STUDIMI
Është realizuar nga Margaret Eichleay, The RESPOND Project/FHI, Arian Boci, konsulent i pavarur, dhe Hannah Searing, The RESPOND Project/EngenderHealth. "Ashtu si në shumë vende të Evropës Lindore dhe Euroazisë, Shiqpëria ka nivel shumë të lartë të abortit dhe përdorim tepër të ulët të metodave bashkëkohore të planifikimit familjar. Në vitin 2008, përqindja e abortit ishte 230 aborte për 1.000 lindje të gjalla; krahasuar me përqindjen mesatare të Evropës e cila ishte 28 për 1.000 lindje të gjalla. Megjithëse 69% e grave të martuara në Shqipëri raportojnë përdorimin e planifikimit familjar, shumica e tyre përdorin tërheqjen (58%), dhe vetëm 11 % e tyre përdorin një metodë kontraceptive bashkëkohore. Studimet e mëparshme kanë treguar që gratë shqiptare kanë frikë nga efektet anësore mbi përdorimin e metodave bashkëkohore kontraceptive", -citohet në draftin e këtij studimi. Sipas tyre, keqkuptimet që hormonet shkaktojnë kancer apo sterilitet janë nga më të zakonshmet tek gratë shqiptare, keqinformacione të cilat shpesh mbështeten dhe nga disa ofrues shërbimesh shëndetësore. Meg¬jithëse programet e planifikimit familjar kanë tentuar të adresojnë arsyet sjellore mbi përdorimin e ulët të kontraceptivëve bashkëkohor, të dhënat jo zyrtare sugjerojnë që pagesat që klientët kryejnë për kujdesin shëndetësor mund të ndikojnë ofrimin e shërbimeve të planifikimit familjar.
PAGESAT
Në sektorin publik, shërbimi i planifikimit familjar ofrohet falas, por procedurat për abort vullnetar kanë një tarifë prej 6.000 Lekë (~ 54 Dollarë). Zyra e Evropës dhe Euroazisë së Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i kërkoi "The RESPOND Project" të investigonte arsyet mbi nivelin e ulët të përdorimit të metodave bashkëkohore kontraceptive tek gratë që kryejnë abort në Tiranë, si dhe rolin që faktorët financiar luajnë mbi këtë përdorim. Për këtë studim përshkrues, u intervistuan klientët që merrnin shërbimet e abortit dhe mjekët obstetër-gjinekolog të cilët kryenin abort. Instituti i Studimeve të Opinionit Publik (ISOP) mblodhi të dhënat nga 112 klientë dhe 65 mjekë në dy maternitete publike dhe dy klinika private në periudhën Maj - Qershor 2012. nga studimi doli se shumë pak nga gratë që kryen abortin në sektorin publik nuk kishin paguar për këto shërbime (15%). Midis atyre që paguan për këtë shërbim, mesatarja e pagesës ishte rreth 6.159 lekë (US $55).
Kjo pagesë është pak më e lartë se tarifa zyrtare (6.000 lekë). Rreth 38% e grave të cilat kërkuan kujdes shëndetësor në sektorin publik, kishin kryer disa pagesa informale për shërbimin e abortit. Mesatarja e pagesës së klientëve për një ekografi në sektorin publik ishte 1.000 lekë (US $9). Në rast se një klient vendos një DIU dhe për çdo vizitë pasuese (~2.5 vizita) kryen dhe ekografi, atëherë do të kishim një kosto shtesë prej 2.500 lekë. Po ashtu studimi nxorri në pah se analizat e rekomanduara dhe vizitat pasuese, për pacientët që vendosin një metodë kontraceptive, mund të rrisin koston e tyre. Kështu, më shumë se 70% e obstetër-gjinekologëve rekomandonin ekografi për klientët të cilët nisnin përdorimin e pilulave apo DIU-s (Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk i rekomandon këto praktika). Obstetër-gjinekologët pranojnë se zakonisht kërkojnë 2.3 vizita pasuese për gratë të cilat fillonin përdorimin e metodave kontraceptive bashkëkohore dhe rreth 2.5 vizita për gratë të cilat vendosnin përdorimin e DIU-s. OBSH rekomandon 1-2 vizita për gratë të cilat fillojnë përdorimin e pilulave dhe një vizitë pasuese për përdorueset e DIU-s. Si pasojë vpërdorimi i një metoda kontraceptive, rezultonte të jetë më i shtrenjtë se sa aborti.
(ad.ti/shqiptarja.com)
