TIRANE- Arben Imami dhe Hysni Burgaj, janë mbrojtur gjatë dëshmisë së tyre në prokurori, duke përdorur një vendimi të Këshillit të Ministrave të nxjerrë nga ish-qeveria Berisha, i cili autorizonte titullarët e ministrive të urdhëronin hapjen e tenderave për spotet publicitare.

Dy zyrtarët e lartë, njëri me funksionin e ish-ministrit të Mbrojtjes dhe tjetri ish-drejtues i Policisë së Shtetit janë shfajësuar para hetuesve se në mbështetje të VKM së miratuar nga qeveria, kanë nxjerrë urdhërin për ngritjen e komisionit prej 7 dhe 9 anëtarësh, me qëllim shqyrtimin e ofertave për krijimin dhe më pas transmetimin e spoteve publicitare si “Shqipëria pa viza në Europë”, “Shqipëria në NATO” dhe “Forcat e Armatosura të Shqipërisë”.

Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, dy zyrtarët e lartë i janë shmangur pyetjes së prokurorëve lidhur me koiçidencën e kompanive fituese të krijimit të këtyre spoteve, që është kompania “Promo Image” Sh.p.k, në pronësi të vëllait të Aleksandër Frangaj. Këto spote janë prodhuar dhe më pas transmetuar në disa televizione gjatë vitit 2010.

Vendimi i ministrave
Vendimi i Këshillit të Ministrave që Arben Imami dhe Hysni Burgaj kanë përdorur si kartë mbrojtëse është ajo me nr. Nr.1195,datë 05/08/2008 “Për blerjen zhvillim, prodhimin dhe bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për transmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në median e shkruar dhe për kontrata, për kohë transmetimi, nga organet e Administratës Shtetërore”. Pikërisht nëpërmjet kësaj VKM janë nxjerrë dy urdhërat për ngritjen e komisionit të tenderimit ku vetëm për spotet e Policisë së Shtetit janë paguar plot 3.1 milion dollarë ndërsa për rastin e spoteve të ministrisë së Mbrojtjes janë shpenzuar plot 1.2 milion euro.

Për këtë të fundit ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli paditi pranë prokurorisë së kryeqytetit ish-ministrin Arben Imami, ish-këshilltarin për median Mentor Beqa, ish-nëndrejtorin e Qendrës së Kulturës dhe Botimeve të Mbrojtjes Sokol Nezirajn, Nilka Sina, shefe e logjistikës e QKMB si dhe Shkëlqim Berisha, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse.

Në dorë të Llallës
Pas dhënies së deklarimeve të ish-kreut të lartë të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, tashmë prokuroria do verifikojë me imtësi thëniet e tyre me realitetit që tregojnë dokumentat e sekuestruara. Mësohet se në ditët në vijim të dyja dosjet do të tërhiqen në Prokurorinë e Përgjithshme ku do analizohet nga kryeprokurori Adriatik Llalla, për të vendosur më pas drejtimin e këtij hetimi të nisur ndaj dy ish-funksionarë të lartë shtetërore.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)