Ja pse u shkarkua gjyqtari Avni Sejdi! Vendosi pro gruas së Gjin Gjonit për dyqanet “Duty Free” të Rinasit! Pezulloi gjobën 46 mln lekë Klodian Allajbeut

Ja pse u shkarkua gjyqtari Avni Sejdi! Vendosi pro gruas së Gjin Gjonit për dyqanet “Duty Free” të Rinasit! Pezulloi gjobën 46 mln lekë Klodian Allajbeut

Avni Sejdi

Skandali i “Duty Free’ në 2020, çështja e ‘tregut agro- ushqimor’ të 2019 kur vendosi pezullimin e gjobës 46 milionë lekë që Autoriteti i Konkurrencës i kishte vendosur kompanisë me administrator Klodian Allajbeun; apo cështja e ‘Varrezave të Sharrës’ janë disa nga dosjet të cilat vulosën shkarkimin e gjyqtarit Gjykatës Administrative të Tiranës Avni Sejdi. Vendimi u dha nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  më 19 janar 2024.

Të trija vendimet por dhe të tjera të këtij gjyqtari janë denoncuar nga shqiptarja.com ndër vite si vendime tepër të diskutueshme dhe pas të cilit fshiheshin ‘afera’. Dhe e vërteta vonon por nuk harron.

Skandali i ‘Duty Free” 2020?
Pasi humbën tenderin për menaxhimin e ambienteve Duty Free në aeroportin ‘Nënë Tereza’ si dhe në kushtet kur kontrata me TIA-n i mbaronte në 27 gusht 2019 Elona Çaushi bashkëshortja e Gjin Gjonit në atë kohë gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, (i dorëhequr për të mos iu nënshtruar vetingut) ndërmori dy beteja paralele në gjykata për të mbajtur me çdo kusht këto hapësira.

Një tek Aministrativja për licencën dhe një tek Gjykata e Tiranës për zgjatjen e kontratës me TIA, jashtë vullnetit të saj.

Një në gjykatën e Tiranës ku falë gjyqtares Mimoza Kajo Brahimi , gruaja e Gjin Gjonit, arriti të siguronte më 7 gusht 2020 vendimin për të vijuar aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit, deri në zgjidhjen përfundimtare të padisë. Gjatë verifikimit më pas nga Ministria e Financave, rezultoi që kompania e kishte gënjyer mbi disa informacione dhe në datë 30 shtator 2020 ia anuloi licencën.

Më pas në lojë hyri Avni Sejdi, gjyqtari pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, I cili 11 shkurtit 2020 shfuqizon vendimin e Ministrisë së Financave për anulimin e aktivitetit të kompanisë “Albanian Duty Free Development”. Me këtë vendim çifti Gjoni vijoi kontrollin e dyqaneve pa taksa në Rinas, edhe pse për këto dyqane tenderin e kishte fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e cila kishte lidhur edhe një kontratë me TIA që në korrik të 2019.

Atëherë vendimi shkaktoi reagimin e ashpër të ambasadës amerikane e cila shprehu zhgënjimin. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço e konsideroi një mesazh negativ për investitorët. Dhe vendimi u bë objekt i dy raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Çfarë thotë KPK 4 vite më pas?
Trupa gjyqësore e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Suela Zhegun në vendimin e zbardhur shkruajnë se gjyqtari në vendimin për ‘Dute Free’ ‘nuk ka analizuar provat e depozituara nga palët në gjykim dhe ka shfaqur qëndrime kontradiktore në të njëjtin vendim.

KPK konstaton se në vendim Sejdi kishte konstatuar se “kemi të bëjmë me një akt administrativ të dhënë në kundërshtim me ligjin”. Pra se vendimi i ministrisë së Financave që kompania e Albanian Duty Free Development” të menaxhonte ambientet e aeroportit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin.  Madje vetë gjyqtari në vendim argumenton se do të duhej të ishte vendosur revokimi i aktit, por ‘ndërkohë ka shfuqizuar vendimin nëpërmjet të cilit është anuluar ky akt” argumenton trupa gjykuese e KPK. 

Gjithashtu  gjyqtari Avni Sejdi nuk ka analizuar provat e depozituara nga palët në këtë gjykim.

