TIRANE- Një 21-vjeçare që ka abortuar fëmijën e saj dhe divorcuar ish-të fejuarin me shpresën e një jetë më të mirë në Gjermani me të dashurin që kishte zënë në Shqipëri, është shndëruar në prostitutë e lokaleve të natës në Zvicër. E dëmtuara me inicialet D.B nga Skrapari, është njohur me shtetasin Shyqyri Stafuka, ky i fundit administrator i një lokali njëherësh hoteli në mbikalimin e Kamzës. Stafuka, është njohur me shtetasen 21-vjeçare në ambientet e lokalit ku punonte dhe motra e të dëmtuarës.

Ai e ka propozuar për martesë duke i premtuar të largoheshin jashtë shtetit në Gjermani, për një jetë më të mirë. Mirëpo 21-vjeçaria e ka refuzuar për shkak se ishte dy muaj shtatzanë dhe me të fejuarin e saj. Pas kësaj, Shyqyri Stafuka ka këmbëngulur duke i kërkuar të divorcohej dhe të kryente abortin pranë një klinike private në Laprakë, dhe se të gjitha faturat financiare do i paguante Stafuka. Pas bindjes së 21-vjeçares ajo ka abortuar dhe pa kaluar shumë ditë është nisur me Shyqyri Stafukën në drejtim të Gjermanisë, ku i priste vëllai i tij Bledar Stafuka.

Pikërisht në Gjermani B.D, i është kërkuar të ushtrojë prostitucion, por ajo ka refuzuar. Ndërkohë është përballur me dhunën fizike dhe psikologjike. Më pas Shyqyri Stafuka së bashku me të dëmtuarën kanë udhëtuar drejt Zvicrës ku e ka detyruar 21-vjeçaren të prostituojë në një lokal. Pas disa kohë prostitucion, e dëmtuara ka mundur të largohet dhe të kthehet në Shqipëri duke kallëzuar penalisht shtetasin Shyqyri dhe Bledar Stafuka si dhe shokun e tyre Emiljano Tarja. Të tre këta persona janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)