Në një kohë kur brenda PD ka zëra që duan ndryshim dhe kur flitet për krijimin e një lëvizje të brendshme, që i ka dhënë shkëndijat e para nga Ervin Salianji, kreu i PD Sali Berisha nisi këtë të martë ciklin e ri të foltoreve me bazën demokrate nga Njësinë nr. 9 në Tiranë, ku i është rikthyer premtimeve për hapjen e partisë.
Berisha u ndal edhe te analiza paszgjedhore për zgjedhjet e 11 majit e Partisë Demokratike, ku deklaroi se procesi i analizës nis nga sot, por paralajmëroi se ai nuk duhet të shndërrohet në “gjueti shtrigash”.
Sipas tij, synimi është forcimi i partisë dhe përgatitja për një betejë të re politike.
‘Sigurisht nuk do merreshim me analizë të fushatës kur ishim në fushatë zgjedhore. Do të bëjmë një analizë të shkëlqyer. A mundet ne të përdorim situatën, a mundet ne të përdorim faktin e një diktature autoritare për të mos analizuar të gjithë dobësitë, problematikat tona? Në asnjë mënyrë. Ne fillojmë sot një debat, fillojmë sot një analizë me të cilën ne do e nxjerrim shumë më të fortë dhe të fuqishme Partinë Demokratike.
Po. Dhe në këtë analizë, jeni të ftuar secili prej jush të japë mendime, të bëjë kritika për cilido, të bëjë propozime. Kam vetëm dy kërkesa. Jo gjah shtrigash. Ne nuk bëhemi në asnjë rrethanë parti e gjahut të shtrigave, por japim përgjegjësinë me fakte, me argumente secilit. Ku i patëm dobësitë tona, çfarë duhet të përmirësojmë, çfarë duhet të ndryshojmë? Ne nuk duhet të kemi frikë të bëjmë të gjitha sugjerimet, të gjitha propozimet. Jo. Çfarë të përmirësojmë. Dy momente duhet të ketë secili prej nesh’, tha ai.
Berisha vijoi me retorikën se me kryeministrin Edi Rama s’mund të ketë zgjedhje. Ai u shpreh se vendi ndodhet përballë një regjimi që ka shkretuar Shqipërinë si asnjë pushtim tjetër. Berisha tha se për të marrë pushtetin, u arrestuan në vit elektoral edhe dy liderët e dy partive opozitare.
'Edi Rama i grabiti zgjedhjet. Imagjinoni për një moment, do flas vetëm gjërat kryesore të raportit, jo ato tonat, fare. Organizoi, thotë raportoi ndërkombëtar, në periudhën e ndaluar e ligj, 4533 aktivitete. Të gjitha për të ndikuar votën e qytetarëve. Vetëm e vetëm se si ta bësh më të mirë, t’i bësh makijazh qeverisë dhe vetes. Kombëtare dhe ndërkombëtare. E ndaluar me ligj. Shkeli ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar 4533 herë.
Dy gjëra besoj se i mbani mend nga unë dhe duhet t’i mbani. Në mënyrën më të përsëritur u kam deklaruar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. E kam thënë këtë me qindra herë. E kam thënë këtë sepse kam kuptuar ai, i inkriminuar rëndë, nuk lë ligj pa thyer, nuk lë akt pa kryer në mënyrë që të marrë zgjedhjet, të mos dorëzojë pushtetin. Jo. Ai pikërisht për këto arrestoi në vit elektoral liderët e dy partive kryesore opozitare dhe të tretin e vuri në ndjekje penale’, tha ai.
Berisha komentoi edhe arrestimin rektores së Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, e cila sipas tij do të vinte nesër në Tiranë.
‘Ajo zonja që u arrestua dhe unë e përgëzoj, ajo nesër do ishte në Tiranë. Edi Rama i kishte bërë programin që t’i merrte deklarata asaj, por për fat të mirë Eurojust ia dha deklaratat asaj që i meritonte’, tha ai.
Në përfundim, Berisha u bëri thirrje demokratëve që të përgatiten për betejën e radhës.
“Duhet të përgatisim partinë. Të bëjmë atë që bëri Nepali, Bangladeshi. Kemi arritur diçka,” tha ai.
Berisha ka mbajtur sot një tjetër formë foltoreje, duke takuar anëtarët e saj të Kryesisë nëpër degë, që nisi me ata të degës 9 në Tiranë.
Ky takim i Berishës që u iniciua për të bashkuar dhe dëgjuar demokratët, duket se është shoqëruar me një incident që tregoi një përplasje mes kryetares së PD në këtë degë, Eda Grimci, dhe një prej anëtarëve.
Në mbyllje të takimit, kur zëdhënësja e PD Florjana Gara iu drejtua sallës duke pyetur nëse kishe më pyetje, zotëria në fjalë ngriti dorën.
Grimci ndërkohë tha se s’ka pyetje dhe kërkoi që takimi të mbyllej.
“Florjana, po ti nuk më dëgjon mua po jo nuk duhet ta bësh ti atë gjë”, i drejtohet Grimci me zë të ulët Florjana Garos pasi kjo e fundit i dha fjalën anëtarit të Kryesisë.
Ndërsa Garo dhe Berisha i dhanë fjalën, demokrati tha se nuk punon mikrofonin, por Berisha e ftoi pranë mikrofonit të tij. Ky i fundit tregoi më pas përplasjen që kishte pasur me Kryetaren, duke e akuzuar se e ka sharë, e ka kërcënuar dhe se nuk ka bërë organizime në protestat që PD ka thirrur.
“Unë jam Halit Koleci, i përndjekur politik katër breza. Unë banoj në njësinë 9, që kur ka fillu PD kam qenë anëtar, me të gjitha funksionet asnjë punë asnjë gjë se kam marrë nga PD, as nuk e ka lyp. Këto zgjedhjet e fundit që ke stadiumi, Kryetarja foli por nuk tregoi se çfarë nuk kishte bërë, por foli për ato që kishte bërë. Ne kemi qenë te stadiumi, por nuk ka qenë thirrë asnjë, më ka thirr thënë hajde këtu, por nuk më kishte çu një mesazh a një ftesë. Unë kisha mbledh njerëzit, i kam me foto, i kam marrë nga Durrësi nga Kamza… unë nuk e kam dëgjuar por më ka futur një të shame… kjo është fëmija im. Unë se kam dëgjuar por ma ka thënë një shok. Ta kam thënë! Kemi qenë te rruga ‘Shpresa’, ke 8 Janari, s’kemi pas thirrje as organizim, më ka thirr një katunari im se ishte duke vdek nga gazi lotsjellës. Kam fotot. Tani vjen puna e zgjedhjeve, nuk tha sesa seksione janë shkrirë, nuk tha se ai që ka shkrirë seksionet ka kalu kryetar i grupseksioni. Nuk e tha këtë. Në zgjedhjet e fundit më thërret dhe më thotë do të shkosh kryetar komisione, po i them, nëse nuk ka njeri shkon. Do të çojmë te burgu, i thash mos më ço te burgu se kam fol 1 mijë të zezat për Edi Ramën dhe i ka çu dokumentet dhe i kam thënë me kë jam…. në ka kërcënuar në telefon, i kam çu në zyrë dhe më ka thënë dil përjashta. Për kartën e anëtarësisë nuk ma jepte deri sa shkova te Klevisi. Nëse ne do përçahemi me njëri-tjetrin atëherë nuk kemi për të fituar”, tha ai.
“Të garantoj që ka vlerësim maksimal për punën tënde, e vlerësoj shqetësimet që shprehe”, tha Berisha.

Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të jetë kundër listave të mbyllura në zgjedhje.
Ai tha se të gjitha partitë opozitare janë dakord që të mos pranojnë të garojnë me dy lista. Berisha shtoi se nëse do të refuzoheshin më 11 maj, kjo duhet të bëhej me një ujdi të plotë opozitare, në të kundërt PD nëse nuk do të hynte në zgjedhje, do të bënte vetëvrasje.
'Ne nuk pranojmë një sistem me lista të mbyllura, ne mund të mos e pranonim djhe në zgjedhjet që shkuan, por kjo do të kërkonte një ujdi të plotë opozitare. Nëse nuk do të binim dakord, ajo do ta kërcënonte PD, nëse nuk do të hynte në zgjedhje, bënte një vetëvrasje. Ai sistem, të parët kundër tij do jemi ne. Këtu diskutojmë si ti zgjedhim kandidaturat, ne përdorëm Primaret. Ishin vota juaj në listat e hapura, harrojeni se nuk do të jenë më në listat e tjera. Sic i përdorëm ne janë shumë të rralla, pra pa seleksionim, vendi që i ka bërë më herët se ne i ka me seleksionim', tha ai.

Sali Berisha ka nisur sot turin e takimeve në bazë, duke filluar nga Njësia 9 në kryeqytet.
Takimet që ai po i quan Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve po ndjekin Foltoren 2 përpara kryeministrisë, mirëpo ajo që po vihet re është braktisje e madhe nga demokratët.
Në takimin e sotëm në Tiranë, ajo që të binte në sy ishte salla bosh dhe një grusht i vogël njerëzish.
Përveçse në realitet, Berisha po braktiset edhe virtualisht, ndërkohë që takimin e sotëm kanë qenë vetëm 293 vetë që e kanë ndjekur më kohë reale.

Kreu i PD Sali Berisha nga takimi me bazën demokrate në njësinë 9, tha se PD duhet që të riorganizohet.
Ai tha se ndryshimi kërkon angazhimin e të gjithë demokratëve. Berisha kërkoi që fokusi të jetë në denoncimin e farsës elektorale.
'PD do të riorganizohet dhe ripërtëritet dhe për këtë kërkohet kontributi i secilit prej jush, sepse këtë se bëjë dot as unë i vetëm dhe as tjetri, po se bëri secili nga ne. Të gjithë duam të shohim njerëz të rinj në krahun tonë dhe duhet të shohim cilat vlera mund ti ofrojë unë PD. Secili duhet të thotë ca hapësire duhet që të krijoi unë më shumë. Në kushtet e diktaturës autoritare ne jemi në mision për ta rrëzuar këtë diktaturë dhe për këtë duhet kontributi i secilit prej jush. Keni bërë dhe po bëni sugjerime të çmuara që s’do të bien në veshë të shurdhër. Duhet të merremi me denoncimin e farsës elektorale. Kemi paraqitur krimin zgjedhor’, tha ai.
Komente