Skandali me tregun agro-ushqimor të Tiranës 2019
Tjetër vendimi i diskutueshëm që i shkaktoi shkarkimin Sejdit është dhe dosja e skandalit të abuzimit ndaj tregtarëve në tregun Agro Ushqimor të Tiranës. 10 janar 2019 gjyqtari Sejdi me një vendim të dytë brenda dy javëve urdhëroi pezullimin e gjobës 46 milionë lekë që Autoriteti i Konkurrencës i kishte vendosur kompanisë EKMA Albania, me administrator Klodian Allajbeun pronar i spitalit amerikan. Në këtë mënyrë lejoi vijimin e abuzimit me qiranë dyfish ndaj tregtarëve si dhe me dyfishimin që i bën atëherë çmimit të ujit dhe energjisë. Nga abuzimet krijohej fitime 3.8 miliardë leke në vit. Vendimi i gjyqtarit Sejdi u hodh poshtë më pas nga Gjykata e Apelit më 18 qershor 2019.

Pesë vjet më pas, kur KPK merr në shqyrtim vendimin argumenton se  gjyqtari duhej të vendoste revokimin ose ndryshimin e vendimit për sigurimin e padisë dhe jo ta konsideronte kërkesën e paraqitur nga paditësi si kërkesë të re, duke vendosur pranimin e saj. ‘Vendimi i datës 10.1.2019 është i paargumentuar,’ si dhe se gjyqtari ‘në marrjen e këtij vendimi nuk është bazuar në provat e administruara gjatë procesit gjyqësor” thuhet në vendim e KPK.

Skandali me 'Varrezat e Sharres'
Tjetër vendim është ai i 16 qershorit 2022 dhënë po nga ky gjyqtar i cili vendosi të pranojë kërkesën e ndërtuesit Ramazan Muçalla për sigurim padie dhe pezullimin e vendimit të IMT-së së Tiranës për ti shembur një ndërtesë pa leje brenda varrezave duke pezulluar në atë kohë projektin e bashkisë Tiranë për zgjerimin e varrezave të Sharrës.

Paratë
KPK ka konstatuar dhe të ardhura të cilat nuk justifikonin aktivitetin e tij. Nga analiza financiare rezulton se gjyqtari dhe personat e lidhur me të kanë një pamundësi financiare në vlerën 3,672,474.61 lekë. Gjithashtu një tjetër detaj është fakti se gjyqtari Avni Sejdi nuk ka qenë plotësisht bashkëpunues në procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij.

Ku fle lepuri?

Kur të lexoni vendimin e zbardhur do të shikoni ku fle lepuri,” tha gjyqtari Avni Sejdi në sallën e gjyqit, ku ishin të pranishëm edhe tre përfaqësues të Ambasadës Amerikane ditën kur gjyqtari Avni Sejdi mori vendimin - që bashkëshortja e ish gjyqtarit Gjin Gjoni të vijonte të menaxhonte dyqanet ‘Duty Free’ në aeroportin ‘Nënë Tereza’ duke bllokuar fillimin e aktivitetit për kompaninë amerikane “International Cruise Duty Free”, ICDF’.

Katër vite më pas u vërtetua se ky vendim ishin në kundërshtim me ligjin.

E ndërsa vetingu bëri detyrën duke shkarkuar Avni Sejdin nga detyra e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Tiranës, për mangësi në aspektin e arsyetimit ligjor dhe aspektin e njohurive ligjore, që tregojnë mungesë të aftësive profesionale të tij. I takon SPAK të hetojë të tjerat. ‘Ku fle lepuri pas këtyre vendimeve’ 

Avni Sejdi e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si ndihmësgjyqtar në vitin 1996 dhe në 2000-in u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Mirditës. Në vitin 2007, Sejdi u transferua në Gjykatën e Pukës dhe prej vitit 2013 deri në 2024 ushtroi funksionin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:42
‘Ordinere! Do ta ngrij buzëqeshjen! 20 mijë euro soba!’ Fjalori banal dhe kërcënues i gjyqtarit Avni Sejdi në sallën e gjyqit

Foto: Avni Sejdi

Nuk mjafton
Për Avni Sejdi janë administruar 29 denoncime të paraqitura pranë Komisionit për të cilat për 9 i ka kaluar barra e provës gjyqtarit.

Në vendimin e shkarkimit të KPK evidentohen se gjyqtari Avni Sejdi ka mangësi profesionale, ka marrë vendime në konflikt interesi, ka mangësi në arsyetim ligjor, mangësi në aspektin e njohurive ligjore, nuk trajtonte plotësisht paditë gjyqësore, zvarrit çështjet, nuk argumentonte vendimet.

