Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kërkon akoma për numërues që mund të kenë vjedhur vota më 11 maj, në mënyrë që t’i dorëzojë ata përpara drejtësisë. KQZ do të verifikojë 166 kuti, ndërsa sot janë hapur 10 të parat. KQZ do të rinumërojë fletët e votimit si edhe do të verifikojë materialet zgjedhore për të parë nëse ka mospërputhje.

Nga hapja e 10 kutive, nuk rezultojnë mospërputhje me votat e numëruara nga procesi i 11 majit, veçse dy votave që humb PD me aleatët. Nga 1204 vota të fituara më 11 maj, PD zbret më 1202 vota nga procesi i rinumërimit.

PS dhe partitë e tjera ruajnë të njëjtat vota. PS 1269 vota, Lëvizja Bashkë 25 vota, Lëvizja Atdheu 6 vota, Koalicioni Euroatlantik 26 vota, Nisma Shqipëria Bëhet 27 vota, Partia Aleanca Kombëtare 3 vota, Koalicioni Djathtas për Zhvillim 20 vota, Partia Mundësia 85 vota, PSD 9 vota.

Verifikimi pas zgjedhor dhe hapja e 10 % të kutive me short, janë një detyrim nga Kodi Zgjedhor. KQZ duhej të hapte 210 kuti në total, si të votave brenda vendit, si të diasporës. Por, do të verifikohen vetëm 166 pasi nuk do të rihapen kuti në qarqet Tiranë, Fier dhe Durrës, ku rinumërim u bë nga KAS menjëherë pas zgjedhjeve me kërkesë të opozitës.

Nga ky proces i verës, u zbulua se kryesisht në Fier, kishte abuzime serioze me votën, por Komisioni i Ankesave nuk dërgoi asnjë në prokurori, duke lënë komisionerin Ilirjan Celibashi ta bëjë këtë proces, pikërisht tani, në këtë fazë.

Rivlerësimi nuk ndikon në rezultat, por zhvillohet vetëm për të parë se ku mund të ketë gabuar administrata dhe aty ku është nevoja të adresohen rekomandime të caktuara.

Në zgjedhjet e 11 majit, PS fitoi 83 mandate, ndërsa PD u tkurr në 50 mandate. 1 mandat shkoi për Nismën Shqipëria Bëhet , 2 Partia Mundësia, 1 Lëvizja Bashkë dhe 3 PSD.