HAWAI - Një 15 vjeçar ka udhëtuar për 5 orë e gjysmë nga San Jose të SHBA për në Hawaii, në rrotën e avionit. Video e sigurisë së aeroportit të Hawaii-t tregon momentin kur i riu zbret nga rrota, pasi avioni ka kryer uljen në pistë.

Në video mund të shihet adoleshenti i cili mezi arrin të mbajë ekuilibrin teksa ecën. Ai ulet për pak sekonda dhe më pas i drejtohet terminalit të aeroportit.

Para publikimit të videos, FBI kishte konfirmuar se Yahya Abdi ishte larguar pa leje nga shtëpia dhe hipi në hapësirën e rrotës së avionit të parë që pa në aeroport. Ai udhëtoi për më shumë se 5 orë në një lartësi prej më shumë se 10 kilometrash nga toka, ku dhe niveli i oksigjenit është më i ulët se normalja dhe temperature është shumë e ulët.

Fatmirësisht i riu arriti të shpëtojë gjallë. Abdi iu dorëzua autoriteteve të San Jose për t’u rikthyer në shtëpinë e tij. 15 vjeçari po mundohej të udhëtonte drejt të ëmës së tij, e cila ndodhet në një kamp refugjatësh në Etiopi. Kjo pasi babai i tij e kishte gënjyer duke i thënë se mamaja kishte vdekur.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)