A rrezikon çarjen PD?

A rrezikon çarjen PD?
Në ndryshim nga Partia Socialiste, e cila u nda vetëm një herë kur ishte në pushtet, me formimin e LSI nga Ilir Meta, “karakteristika” e Partisë Demokratike është se ndahet si në pushtet, ashtu dhe në opozitë. Neritan Ceka, i cili në zenit të pushtetit të PD formon PAD, Partia Aleanca Demokratike së bashku me disa deputetë, ishte ndarja e parë e madhe nga Berisha (Ceka sot vazhdon të jetë këshilltar i Berishës, por PAD nuk egziston). Në opozitë, ishte Genc Pollo së bashku me disa deputetë që formuan në 1999-2000 PDr, Partinë Demokratike të Reformuar, pasi nuk mundi dot të konkurronte për kryetar të partisë përballë Berishës (Pollo sot është ministër i Berishës dhe PDr nuk egziston).

Këto janë dy çarjet e mëdha të PD-së, duke përjashtuar këtu, ikjet dhe ardhjet e herpashershme të individëve të veçantë, si dhe Bamir Topin, i cili nuk arritit të linte gjurmë me FRD e tij në këto zgjedhje. Pyetja që lind, pas insistimit të Berishës për zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD-së, është e thjeshtë: a rrezikon një ndarje të re kjo parti? Normalisht që pyetja e vogël shoqëruese është, a ka kundërshtarë të Berishës brenda kësaj partie. Ndoshta një 20 përqindsh i anëtarësisë, sipas të dhënave zyrtare, doli kundër Berishës (Bashës). Por megjithatë vetë Sokol Olldashi nuk duket se mund të ndërrmarrë një lojë të tillë të rrezikshme mbi supe, të përfaqësojë “fraksionin” e 20 përqindëshit.

Edhe fushata e tij, ku Berisha nuk u atakua asnjëherë, qoftë edhe tagent, nuk të lë shteg të mendosh se ai do të ndërrmerrte një hap, ku të tjerë para tij e kanë provuar dhe nuk kanë shkelur në tokë të fortë. Intelektualë të njohur të PD-së, shumica tashmë janë jashtë rradhëve të saj aktive.  Bamir Topi është vetëm kujtesë, tani për tani. Jozefina Topalli, ka pranuar në heshtje humbjen. Të tjerët bëjnë llogaritë e mbijetesës në politikë dhe madje kanë nisur edhe “ledhatimet” ndaj Berishës së ri.

Pra, në analizë të parë, duket se PD nuk ka një emër tjetër me karakteristika lideri përveç Berishës. Dhe rreth tij do të mblidhen të gjithë qëndrestarët, ndërsa të pakënaqurit, ose do të preferojnë heshtjen, ose mënjanimin duke menduar rikthimin. Eshtë një cikël (duket si cikël kozmik) i hapjes dhe mbylljes së kësaj partie. Dhe në këto momente është në ciklin e mbylljes, në atë që dikur u quajt “epoka e qëndrestarëve”. PD mund të rrudhet, e të rrudhet, por nuk do të ketë çarje, sepse nuk ka prodhuar elitë. Dhe nëse Lulzim Basha kërkon vërtetë të mos paragjykohet duhet të nisë fillimisht nga krijimi i elitës brenda partisë. Elitë që të mos lotojë me fjalët e Berishës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Organizata civile: Peticion për ndryshimin e emrit të Kosovës në Dardani

Organizata civile: Peticion për ndryshimin e emrit të Kosovës në Dardani