A ka PD ende kapacitet të prodhojë elitë të re dhe kulturë të re politike? Nëse gjykojmë sipas “lëvizjes” më të fundit,  përgjigja nuk duket inkurajuese. Një parti që ka humbur rrënjët intelektuale dhe aftësinë për të përzgjedhur njerëz mbi bazë meritokracie, vështirë se mund të prodhojë “të rinj” politikë që të jenë vërtet alternativë.

Për fat të keq, kjo tani, nuk vlen vetëm për PD-në.

Salianji, i dënuar ligjërisht për mashtrim, është simboli i një gjenerate politike që nuk është e re në mendësi. Thjesht është më e re në moshë. E kemi parë mirë së fundmi që mosha nuk është aspak garanci për kulturë të re politike.

Të vjen për të qeshur e për të qarë kur lexon ‘doktorin e vogël’ që bashkë-udhëton me Salianjin të sqarojë me nxitim që nuk e kanë me ‘doktorin e madh’. Po me kë e kanë?

Këto janë modele të vjetra në versionin junior. Ajo që duhet kuptuar është se partitë që kanë qeverisur tri dekadat e fundit, e kanë mbyllur ciklin. Dikur këtë ma profetizonte Moikomi i ndjerë (e quante vdekja e bardhë). Qeshja. Por paska patur të drejtë.

Këto parti kanë lindur në atmosferën e kontrolluar të dhjetorit ’90, ku lëvizja studentore bashkëjetoi me regjinë politike të vonuar të Ramiz Alisë. Strukturat dhe reflekset e tyre burojnë nga një epokë që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e sotme. Janë ndërtuar që prej fillimit mbi logjikën e liderit dominant, jo mbi institucione partiake. Edhe PS që ishte disi ndryshe para Ramës, tani është një ulli i tharë, i djegur deri në rrënjë.

Ju ftoj t’i shihni sot nga një distancë higjenike partitë tona, të vjetra e të reja. E vini re që nuk prodhojnë platforma ideologjike, por vetëm ngjarje dhe reagime?

Ka gjithnjë e më pak arsye për të besuar se mund të reformohen realisht. PD qartazi nuk është më një organizatë politike e jetueshme. Është një instrument personal i Berishës, i cili po e tërheq drejt fundosjes me të njëjtin instinkt me të cilin një pronar ruan pasurinë private. Mënyra si merr vendime, si shpërthen konfliktet e brendshme, si përdor retorikën, gjithçka dëshmon një kulturë “familjare” më shumë sesa institucionale.

Në këtë realitet, përpjekjet si “lëvizja Salianji” janë shenja konsumimi, nuk janë shenja jete. Janë tentativat e fundit të një strukture që nuk kontrollon më as bazën, as idenë politike, as të ardhmen e saj. Pra, janë simptomë e krizës, jo zgjidhje e saj. Ato shfaqen, jo sepse partia ka hapësirë për inovacion, por sepse vakumi drejtues e toleron çdo aktor që kërkon protagonizëm

Po zgjidhja? Si është zgjidhja? Si ndërtohet një opozitë e re? Një opozitë e re absolutisht nuk ndërtohet duke rifreskuar fasadën e vjetër. As me figura që lëvizin brenda të njëjtit rreth vicioz. Nuk ka si të lindë nga grupimet që riprodhojnë kulturën politike të së shkuarës, nga këta që si fillim qetësojnë “kryetarët” që nuk kanë gjë me ta.

Një opozitë e re kërkon tre themele, pa të cilat çdo nismë mbetet imitim i së vjetrës.

Së pari, duhet një ide e re politike. Një vizion i ngjizur mbi realitetin e sotëm, mbi shtetin modern, ekonominë digjitale, liritë qytetare, rilidhjen e politikës me jetën reale të njerëzve. Shqipëria nuk ka më asnjë arsye të rikthehet te mitologjitë e viteve ’90, Enverin, ‘antikomunizmin’ bajat me krahasimet koreane apo traumat që sot nuk komunikojnë me asnjë brez.

Ajo ka nevojë për një narrativë që flet për vendin ashtu siç është sot: një vend nga i cili qytetari po largohet sepse nuk sheh të ardhme, ndërsa politika vijon të mbështetet mbi klane, fijet e vjetra të patronazheve dhe ‘ekonomi’ tenderaxhinjsh që ndërton pasuri për ca fodullë me gojë të madhe e mendje të vogël, por jo institucione.

Kjo e fundit është kaq e dukshme dhe vulgare. Siç thoshte në një shkrim Lorenc Vangjeli këta kanë veshur të gjithë atë bluzën e budallait. Klientela politike që ushqehet nga kjo skemë është vendosur sot në ca lagje luksoze të periferisë së Tiranës, rrethuar me mure të larta, kamera dhe roje private. Janë të bindur se mund të izolohen nga realiteti që vetë kanë krijuar. Nga çfarë i mbrojnë ato mure? Nga ne të tjerët? Ndoshta, por jo nga e vërteta.

Së dyti, duhet një brez i ri njerëzish, i pakomprometuar me ciklet e vjetra të pushtetit dhe këtyre rraqexhinjve të pasuruar me blloqe politike. Njerëz që nuk kanë pasur nevojë të mbijetojnë në ekonominë e klientelizmit të shpifur të këtyre viteve. Jo figura që kanë bërë karrierë brenda partive të vjetra, por individë që hyjnë në politikë me një biografi morale të lexueshme.

Së treti, kërkohet një mënyrë e re organizimi, përtej skemave piramidale të partive ku gjithçka përfundon tek një lider i përjetshëm. Një opozitë e re duhet të ndërtohet nga poshtë–lart, e bazuar në komunitete, në komunikim horizontal me shoqërinë. Një hapësirë ku pushteti i brendshëm nuk betonizohet rreth një familjeje, një klani, apo një njeriu të vetëm siç janë katandisur sot jo vetëm të vegjlit, por edhe “partitë e mëdha” (!)

Vetëm kur këto tre kushte bashkohen: ide e re, njerëz të rinj dhe një kulturë e re organizimi, opozita do jetë reale dhe e besueshme. Vetëm atëherë Shqipëria mund të dalë nga simulimi i pluralizmit, duke hyrë në një fazë të re politike. Ky ndryshim nuk shpallet me ca foto “sallash të mbushura plot” dhe oburra. Ky ndërtohet.

Në rrethanat e sotme kjo  kërkon kohë dhe sidomos një brez të ri që nuk e shikon politikën si karrierë, por si përgjegjësi. Sidoqoftë është fare e qartë që opozita e vjetër nuk reformohet më, ajo vetëm zë vend. Është mjerim të shpresosh prapë tek këta.

Jam duke thënë që opozita e re, kur t’i vijë sahati, nuk do lind “nga brenda”. Do vijë nga jashtë sistemit që i ka konsumuar të gjithë./Dita