‘Ordiner’
Gjatë shqyrtimit të dosjeve KPK ka dëgjuar disa CD me regjistrimet e një séance gjyqësore ku gjyqtari Avni Sejdi ofendon dhe kërcënonte palët në gjyq. Bëhet fjalë për një ankesë në KLD më 23 shkurt 2021 për të cilën janë zbardhur CD me regjistrim te seances ku gjyqtari i drejtohet bashëkortes së ankuesit me termin ‘ordinere’ apo dhe me kërcënime ndaj këtij të fundit.

 “Në CD-në me regjistrim, në një moment kur bashkëshortja e shtetasit J.M i ka ndërhyrë gjyqtari Avni Sejdi, në bisedë, ky i fundit është drejtuar nga ajo me gishtin tregues lart dhe i ka thënë: “A do e mbyllësh atë gojë ti, ti ishe ordinere fare!”.

Nga CD-ja me regjistrime, të dërguar nga ankuesi, vërtetohet pretendimi i ankuesit, ku gjyqtari Avni Sejdi, pas ndërhyrjes së shtetasit J.M se “nuk kam frikë nga ty etj.”, ka thënë: “Ta ngrij buzëqeshjen... në qoftë se do me jetu në këtë banesë, thirri mendjes, nuk është vonë!”.

Nga CD-ja me regjistrime të dërguar nga ankuesi rezulton e vërtetë edhe shprehja e fundit: “Do të paguash 20.000 euro sobën...”.

Ordinere? Gjyqtari: Fjalë e rëndomtë
Për gjyqtarin këto fjalë nuk janë asnjë fyese dhe as kërcënese por një fjalë që përdoret rëndom në fjalorin shqiptar.

“Fjala ordinere është një fjalë që përdoret rëndom në fjalorin shqiptar dhe që lidhet me sjelljet jo të hijshme që bëhen nga shtetasit e ndryshëm, siç ishte në rastin konkret bashkëshortja e shtetasit J.M, ku fjalori i saj linte shumë për të dëshiruar, pasi ishte tepër banal që nuk i shkonte për shtat as një mashkulli. Po ashtu, fjala “në qoftë se do me jetu në këte banesë, thirri mendjes, nuk është vonë”, që nga Komisioni është vlerësuar si kërcënim, mua nuk më rezulton e tillë. Kjo fjalë është nxjerrë nga konteksti, ku ajo që kam dashur të them ka qenë se pavarësisht përpjekjeve të tij për të manipuluar gjërat, përfshirë këtu përmbaruesit gjyqësorë, madje edhe kolegë gjyqtarë, ku gjyqtari i çështjes arriti deri aty që në kundërshtim të hapur me ligjin të revokojë edhe masën e sigurimit të padisë, unë nuk do ta toleroja në sensin se unë do vazhdoja të ndiqja çështjen në rrugë ligjore dhe ai nuk do të kishte asnjë shans që konfliktin me mua ta zgjidhte duke më imponuar mua në këtë mënyrë... Po ashtu, edhe fjala “ta ngrij buzëqeshjen” ka qenë në të njëjtin kontekst sikurse fjalia “në qoftë se do me jetu në ketë banesë, thirri mendjes, nuk është vonë...”

Komisioni i ka vlerësuar jo bindëse deklarata e tij dhe se prej tij janë përdorur shprehje fyese dhe kërcënuese, duke cënuar indikatorin e etikës, pasi veprimtaria jashtëgjyqësore e magjistratit duhet të jetë në përputhje me detyrën e tij duke bërë kujdes të mos cenojë autoritetin e pushtetit gjyqësor” thuhet në vendim.

S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sapa: 02/03/2024 19:13

    Keta qelbesira nuk duhet te harrohen me gjithe pasardhesit e familjaret e tyre per cka i kane bere ketij populli!Kudo qe te gjinden femijet e tyre qofte edhe jashte vendit te demaskohen si pjelle e shemtuar e ketij kombi sepse po jetojne me gjakun e shqiptareve!

    Përgjigju
  • Eni: 02/03/2024 16:20

    Keni harru me permend dhe vendimin qe i pastroi figuren shtetasit ardian Nikulaj( te fortit te Shengjinit) me av. Fran Lleshit i cili ishte gati te vintr kandidaturen per Kryetar Bashkie por ja qe beri nje rruge ktej Sarajeva dhe ju ngri buzeshja.????

    Përgjigju
  • Iris: 02/03/2024 01:31

    /KU FLE LEPURI/?! Lepuri fle ne xhepin e ngrohte plot me para korrupsioni te z.Sejdi !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion