kurse partia mjaftohet me slogane, që të mos cedojë asnjë hap nga kryetari. Pasi është vetë ai, që pas protagonizmit të duhur në momente ngjarje të jashtëzakonshme, si tërmeti, pandemia, dhe lufta e Ukrainës, zhvlerësoi rrufeshëm institucionet e gjumta dhe aspak fleksible tek ne. Ndaj, Rama nuk ndalet më, shprehet dhe “këshillon” SPAK; shprehet me cinizëm për opozitën; në takime ai urdhëron kryetarët e bashkive dhe i këshillon deri për lule…. Do të çoj ndonjë nga veshi vetë në SPAK, -i vuri vulën disa ditë më parë në Kongres kolegëve të vet, para një regjie kudo të përcaktuar që ai të jetë në qendër dhe populli ta dëgjojë, kurse njerëzit e partisë së tij të vazhdojnë thjesht të mbajnë shënime dhe duke qeshur me kadencën e humorit të tij.

Duke ardhur në temën tonë: apo i tregon anën tjetër të demokracisë Rama, apo i ngjall qytetarët dhe po i heq nga apatizmi i tyre bash me këtë lloj populizmi? A po sjell gjak të ri tek Partia Socialiste? Apo e përball kinse elitën politike shqiptare që e ka ndrydhur mendimin politik. A po lë vend Rama me vërejtjet dhe idetë e tij për pluralizmin e mendimeve në partinë e tij? Rasti i zbehtë i mendimit ndryshe prej Ulsi Manjës dhe Braçes tregoi një anë tjetër. Atë, që PS-ja e ka humbur sensin e kritikës para figurës së liderit. Do ishte vetë Manja që “do bënte kthesë”, duke përmendur në fund se ishte vetëm Rama që i fitonte zgjedhjet!

Në një botim simpatik, historiani i filozofisë Jan-Werner Müller argumenton se në thelb të populizmit është refuzimi i pluralizmit. Populistët gjithmonë do të pretendojnë se ata dhe vetëm ata përfaqësojnë popullin dhe interesat e tyre të vërteta dhe ky është ligj, që në kohën tonë nuk kthehet dot më. Müller tregon gjithashtu se, në kundërshtim me urtësinë konvencionale, populistët mund të qeverisin në bazë të pretendimit të tyre për përfaqësim moral ekskluziv të popullit, por nëse populistët mbledhin shumë fuqi, ata do të përfundojnë duke krijuar një shtet autoritar që përjashton të gjithë ata që nuk konsiderohen si “njerëzit” e duhur. Dhe, sot, të gjithë e shohin me rastet e vendeve të lartpërmendura, kurse në rastin tonë në faktin se: nëse nuk të do Rama në parti, e ke vendin tek të anatemuarit. Ashtu si edhe frikën e anatemës së tij, që ndiqet nga rrufetë e të gjithë strukturave, që zgjohen “befas”. A mund ta kthejë këtë populizëm Rama në vlerë? Rasti i Shqipërisë nuk jep mundësi, qoftë edhe me besimin e Ramës për protagonizmin e retorikës së tij. Të paktën këto 30 vjet e kanë treguar…për paraardhësit e tij.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Garibaldi: 23/04/2022 02:18

    Ne 23 artikuj me autore te ndrýshen por ne thelb MeroBazeist, ku sigurisht kryefjale kane Saline, mje here ne hene del edhe nje artikull me vlere dhe ashtu si duhet nga i nderuari Andoni dhe qe trajton Ate qe sua pertyp gurmazi te tjereve - Ramen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë