Adrian Paci bashkon Marubin dhe
Idromenon në Muzeun Kombëtar
 

Adrian Paci bashkon Marubin dhe<br />Idromenon në Muzeun Kombëtar<br /> 
Artisti Adrian Paci do të çelë më 26 janar një ekspozitë të titulluar "Dy rrugët e Idromenos".

Personazh i çuditshëm, poliedrik dhe njëkohësisht i pashkollë, amator e mjeshtër i shumë fushave, përçues i kodeve të stabilizueme e novator, Kolë Idromeno do të imponohet si figura ma përfaqësuese e artit shqiptar të fundit të shekullit XIX dhe e fillimit të shekullit XX.

Kjo ekspozitë nuk merr përsipër të analizojë të gjithë spektrin e aktivitetit të Idromenos, por duke u nisë nga një zbulim i fundit në arkivën e Muzeut Marubi, vendos përballë një seri fotografike me pikturën e tij të mirënjohun Dy Rrugët.

Gjithashtu pjesë e kësaj ekspozite do të jenë edhe disa punime në pikture të paekspozuara më parë: Shën Pjetri e Shën Pali me katër ungjilltarët si dhe një tabllo që na paraqet mundimet e ferrit.

Në tabllonë Dy Rrugët narracioni asht i qartë sepse është i drejtëpërdrejtë. Po ashtu morali që rrjedh prej këtij “tregimi”. Piktura nuk na paraqitet me zona të errëta, ngarkesa dramatike, figuracione fantazmagorike e misterioze.

[gallery]20426[/gallery]
Rruga për në parajsë asht e mundimshme, e zhveshur, pa gjelbërim e pa karrema joshës. Kurse drejt derës së madhe të ferrit asht drejtue një vargan i madh njerëzish. Ky “proçesion” njerëzor duket sikur rrëshqet pa bujë dhe si pa e kuptuar, skenë mbas skene, përfundon tek një destinacion i tmerrshëm në gropen e thekshme të skëterrës.

Ma shumë se modelet e pikturës italiane tablloja të kujton disi skena të Hieronymus Bosch-it apo Peter Brueghel-it, ku figurat jane të zhytura në peizash  dhe nuk janë aspak volumet njerëzore ato që përcaktojnë dinamikat e mëdha kompozicionale të tabllosë.

Një dozë folklorizmi si dhe një ndjesi humori popullor i heq tabllosë së Idromenos hijen e rëndë dhe tingëllimën retorike, që mund të kishte trajtimi i një teme të kësaj natyre.
Krejt ndryshe na shfaqet grupi i fotografive që, me shumë gjasa, janë shkrepje që Kola i ka ba si parapërgatitje për një seri pikturash. Kronologjia nuk është e sigurtë, por periudha duhet të jetë ajo mes 1892-1894, kur mjeshtri shkodran ka punuar për tabllonë Dy Rrugët.

Prania e një pikture në ekspozitë, ku dy djaj i tërheqin me danë e i presin me gërshërë gjuhën një mëkatari, ndërsa ai digjet në flakët e ferrit, si dhe afërsia e saj me fotografinë që ekspozohet këtu, tregon se ka shumë mundësi që edhe fotot e tjera të kenë pasë si destinacion final një projekt pikturash.

I sigurtë është fakti se këto foto nuk janë përdorur për skenat e tabllosë Dy Rrugët.

Asnjë nga skenat që shohim në tabllonë e madhe, nuk ka lidhje të drejtëpërdrejtë me inskenimet e bame për realizimin e këtyne fotografive. Krahas imazheve ku vërejmë figura mashkullore në rolin e djajve të çakërdisun që lëshohen mbi viktimat e tyne, kemi edhe foto të tjera në poza ma të buta e të përshpirtshme, siç është fotoja e një burri të veshur si frat, i cili hap duert në shenj pranimi të vullnetit hyjnor, apo të një burri tjetër i cili duket se ka marrë rrugën e pendimit.

Ajo që të befason asht fakti se fotografitë na shfaqen ma shprehëse dhe ma befasuese se pikturat. Duket sikur në trajtimin e telajos, përpunimin e ngjyrës, ravijëzimin e anatomisë dhe deformimin e qëllimshëm të figurave, diçka asht bjerrë nga forca e imazhit.

Kurse në ndërtimin e imazhit fotografik, vizioni na vjen i drejtëpërdrejtë e me forcë të jashtëzakonshme. Skena e kompozuar në pozën fotografike dhe natyrshmënia realiste që sjellin me vete personazhet që Kolë Idromenoja i ka marrë prej rruge, i ka zhveshur, u ka dhanë egla në dorë dhe u ka thënë me u shtremnue e me u përdredhë sa të munden para objektivit të tij, kanë krijue një zonë takimi shpërthyese mes fiksionit dhe realitetit të pasun të personazheve.

Këtu Kolë Idromenoja nuk asht piktori i harmonive delikate të jetës qytetare. Ai na shfaqet si zbulues i një dramaticiteti të vrullshëm gati-gati teatral, por njëkohësisht, të mbushun me sens humori dhe njëfarë vendosmënie për ta shijue jetën tokësore. Plotëninë e ngërthimit të trupave dhe ritmit të gjymtyreve e shoqnon zbrazëtia e qetë e sfondit dhe fondalet që herëmbashere na shfaqen mbas personazheve.

Duke pa fotot e Kolë Idromenos, nuk ka sesi mos me na ardhë ndër mend skenat pazoliniane nga finalja e Salo, ose 120 ditët e Sodomës
.
Torturat mbi trupat e djemve dhe vajzave, me të cilat Pierpaolo Pasolini e mbyll filmin e vet, të kujtojnë drejtëpërsëdrejti skenat e fotografueme nga Idromeno.

Sigurisht që Pierpaolo Pasolini nuk u njoft kurr me fotot e Idromenos sonë, por pa rezerva shprehim bindjen se ato do ta kishin entuziasmue. Bashkimi i simetrive klasike ku një ritëm diagonalesh e horizontalesh ekuilibrohen në mënyrë të përsosun me vrazhdësinë e papritun të realitetit dhe pasuninë e shprehive, që personazhet munden me transmetue, janë pika të forta lidhjeje mes imazheve që shohim sot tek Idromenoja me poetiken pazoliniane, ku nuk mungojnë referimet klasike, por aktorët e kastit pazolinian sikurse modelet e Idromenos, mrekullisht janë njerëz të marrun nga rruga e të cilët sjellin bagazhin e identitetit të tyne ekzistencial ma shumë sesa aftësitë e një recitimi aktorial.

Këto lidhje të nëndheshme duket sikur vijnë para nesh për me dëshmue se arti ka kanalet e veta misterioze të ndërkomunikimit e artistat e çdo kohe nuk janë thjesht mjeshtra të një teknike të caktueme, por mbi të gjitha, janë ata që u japin formë vizioneve të domosdoshme, me të cilat ndeshen në rrugën e gjatë dhe të vetëdijshme të kërkimit të tyne".

Lejimi për ekspozimin e pikturës "Dy rrugët", pjesë e koleksionit të Muzeut Historik të qytetit, mundësohet nga bashkëpunimi me Bashkia Shkodër. Kjo ekspozitë mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre