Abedin Dino në penën e Niko Stylos

Abedin Dino në penën e Niko Stylos
Niko Stylos është bërë aktualisht autori më i mirënjohur në fushën e shkencave albanologjike, veçanërisht me shkrimin e shqipes së lashtë, pellazgjishtes, që nga antikiteti i hershëm, me librat: “Historia e shenjtë e Arvanitëve” (Prishtinë, 2004) dhe “Etruskishte-Toskërishte” (Tiranë, 2010), si dhe me botimin kritik filologjik të “Fjalori i Marko Boçarit” (Tiranë, 2007), “Fjalori Katërgjuhësh i Daniil Voskopojarit “ (Tiranë, 2011) dhe “Fjalori Greqisht-Shqip i Panajot Kupitorit” (Tiranë, 2011). Ndihmesa intelektuale dhe artistike e Niko Stylos na ka ardhur këndshëm edhe përmes dy vëllimeve me poezi në shqip dhe greqisht “Duke farkëtuar thika” (Mulheim, 1978, Tiranë, 2011).

Kësaj serie me libra të një rëndësie të veçantë për shkencën dhe letërsinë shqiptare, i shtohet së fundmi edhe biografia: “Prevezani Abedin Pasha Dino, poezitë e tij dhe Dinot e tjerë”. Kjo monografi, e botuar në mes të këtij viti në greqisht dhe tani në shqip, siç duket qartë nga titulli i saj, sjell një kontribut të jashtëzakonshëm për njohjen e gjithanshme të figurës madhore, poliedrike të një nga personaliteteve më të shquar të kombit shqiptar gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Për ndriçimin e kësaj figure, autorit i është dashur të bëjë studime në biblioteka e arkiva, të sigurojë materiale dokumentare dhe bibliografike, duke sakrifikuar dhe shpenzuar shumë kohë e duke kapërcyer mjaftë vështirësi objektive e subjektive, qe paraqesin bibliotekat dhe arkivat e Greqisë së sotme. E veçanta e kësaj vepre është se mbështetet kryesisht në literaturën e shkruar në greqisht, që për studiuesit e tjerë ka qenë e pamundur të përdoret.

Por autori nuk është mjaftuar vetëm me këtë, ai ka përdorur edhe burime të tjera si nga italishtja, gjermanishtja, turqishtja e natyrisht edhe nga shqipja. Autori është përpjekur që të dhënat nga burime të ndryshme t’i shohë me sy kritik për të dalë me argumente sa më realiste e sa më të vërteta. Nga kjo pikëpamje kjo monografi është një vepër shkencore e mirëfilltë jo vetëm për figurën e Abedin Dinos por edhe për Dinot e tjerë të shumtë, për rolin e tyre në historinë e kombit shqiptar, të luftërave për liri, në politikë, diplomaci, ekonomi, art, letërsi, shkencë, kulturë etj.
 
Libri është strukturuar në dy pjesë, në mënyrë të tillë që lexuesi ta ketë të lehtë njohjen me jetën dhe veprën e Abedin Dinos si dhe të paraardhësve dhe pasardhësve të tij. Në pjesën e parë, për herë të parë në këtë libër, vjen vëllimi i plotë i tij “Poezi” (Kostandinopol, 1888; Rodos, 1894) botuar paralelisht në greqisht (origjinal) dhe i përkthyer në shqip nga poeti i mirënjohur Iliaz Bobaj.
 
Në vijim, në pjesën e dytë jepet historia e paraardhësve të tij, ku spikat figura historike e Ahmet Dinos, të atit të Abedinit, roli i tij në kryengritjen kundër Tanzimatit, bashkëpunimi me figura të tjera të historisë së luftërave për liri dhe drejtësi shoqërore, etj. Nëpërmjet këtij kapitulli të parë të pjesës së dytë, njihemi me një pjesë shumë interesante dhe të pandriçuar sa duhet më parë, të historisë se kombit shqiptar në trevat jugore të Shqipërisë, në Çamëri e rreth saj, për t’u çliruar nga zgjedha perandorake. Këtu na shpalosen bashkëpunimi ndërkrahinor, përpjekjet, luftimet dhe sakrificat e mëdha të udhëheqësve popullorë si Ahmet Dino me shokë.
 
