Partia Demokratike ka nisur “analizën” e vonuar pas disfatës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kryedemokrati Sali Berisha, në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, justifikoi vonesën e analizës me argumentin se po pritej publikimi i raportit final të OSBE-ODIHR.
“Po bëheshin përpjekje për të ndryshuar raportin, nëse PD angazhohej në debatin e brendshëm, gjithçka i shkonte për interes Ramës. Nëse futemi në këtë proces, duhet të futemi me vendim që secili nga ne do të kontribut në afrimin e vlerave në PD. Kjo do ishte suksesi më i madh i analizës sonë”, tha Berisha.
Berisha nuk e ka në plan të mbajë përgjegjësi për tkurrjen e PD-së në vetëm 50 mandate. Ndonëse ka nisur analizën e humbjes, Berisha i jep fund dilemës, duke thënë se nuk largohet nga drejtimi i partisë, ndonëse statuti ia detyron pas humbjes, duke thënë se 11 maji ishte farsë. Demokratët i fton ta largojnë përmes votës së brendshme në parti.
“PD është një parti e cila përcakton fatin e drejtuesve të saj nëpërmjet votës. Në kushtet e një pluralizmi funksional nuk ka asnjë dyshim që humbja e zgjedhjeve është kriteri më i shëndoshë për dorëheqjen e atyre që drejtojnë. Por në kushtet farës dhe narkoshtetit, në kushtet kur zgjedhjet janë farsë, një akt i tillë do t’i shërbente diktatorit dhe atyre që shtypin pluralizmin, një akt i tillë nuk mund të ndodhë veçse me votën e demokratëve shqiptarë. Në kushtet e diktaturave autoritare largimi nga misioni bëhet vetëm përmes votës”, u shpreh Berisha.
Shqetësimin e ka të shtuar pas takimit të Salianjit me një grup të madh më të votuarish në primaret e PD
“Kandidatët e primareve në tërësi i kam takuar ose i kam telefonuar. Vetë Salianji ka qenë disa herë në këtë zyrë, Ilir Alimehmeti edhe më shpesh. Në këtë kontekst askush nuk është i përjashtuar në këtë parti. Po ka patur një problem serioz dhe ky problem ka qenë angazhimi ynë total në mbrojtjen e votës”, theksoi Berisha.
Protestat i ka në plan t’i shtrijë në të gjithë vendin, edhe pse në 2 protestat e para përballë Kryeministrisë iu bashkuan vetëm një grusht i vogël militantësh.
Sali Berisha i shpallur non grata nga SHBA, është “frymëzuar” nga mesazhi i Donald Trump për Ditën e Pavarësisë, ku uroi shqiptarët. Berisha thotë se u inkurajua që të shpëtojë shqiptarët nga regjimi i Ramës, duke thënë se Trump kishte nënvizuar në mesazh luftën ndaj organizatave kriminale.
“Lidhjet e Edi Ramës me kartelet e drogës, tashmë janë të padiskutueshme. Ata të cilët presidenti Trump i ka cilësuar si organizata terroriste si Sinaloa e Meksikës, kanë qenë të pranishëm në takime me Edi Ramën, kanë përfituar licenca kazinosh dhe hotelesh. Mendoj se mesazhi i urimit të sekretarit Rubio dhe të presidenti Trump, prek apo trajton problemin më themelor që kemi sot ne si komb apo si vend, drogën, krimin dhe luftën kundër tyre. Kjo përbën një inkurajim në përpjekjen tonë të madhe për të shpëtuar shqiptarët nga ky regjim i bazuar në drogën dhe krimin”, tha Berisha.
Sali Berisha pretendon se anëtarja e PD, Anila Aliaj nuk është përjashtuar nga partia pas sherrit me Flamur Nokën. Ishte vetë ajo që në një postim në rrjetet sociale tha se u përjashtua, por Berisha pretendon të kundërtën duke thënë se PD është një parti e hapur.
“Ajo zonja që foli me Nokën nuk është larguar nga partia, askush nuk mund të largojë asnjë anëtar apo simpatizant se i tha këto Berishës apo Nokës. Kjo nuk ekziston në këtë parti, zonja nuk mund të përjashtohet nga partia. Në rastin ekstrem se ndodhi, ta supozojmë, zonja ka rrugën të hapur për ankesën ndaj padrejtësisë që mund të pretendojë se i është bërë. Ajo zgjodhi mediat, bëri një zgjedhje të saj, por në dijeninë time ajo nuk është përjashtuar, nuk ka asnjë vendim të asnjë forumi. Ne jemi PD e mendimit të lirë”, u shpreh kreu i PD.
Kreu i PD Sali Berisha ka folur në lidhje me takimin e mbajtur nga Ervin Salinji me më të votuarit në procesin e Primareve. Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se askush nuk ka qenë i përjashtuar nga partia, por u justifikua për humbjen duke thënë se Rama i vodhi zgjedhjet.
“Kandidatët e primareve në tërësi i kam takuar ose telefonuar. Salianji ka qenë disa herë në këtë zyrë, Alimehmeti edhe më shpesh. Askush nuk është i përjashtuar, ka patur një problem serioz dhe ky problem ka qenë angazhimi ynë total në mbrojtjen e votës. Në rast se ju rikujtoni deklaratat e mia. Kanë qenë dy: me Ramën zgjedhje nuk ka dhe kjo është përsëritur jo njëherë, por dhjetëra hera. Unë e di se në rast se një kryeministër vendos të mos zhvillojë zgjedhje por farsë, opozita nuk fiton kurrë. I ka të gjithë mjete, siç thotë ODIHR, për të rrëmbyer votën. Rama është i tillë dhe unë këtë e kam denoncuar me dhjetëra herë. Zotimi tjetër ka qenë që do mbroj votën. Pra, do bëj gjithçka për të vërtetuar se ishin zgjedhje apo farsë, votë e lirë apo e rrëmbyer. Zgjedhjet që zhvillohen në kushtet e partisë shtet, nuk janë kurrë të lira veçse farsë elektorale”, tha Berisha.
Kreu i PD, Sali Berisha mori edhe njëherë në mbrojtje GJKKO për vendimin për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si zv.kryeministre. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e mbron Ballukun, duke e ankimuar vendimin në Kushtetuese, pasi vetë ai është bashkautor në vjedhje.
“Super skandali Rama Balluku ka marrë përmasa të papara. Për herë të parë në historinë e Europës, një kryeministër, padit Gjykatën që pezulloi nga detyra zv.kryeministren hajdute. Rama u tha shqiptarëve se pezullimi s’ka ndodh ndonjëherë në Europë. Pezullimi nuk është i shpeshtë në Europë, sepse në Europë sapo ngrihet një akuzë, i akuzuari jep dorëheqjen. Në Shqipëri, jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por merr edhe mbështetjen e kryeministrit për të paditur në Kushtetuese. Në gjykatë nuk shkoi Balluku, e pezulluara, por Edi Rama. Për shkak të problemit madhor të vet, se ai është bashkautor në këto vjedhje. Është ai që dërgoi Ballukun në Ankara dhe takoi kompanitë turke që morën 50 mln euro më shumë për Tunelin, se sa kompania që de facto ndërtoi tunelin”, tha Berisha.
Komente













Berisha eshte kandidat optimal per ne Krye te PD! Berisha me 7 Mars 2026 duhet te shpalose kandidatet per kryetar bashkie per 2027 , ne Vore Salianji ne Kamez Belindi e keshtu ne cdo qark apo bashki dhe keshtu nis fushaten 1 vjecare !
Përgjigju