Zyrtarët perëndimorë janë duke i bërë thirrje Kinës që të përdorë ndikimin e saj dhe t’i bëjë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka deklaruar më 5 mars se ka marrë garanci se “Kina është e interesuar ta ndalojë këtë luftë”.
“Diplomacia kineze ka mjete të mjaftueshme për të bërë ndryshime. Ne llogarisim se ajo tashmë është përfshirë dhe se përpjekjet e saj do të jenë të suksesshme”, ka thënë Kuleba.
Deklaratës së tij i kanë bërë jehonë edhe zyrtarë të tjerë perëndimorë, si kryeministri australian, Scott Morrison, i cili ka kërkuar nga Kina që t’iu bashkohet përpjekjeve për të ndaluar konfliktin, dhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili i ka thënë gazetës spanjolle “El Mundo” se Pekini mund të jetë një ndërmjetës në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike.
“Ne [evropianët] nuk mund të jemi ndërmjetës, kjo është e qartë... Dhe, nuk mund të jenë as [Shtetet e Bashkuara]. Kush tjetër? Duhet të jetë Kina, unë besoj në këtë”, ka thënë Borrell.
Roli i mundshëm i Pekinit në ndërmjetësimin e paqes është në qendër të vëmendjes kryesisht për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Kremlinin, por disa ekspertë dhe diplomatë vënë në pikëpyetje kredencialet e Kinës, motivimin dhe levat.
“Kina nuk ka gjasa të luajë ndonjë rol serioz ndërmjetësues në Ukrainë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ryan Hass, bashkëpunëtor i lartë i Institutit Brookings, me seli në SHBA.
Vallëzimi diplomatik i Kinës
Borrell ka biseduar për ndikimin e mundshëm të Kinës te Rusia edhe me homologun e tij kinez, Wang Yi, më 7 mars.
“Kina ka potencialin për të kontaktuar Moskën, për shkak të marrëdhënieve të tyre. Ne do të dëshironim që Kina të përdorë ndikimin e saj, për të bërë presion për një armëpushim dhe për ta bërë Rusinë t’i ndalojë granatimet dhe vrasjet brutale, të paprecedente të civilëve në Ukrainë”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Pekini ka ndërtuar lidhje të ngrohta me Rusinë gjatë viteve. Ato janë riafirmuar gjatë një takimi më 4 shkurt midis presidentit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Në këtë takim, të dy udhëheqësit kanë deklaruar se janë për një partneritet “pa kufij”.
Kina është përpjekur të distancohet nga ofensiva e Rusisë në Ukrainë, që ka nisur më 24 shkurt - veçanërisht kur Kremlini ka ndryshuar taktikat dhe zonat civile janë bërë shënjestër.
Kina nuk e ka cilësuar luftën si “pushtim” dhe ka thënë se i kupton “shqetësimet legjitime të Rusisë për sigurinë”.
Në të njëjtën kohë, Pekini ka tentuar të distancohet pak edhe nga Rusia, duke theksuar “mbështetjen e palëkundur për sovranitetin e Ukrainës”, dhe duke thënë se është i gatshëm të bëjë “çdo përpjekje për t'i dhënë fund luftës... nëpërmjet diplomacisë”.
Pekini ka shprehur keqardhje edhe për aksionin ushtarak, si dhe shqetësim për viktimat civile.
“Kina dëshiron të mbetet në një zonë gri, e cila i lejon të mbajë marrëdhënie relativisht të mira me të gjitha palët”, thotë për Radion Evropa e Lirë Francesca Ghiretti, analiste në institutin MERICS, me qendër në Berlin.
Disa zyrtarë perëndimorë shpresojnë se duke shtuar presionin publik mbi Pekinin dhe duke vënë në pikëpyetje imazhin e tij global, Kina do t’i ndryshojë llogaritjet e saj.