Po këtu përshkruhet edhe jeta dhe veprimtaria e vëllezërve të tij të angazhuar në rrjedhat e epokës .
 
Në kapitullin e fundit të pjesës së dytë na jepet jeta dhe veprat e djemve dhe vajzave të Abedinit si dhe e nipërve dhe të mbesave të tij. Si në gjithë librin edhe në këtë pjesë njihemi me një mori të dhënash informative dhe analitike për veprimtarinë e tyre atdhetare e diplomatike, përkushtimin profesional, talentet e spikatura sidomos në fushat e pikturës, poezisë, aktrimit etj, lidhjet e tyre me figura të shquara të botës së politikës, diplomacisë, artit dhe letërsisë bashkëkohore, në një shtrirje gjeografike nga Adanaja e Stambolli deri në Athinë, Paris, Romë, Madrid e deri në Moskë e Leningrad. Kudo, pinjollët e Familjes Dino, reflektuan dhe përçuan nivelin e lartë të talentit dhe gjenisë së tyre krijuese, shpirtin humanist, gatishmërinë për të bashkëpunuar si dhe ndjenjën e altruizmit. Të gjitha këto fakte Niko Stylos na i sjell me një kujdes e dashuri të spikatur për objektin e shkrimit të tij duke i ilustruar me burime të mbështetura në dokumente, libra, gazeta, revista etj.
 
Karakteristikë e stilit të Nikos është informacioni i pasur e i larmishëm dhe rrjedhshmëria e shprehjes.
 
Siç u përmend më pare, në këtë libër një vend të veçantë zë vepra letrare e Abedin Dinos, vëllimi poetik “Poezi”. Duke njohur në mënyrë të përsosur greqishten letrare, katharevusa, ai shkroi shumë poezi, që i botoi në gazeta e revista të ndryshme në këtë gjuhë.
 
Të gjithë krerët e hershëm intelektualë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare veprat e tyre të para i shkruan në gjuhë të huaja. Kështu Hasan Tahsini shkroi në turqisht, Pashko Vasa në frëngjisht dhe italisht, Naim Frashëri në persisht, turqish dhe greqisht, Sami Frashëri në turqisht etj. Kjo dukuri erdhi për disa arsye. Në radhë të pare, sepse shqipja në fazën e parë të Rilindjes nuk ishte një gjuhë e lëvruar shkrimi dhe nuk lejohej botimi në këtë gjuhë. Në radhë të dytë, në vendin ku jetonin dhe punonin rilindasit tanë, mungonte lexuesi shqipfolës, por edhe atje ku ishte i pranishëm, ishte analfabet.
 
Megjithatë arsyet pse shkruhet poezia janë të natyrave të ndryshme dhe shumë të komplikuara. Përveç talentit, që është parësor, Abedini kishte një botë të madhe shpirtërore, një formim kulturor të gjithanshëm si dhe duke qenë njeri shumë aktiv, të gjitha këto gjendje do t’i reflektonte edhe në poezi, siç ka rastin t’i shijojë lexuesi i pasionuar. Kjo është arsyeja që poezia e tij është kaq e ndjeshme, kaq figurative, e pasur me imazhe prekëse, me ndjenja te holla e të larmishme, me një ritmikë e melodikë që të mahnit për kohën kur është shkruar. Lidhur me këto Niko Stylos ka meritën se na sjell një begati të dhënash nga reagimet e shtypit dhe të personaliteteve të artit të asaj epoke, të panjohura deri tani.
 
Këtu vlen të përmendet dhe të përshëndetet puna e talentuar e përkthyesit dhe shqipëruesit Iliaz Bobaj, të cilit i është dashur të kapërcejë vështirësitë e gjuhës së origjinalit, katharevusës, të përdorur para gati një shekulli e gjysëm. Ai ja ka dalë mbanë me sukses të na sjellë tingëllimin e vargjeve dhe të shpirtit të Abedinit në shqipen tonë letrare, të bukur dhe elegante .
 
Në tërësinë e saj, monografia e Niko Stylos është një gjenealogji e një nga familjeve më të mëdha të kombit shqiptar, e Familjes Dino, në një shtrirje kohore gati treqindvjeçare, me gjithë kontributin e saj të jashtëzakonshëm atdhetar e kulturor, e shkruar me origjinalitet të spikatur dhe vërtetësinë e merituar.
 
 
Redaksia online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje