Taksapaguesit më të mëdhenj të huaj në Rusi janë nga SHBA dhe Gjermania. Kompanitë amerikane dhe gjermane janë ende duke financuar në mënyrë indirekte shtetin rus, pavarësisht nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Ky është mesazhi i studimit të Shkollës Ekonomike të Kievit (Kiew School of Economics). Sipas ekonomistëve ukrainas, më shumë se dy të tretat e kompanive gjermane që ishin aktive në Rusi para luftës janë ende të përfaqësuara atje - gjithsej 262 kompani.
Në analizën e tyre të publikuar me titullin "The Business of Staying", ekonomistët u bëjnë thirrje kompanive perëndimore të largohen nga Rusia sa më shpejt të jetë e mundur dhe besojnë se "shtetet duhet të vendosin masa parandaluese si gjobat, kufizimet në aksesin në kontrata dhe përjashtimin nga prokurimet publike".
Biznesi me duhan, mallra konsumi dhe makina po lulëzon
Bizneset më të shpeshta janë ato me cigare, mallra konsumi, si ushqime, artikuj higjienikë ose prodhime të tjera të përditshme, dhe makina me të cilat kompanitë e huaja arritën shitjet më të larta në Rusi në vitin 2022.
Duke parë listën e kompanive aktive në Rusi, shfaqen emra të njohur si Philip Morris, Japan Tobacco, Pepsi, Danone, Mars, Procter & Gamble dhe koncerni gjerman Metro. Përveç Metro, në listën e dhjetë kompanive të huaja me xhiro më të madhe dhe taksapagues të mëdhenj nuk ka asnjë kompani tjetër gjermane.
Ndërsa prodhuesit kinezë të makinave Chery, Haier, Geely dhe Haval ishin ndër dhjetë kompanitë e huaja me rritjen më të madhe të shitjeve në 2022.
Sipas studimit, kompanitë e huaja në Rusi në vitin 2022 arritën shitje prej 214 miliardë dollarësh dhe një fitim prej 14 miliardë dollarësh. Sipas llogaritjeve të autorëve të studimit, ata u paguan autoriteteve tatimore ruse 3,5 miliardë dollarë taksa. Duke bërë këtë, ata "kontribuan në financimin e luftës së Kremlinit", shkruajnë autorët.
Vetëm kompanitë me bazë në BE gjeneruan një xhiro prej 75 miliardë dollarësh në vitin 2022 dhe paguan 594 milionë dollarë taksa të korporatave.
Dy të tretat e të gjitha taksave mbi të ardhurat e korporatave nga kompanitë e BE-së aktive në Rusi në 2022 lidhen me kompanitë gjermane. Qarkullimi i tyre vitin e kaluar ishte 23 miliardë dollarë, ndërsa në Rusi ata paguanin 402 milionë dollarë tatim fitimi.
Ekonomistët e Kievit i bazojnë llogaritjet e tyre në të dhënat e kompanive dhe informacionet nga burimet zyrtare ruse.
Megjithatë, studimi pranon se në rastin e të gjitha aktiviteteve të shqyrtuara, bëhet fjalë për biznese të ligjshme që nuk preken nga sanksionet. Këtë e argumentojnë edhe kompanitë perëndimore. Biznesi ynë me Rusinë "përmbush plotësisht kërkesat e sanksioneve të BE", tha në një deklaratë gjigandi gjerman i shitjeve me pakicë Metro.
Shifrat reale vetëm në vitin 2023
Michael Harms, drejtor i përgjithshëm i Komitetit Lindor të Shoqatës Gjermane të Biznesit, tha për DW se shumë kompani gjermane janë larguar nga tregu rus ose janë në proces të tërheqjes. Kjo veçanërisht prek kompanitë e mëdha me të ardhura të larta. Dy prodhues makinash, Volkswagen dhe Mercedes Benz, kanë shitur biznesin e tyre rus.
"Por tërheqja nga tregu kërkon kohë dhe qëndrueshmëri. Marrëdhëniet ekonomike gjermano-ruse kanë ndryshuar tashmë në mënyrë dramatike. Në vitin 2022, eksportet gjermane në Rusi pothuajse u përgjysmuan. Ndërsa importet nga Rusia kanë rënë madje me 90 për qind që nga fillimi i vitit 2023. Sigurisht, këto të dhëna nuk janë ende të dukshme në statistikat e vitit 2022”, vëren Harms.
Të ardhurat e Rusisë ka të ngjarë të jenë edhe më të larta
Këto 3.5 miliardë dollarë që kompanitë e huaja derdhën në arkat e Vladimir Putin në emër të taksave, megjithatë nuk janë të gjitha. Autorët e studimit theksojnë se shteti rus përfiton nga tatimi mbi të ardhurat që u paguhet punonjësve të kompanive të huaja, por edhe nga të ardhura të tjera si tatimi mbi vlerën e shtuar. "Kjo është vetëm maja e ajsbergut dhe ndoshta një nënvlerësim domethënës i shpenzimeve totale të taksave," shkruajnë autorët ukrainas të studimit.
Sa të rëndësishme janë miliardat e taksave?
"Shumë analistë perëndimorë supozojnë se Putini po bën miliarda në tregtinë e jashtme për të financuar pushtimin e Ukrainës, falë çmimeve të larta të mallrave, sanksioneve të dobëta perëndimore dhe shmangies së sanksioneve," tha Jeffrey Sonnenfeld, një ekonomist në Universitetin Yale në SHBA, në një gazetë me 30 qershor.
Megjithatë, për shkak të kufizimit të çmimit të naftës nga komuniteti ndërkombëtar, të ardhurat janë në rënie të madhe. Fitimet nga eksportet e naftës mund të mbulojnë më së shumti kostot e prodhimit, shkruan Sonnenfeld. "Çmimet e energjisë si nafta dhe gazi natyror janë më të ulëta sot sesa ishin para pushtimit, sikur edhe edhe çmimet e grurit, drurit, metaleve dhe pothuajse çdo malli tjetër që prodhon Rusia."
Shpesh neglizhohet se Putini financon pushtimin e tij në Ukrainë jo vetëm duke "eksportuar lëndë të para në vendet fqinje ose duke shmangur sanksionet, por edhe duke ngrënë vetë ekonominë ruse”, thekson Sonnenfeld. Ai tregon vlerësimet e analistëve se lufta në Ukrainë po kushton Kremlini rreth një miliard dollarë në ditë.
Si një diktator autoritar me akses në më shumë se 70 për qind të ekonomisë ruse, Putini nuk do t'i mbetet kurrë pa para, argumentoi Sonnenfeld në një artikull të Time, të cilin ai e shkroi bashkë me kolegun e tij nga Yale, Steven Tian. Putini gjithmonë mund "të gjejë para nën divan (...) ose të zhvat para për një sanduiç nga fëmijët e tjerë (d.m.th. nga oligarkët) gjatë pushimit të madh në shkollë", shkruajnë ekonomistët amerikanë nga Yale për aftësitë financiare të Putinit./ DW
Ato shikojne interesat e ceta dhe jo te Rusise sepse te gjithe e done sa zemer gjere jane perendimoret , edhe gjakun ta pijne nese munden . Luften e humbi perendimi sepse po i kthehen te gjithe ata vende kundra sepse ju ka pire gjakun dhe asnje nuk do te kete te bej me keta legena
Përgjigju