Gjatë vizitës në Lituani më 7 mars, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka akuzuar Pekinin për hipokrizi, duke thënë se, pavarësisht retorikës së tij për “mbajtjen e rendit ndërkombëtar, të stabilitetit dhe për respektimin e sovranitetit”, ai ende qëndron pas Moskës dhe “veprimet e tij flasin shumë më fort se fjalët e tij”.
Pavarësisht shtytjeve, përparimi duket i vogël.
Një diplomat i BE-së thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka asgjë konkrete në lidhje me ndërmjetësimin e Kinës, pavarësisht thirrjeve nga Brukseli.
“Të gjithë ata që mund të arrijnë te [presidenti rus, Vladimir] Putin, janë të mirëpritur ta bëjnë këtë. Deri më tani, ai nuk ka treguar dhe nuk i ka shprehur askujt ndonjë gatishmëri, për të hyrë në ndonjë negociatë [ose] ndërmjetësim”, thotë diplomati.
Nëse jo një ndërmjetës, atëherë çfarë?
Kinën dhe Rusinë i ka bashkuar armiqësia e përbashkët ndaj Shteteve të Bashkuara dhe dëshira për të zmbrapsur atë që ato mendojnë se është presion i Perëndimit kundër tyre.
Shumë ekspertë dhe ish-zyrtarë thonë se Pekini nuk ka gjasa t’ia kthejë shpinën Moskës, por pranojnë se pushtimi rus i Ukrainës dhe kriza njerëzore dhe politike që ka shkaktuar ai, nuk i përshtaten mirë Kinës.
“Kina mund të ketë besuar se ky konflikt është në interesat e saj, sepse ka pasur potencialin t’i shpërqendrojë Shtetet e Bashkuara dhe të nxisë ndarje transatlantike”, thotë për Radion Evropa e Lirë Noah Barkin nga Grupi Rhodium.
“Në vend të kësaj, konflikti i ka bërë BE-në dhe SHBA-në më bashkë dhe ka bërë që Evropa të rishikojë politikën e jashtme, që mund të jetë një bumerang për Pekinin”, shton Barkin.
Duke cituar një raport të inteligjencës perëndimore, gazeta amerikane “New York Times” ka raportuar se zyrtarët kinezë u kanë thënë homologëve të tyre rusë, në fillim të shkurtit, që të mos e pushtojnë Ukrainën përpara përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin, megjithëse nuk është e qartë nëse Putin i ka treguar Xisë për ndonjë plan specifik luftarak për Ukrainën.
Zyrtarët kinezë e kanë hedhur poshtë raportin, duke e cilësuar si “lajm të pastër të rremë”, por ai nxjerr në pah rreziqet strategjike dhe të reputacionit, me të cilat përballet Pekini.
“Ose Pekini e ka vlerësuar keq Putinin dhe efektin që sulmi i tij në Ukrainë do të ketë në vendosmërinë perëndimore, ose ka gjykuar se përfitimet afatgjate të këtij konflikti do t’i tejkalojnë rreziqet afatshkurtra”, thotë Barkin.
“Ajo që duket e qartë është se Kina do të duhet të fillojë të rikalibrojë retorikën e saj së shpejti ose të rrezikojë të humbasë Evropën. Ukraina mund të jetë pikë kthese për marrëdhëniet BE-Kinë”, thekson Barkin.
Kjo e qet Pekinin para një akti të vështirë balancues.
Politikëbërësit kinezë janë të kujdesshëm ndaj presionit amerikan në rajonin e Indo-Paqësor, ndërsa Rusinë e shohin ende si partnere të nevojshme në çdo konfrontim të ardhshëm. Por, pasojat nga pushtimi rus i Ukrainës tashmë po rezultojnë si dhimbje koke për Kinën.
“Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve do t’u shërbente më së miri angazhimi i Pekinit në çështje diskrete, ku do të mund të jepte një kontribut konstruktiv”, thotë Hass, i cili ka mbikëqyrur politikën e Kinës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në administratën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama. Hass përmend si shembull ndihmën humanitare të Kinës për Ukrainën./REL