U gjobit nga Autoriteti Konkurencës me 46 milion lekë gjobë, e cila u la në fuqi edhe nga gjykata administrative, kompania “EKMA” kërkon në apel shfuqizimin e saj.
Report Tv ka mësuar se seanca për kundërshtimin e vendimit të shkallës së parë administrative do të mbahet të martën në mesditë me gjyqtare Aleklina Gazidede.
Më datë 19 shkurt gjykata administrative vendosi të rrëzojë padinë e EKMA-s kompanisë që administron tregun agro-ushqimorë në periferi të Tiranës duke lënë në fuqi gjobën për shkelje të rregullave të konkurrencës.
Me argumentin se “EKMA” abuzonte me tregtarët qira-marrës duke shfrytëzuar pozitën dominuese në treg si e vetmja kompani që ofronte këtë shërbim autoriteti konkurencës e gjobiti EKMA.
Vendimi për lënien në fuqi të gjobës u dha nga gjyqtari Avni Sejdi i cili më parë kishte pezulluar ekzekutimin e kësaj gjobe duke pranuar sigurimin e padisë kërkuar nga EKMA. Ky është tregu i vetëm i shumicës për produktet Agro-Ushqimore në Tiranë ndërsa u ndërtua pas mbylljes së tregut Dinamo.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës që ka denoncuar abuzimet, tregtarët për këto ambiente paguajnë një qira 74% më të lartë se bizneset e tjera të zonës, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e çmimeve të produkteve Agro-Ushqimore për qytetarët.
Çmimet i mundësojnë shoqërisë EKMA Albania sh.p.k një normë fitimi shumë të lartë prej 76.1% ku e përkthyer në vlerë monetare do të thotë se kap shifrën prej 380 milionë lekësh të reja vetëm për vitin 2017.