Kryetarja e Bashkisë së Shkodër, Voltana Ademi vazhdon të qëndrojë në detyrë edhe pse prej gati një viti i ka mbaruar mandati. Për emisionin "Pa Protokoll" në Report TV, Ademi tha se nuk dëshironte që kjo situatë të shkonte kështu pasi edhe pse puna vijon normalisht, situata është anormale kur bëhet fjalë për legjitimin e ligjvënësit apo këshillit vendor. Ademi tha se trupa vendimmarrëse mezi mblidhet dhe vendimmarrja bëhet edhe më e vështirë.

 "Jemi në një rast të veçantë dhe i paprecedentë nëse do ta shohim në nivelin vendor. Nuk e kam imagjinuar, nuk është një situatë normale të dëshirës që unë do të kisha për të ushtruar të drejtën e zgjedhjes. Kjo është mohuar në Shkodër dhe ato  që ka pasuar më pas kanë qenë dhe mbeten të rënda.  Në Shkodër funksionojmë sikurse ligji parashikon. Ligji ka parashikuar situata të tilla, që në momente kur një kryetar nuk e merr mandatin, ushtrimin e funksionit e kryen kryetari në detyrë.  Në vazhdojmë punën në Shkodër në mënyrë normale, por jemi në një situatë anormale kur bëhet fjalë për legjitimin e ligjvënësit apo këshillit vendor. Situata është paradoksale. Ne zgjedhje nuk kemi pasur, kemi pasur palo votime.  Është marrëdhënie shumë e vështirë. Trupa vendimmarrëse nuk përfaqëson, kanë marrë pjesë shumë pak qytetarë dhe legjitimiteti në këtë rast është shumë i dyshimtë. Situata nuk është  e lehtë, trupa mezi mblidhet, sidomos kohët e fundit.  Kjo pengon punën normale të bashkisë. Ekzekutivi ecën me projektvendime që konsultohen me qytetarët", shprehet Voltana Ademi.