Euro vijon të humbasë terren përballë lekut. Brenda 10 vitesh një euro është zhvlerësuar me ritme të shpejta, dhe aktualisht kushton 45.6 lekë më pak.  Edhe pse mesatarja e këmbimit në tetor ishte 91.3 lekë, ditët e fundit euro po këmbehet deri 89 lekë.

Por a mund të bjerë edhe më shumë euro? I pyetur në emisionin “Portofol” në Report Tv, Enian Çela nga Departamenti i Politikës Monetare tha se Banka e Shqipërisë nuk parashikon se ku mund të shkojë kursi i këmbimit. Ai shpjegoi se në treg po hyn shumë valutë, kryesisht nga investimet e huaja direkte.

“Kursi i këmbimit nuk është diçka që parashikohet nga ana e Bankës së Shqipërisë. Ne vetëm mund të analizojmë arsyet pse kursi i këmbimit është aty ku është dhe ka këtë lloj tendence.

Arsyet lidhen me zhvillime strukturore në ekonomi, ose më saktë, përmirësime strukturore në ekonomi, dhe janë të lidhura kryesisht me sektorin e jashtëm. Nga njëra anë kemi deficitin e llogarisë korrente, i cili, gjatë së njëjtës periudhë që vihet re ky forcim i kursit të këmbimit, është ngushtuar në mënyrë të ndjeshme. Besoj se para 10 vitesh deficiti arrinte pothuajse në vlera dyshifrore, ndërkohë që vitin e kaluar ka qenë pothuajse në nivelin zero, pra 0,7% në raport me PBB-në. Pra, marrëdhënia jonë me botën e jashtme është përmirësuar ndjeshëm.

Nga ana tjetër, paralelisht me këtë, kemi edhe flukse shumë të larta hyrëse të valutës, kryesisht në formën e investimeve të huaja direkte, të cilat financojnë deficitin dhe pjesa e mbetur pastaj qëndron në treg. Në qoftë se një mall i caktuar ka ofertë të lartë në treg, përgjithësisht vlera e tij do të bjerë. Ajo që rritet në këtë rast është monedha vendase.

Ne vëmë re që këto kushte kanë vazhduar përgjatë gjithë kësaj periudhe të forcimit dhe janë të pranishme edhe gjatë vitit 2026. Nuk mund t’ju them për tremujorin e katërt, as për tremujorin e tretë, sepse shifrat janë ende të padisponueshme. Megjithatë, në bazë të të dhënave indirekte që kemi, ne shohim që situata ka vazhduar dhe vazhdon edhe përgjatë këtij viti. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë, sepse ne veprojmë në një regjim të lirë të kursit të këmbimit.”, thekson ai.

KURSI I KËMBIMIT EURO-LEKË
Tetor 2016      1€ / 136.9 lekë
Tetor 2017       1€/ 133.7 lekë
Tetor 2018       1€/ 125.2 lekë
Tetor 2019       1€/ 123.1 lekë
Tetor 2020      1 €/ 124.0 lekë
Tetor 2021      1 €/ 121.7 lekë
Tetor 2022      1 €/ 117.3 lekë
Tetor 2023      1 €/ 105.8 lekë
Tetor 2024       1 €/ 98.7 lekë
Tetor 2025      1 €/  96.7 lekë
Tetor 2026       1 €/ 91.3 lekë


Lajmi kryesor:

Inflacioni po rritet, BSH për Report Tv: Ndërhyjmë në politikën monetare nëse lufta do zgjatet, nafta ka shtrenjtimin më të madh