Ka një propozim nga Lëvizja e A.Qorit për ta çuar dënimin për korrupsion në 20 vite burg. Duket masë e fortë, e prerë, në sinkron me klimën e zemërimit publik. Në një shoqëri të lodhur nga abuzimi me pushtetin, edhe 20 vite, madje pse jo 30, tingëllojnë si drejtësi e vonuar që më në fund troket në derë.

Historia e shteteve funksionale na mëson megjithatë, se ashpërsimi i dënimeve nuk është garanci automatike për uljen e korrupsionit. Norvegjia me dënime relativisht të moderuara, renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të korrupsionit në botë. Kina e dënimeve me vdekje, ka korrupsion të lartë.

Norvegjezët nuk fshehin ndonjë sekret gjenetik. Atje ligji ndjek bindjen e brendshme, jo anasjelltas. A është e mundur gjetiu një shoqëri e tillë? Ku vjedhja nuk është çështje kodi penal, por para së gjithash një njollë që njeriu e ndien në lëkurë? Ku frika nga burgu vjen pas “frikës” nga vetja?

Ne shqiptarët jemi një popull që e ka provuar gjatë shijen e hidhur të zhgënjimit. Kemi parë shumë lugë në të njëjtën çorbë të prishur. Ndaj kjo na duket utopi.

Por jemi njëherazi një shoqëri ku presioni social funksionon si mekanizëm parandalues po aq sa ligji, madje më fort se ligji. Rrethi ynë shoqëror, fjala e lagjes, vështrimi i komunitetit, reputacioni, këto peshojnë realisht në jetën e përditshme.

Pikërisht për këtë arsye, rindërtimi i një presioni përbuzës ndaj vjedhjes mund të jetë një proces i gjatë, i ngadaltë, por nuk është i pamundur.

Frika nuk prodhon më shumë “ndershmëri” se edukimi dhe formimi i karakterit. Kjo është një e vërtetë e provuar. Prangat vetëm e fshehin vjedhjen. Është PËRBUZJA ndaj saj që e parandalon, bindja e brendshme se vjedhja është e papranueshme. Edhe kur askush nuk të sheh. Thelbi është jo të druhesh nga prangat, por të mos e duash vjedhjen si akt.

Qëndrojmë pak te kjo ndjesi e refuzimit të brendshëm, sepse prek një nga plagët më të vjetra dhe më të thella të shoqërisë sonë.

Historikisht, kjo ka qenë rregullatori kryesor i kanuneve dhe dokeve tona (burrëria, besa). Sot është zhvendosur nga akti i vjedhjes te “paaftësia” për të përfituar. Pse? Sepse për gati 4 dekada sinjali që i është dhënë shoqërisë është se i forti fiton, se i shkathti shmang ligjin, se kapja e hajdutit është e pamundur.

Kështu erdhëm te momenti ku vjedhja u normalizua.

Moralin tonë publik e ka vrarë së pari politika. Ajo që sot justifikon veten, relativizon akuzat me krahasime foshnjarake, sulmon institucionet hetimore, shpall “komplote” sepse hetimi i është afruar më në fund te pragu.

E quajmë “skandal” por kjo sjellje është shumë më tepër se kaq. Ajo ka prodhuar kulturën e vjedhjes, ka sjellë erozionin e ndërgjegjes kolektive. Shoqëria intuitivisht është përshtatur. Ka mësuar të quajë vjedhjen aftësi, e të rreshtohet në llogore, të zgjedhë kampin në vend të parimit. Papritur nuk ka më rëndësi çfarë është e drejtë, por kush është “yti”.

Shembulli “nga elitat” është mekanizëm institucional që mund të jetë shtetformues ose krejt e kundërta, sepse krijon klimë dhe standarde.

Kur një deputet, një ministër, një biznesmen i fuqishëm, një artist me ndikim, pra njerëz me siguri financiare dhe pozicion publik nuk gjejnë dot forcën të thonë “Jo” kur duhet thënë “Jo” dhe “Po” kur duhet thënë “Po”, çfarë presim nga ai që s’ka asgjë?

Kur politikani shet shpirtin ndërkohë që nuk i mungon asgjë, pushtet, para, privilegj, me ç’të drejtë i kërkon llogari atij fukarait pse ka “shitur votën”?!

Kur ai që i ka të gjitha kushtet për të qenë “kapedan” zgjedh servilizmin dhe konformizmin përballë pushtetit, çfarë kërkojmë nga fshatari që gdhihet në baltë?

Nëse as siguria, as paraja, as fama nuk prodhojnë dinjitet tek elitat tona, atëherë përse i duan ato? Përse kërkojnë pushtet e pasuri, nëse jo për të qenë të lirë në gjykim e të fortë në qëndrim? Nëse mirëqenia nuk u jep pavarësi morale, cfarë u paska dhënë? Rehati?

Çfarë është kjo rehati pa karakter, dreqi e mori?

Ja kjo kulturë e vjedhjes, e pasuar nga nënshtrimi ndaj pushtetit, ka rrjedhur masivisht poshtë në shoqëri.

Ndaj debati për shtimin e viteve të dënimit për korrupsionin mund të jetë i nevojshëm. Por më e rëndësishme se kaq është NDËRTIMI i kësaj kundër-kulture, ku vjedhja nuk justifikohet apo zilepset, por PËRBUZET. Frika nga prangat  frenon dorën ndoshta, por turpërimi i brendshëm dhe përbuzja morale ndalojnë mendjen.

Një shoqëri që ndjen KRUPË nga vjedhja. Kjo është reforma e vërtetë, nëse dikush si Arlindi kërkon një kauzë që ia vlen t’i kushtojë jo një mandat, por një jetë të tërë politike.

Sado kohë të marrë, ia vlen.