Adriatik Doçi: Përgjigja ime për akuzat e Arben Ahmetajt, e vërteta e kallëzimit dhe disa halle të tjera që e detyruan të dilte në televizionin e Berishës

Adriatik Doçi: Përgjigja ime për akuzat e Arben Ahmetajt, e vërteta e kallëzimit dhe disa halle të tjera që e detyruan të dilte në televizionin e Berishës

Arben Ahmetaj

Arben Ahmetaj pretendoi se Edi Rama, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku, në bashkëpunim me Altin Dumanin, kanë komplotuar kundër tij. Sipas versionit të tij, ata më kanë gjetur mua, ku pasi më kanë paguar me paratë e inceneratorëve, më kanë dhënë një dosje të gatshme te Sofra e Ariut për ta dorëzuar në SPAK. Gjatë intervistës, Ahmetaj tha në një moment ‘fakte-fakte’, kur komentoi akuzat e SPAK-ut ndaj tij, ndërkohë që për pretendimet e tij nuk paraqiti asnjë fakt.

Ky version është artikuluar për herë të parë publikisht nga Çim Peka, me burim ‘sipas informacioneve të mia’. Më pas është artikuluar si e ‘vërtetë’ nga Sali Berisha. Më pas nga dhëndri i tij dhe mbrëmë nga vetë Ahmetaj.

Nuk ka asnjë fakt. Nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Megjithatë, kur përflitesh si aktor i komploteve dhe lojës së mëdha të pushtetit, duke të veshur fuqi që nuk e ke, natyrisht që ke një ndjesi habie dhe humori.

Po si qëndron e vërteta?

Shokët e partisë dhe të biznesit të Arben Ahmetajt, të cilët tashmë i akuzon për komplot kundër tij (Edi Rama, Erion Veliaj, Belinda Balluku, Ilir Beqja, Damian Gjiknuri, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto etj.), i kam parë vetëm në televizor. Altin Dumanin, të cilin në fakt do kisha shumë dëshirë ta takoja, si një figurë që për mua tashmë ka hyrë në histori, e kam parë vetëm në televizor. Zero lidhje të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë me ‘komplotistët’ e pretenduar nga Arben Ahmetaj.

Nga inceneratorët nuk kam përfituar kurrë asnjë qindarkë, nuk përfitoj dhe nuk do përfitoj në asnjë rrethanë. Nëse ka një provë apo fakt Arben Ahmetaj dhe lugu i tij mediatik, ta paraqesin. Ai ka njerëz në Tatime, Hipoteka, në Prokurori etj., të verifikojë nëse kam ndonjë pasuri, madje edhe rreth 20 kushërinjtë që kam. Nëse merr para, duhet të kesh edhe ndonjë vilë apo dy a tri, si për shembull Vesho, Çim Peka, Shkullaku etj. Me sa duket të qenurit i pavarur, pa vila dhe i pakapur, për disa politikanë në arrati dhe nën hetim për korrupsion, qenkërka sëmundje.

Në shtator 2022, nga disa burime më thonë se Arben Ahmetaj është ideatori dhe pronari i inceneratorëve. Provat janë gjetur në kompjuterin e Klodian Zotos, por janë fshehur për ta shpëtuar nga përgjegjësia penale, duke devijuar hetimet drejt Lefter Kokës, Klodian Zotos, Alqi Bllakos etj. Arben Ahmetaj kishte zgjidhur qesen për Elbasanin dhe Fierin, ndërkohë që pengonte Tiranën, pasi donte pjesën e luanit.

Në prill 2017, në inagurimin e inceneratorit të Elbasanit, Edi Rama tha: “Falënderoj ministrin i Financave që megjithëse është gjirokastrit e zgjidhi deri në fund qesen, gjë që ju siguroj nuk është e lehtë”. Deklarata është publike.

Deri kur kam parë dokumentet që tregonin Klodian Zoton si bankomat të Arben Ahmetajt, nuk i kam besuar burimet.

Pagesat e Klodian Zotos për llogari të Arben Ahmetajt, i kam publikuar me 10 dhjetor 2022, duke kallëzuar prokurorët që kishin fshehur provat.

Edhe pse provat e korrupsionit u bënë publike, për Arben Ahmetajn nuk u regjistrua asnjë procedim penal. (Thuhej se prokurorët komandoheshin nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të cilëve Ahmetaj dyshohej se u kishte dhënë dosjen e inceneratorëve. Thuhej se Ahmetaj kishte dhënë 3 milionë euro për të shpëtuar).

Fakt është se Ahmetaj mohoi publikisht pagesat për hotele dhe nuk po hetohej. (Mbrëmë tek Çim Peka i pranoi pagesat nga Klod Zoto, por shtoi se i kishte paguar hotelet dhe pushimet me kartën e kreditit të Zotos me qëllim që të mos e zbulonte gruaja se po flinte me të dashurën).

Në janar 2023, kam zbuluar se një vilë në Hamallaj që ishte porositur nga Klodian Zoto, kishte përfunduar në pronësi të Eriola Hoxhës, bashkëjetuese e Arben Ahmetajt.

Edhe këtë fakt e kam denoncuar publikisht dhe ndaj Arben Ahmetajt sërish nuk nisën hetimet.

Në këto rrethana, në shkurt 2023, kam bërë një kallëzim të thjeshtë penal ndaj Arben Ahmetajt në SPAK. Ç’është e vërteta, kam qenë shumë mosbesues tek SPAK. Duke patur parasysh lidhjet e forta të Arben Ahmetajt, fuqinë e madhe ekonomike, ndikimin e tij, faktin se kishte qenë numri dy i pushtetit etj., kisha dyshime që ky kallëzim do të zvarritej me vite dhe në fund do të pushohej.

Në korrik 2023, jam befasuar kur kam parë dosjen, një hetim alla FBI, që nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e organit të akuzës në Shqipëri. Një hetim kapilar, deri tek pllakat e banjos. Është një hetim i një niveli të paimagjinueshëm, me shkallë të lartë provueshmërie të veprës penale. Kallëzimi im mori rolin e një indicie në raport me faktet e një korrupsioni 20-vjeçar që zbuloi hetimi i SPAK-ut.

Shqiptarët duhet të jenë mirënjohës prokurorëve Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai, për standardin që vendosën me dosjen e Arben Ahmetajt.

Të gjitha ofertat e njëpasnjëshme të Arben Ahmetajt, për të ndaluar, përfshirë edhe një vilë në ‘Rolling Hills’, i kam refuzuar. Besoj se i kujtohet kur qëndronte në paradhoma duke dëgjuar si lepurush.

Shumëkush mund të pyesë se pse i bëra kallëzim pikërisht Arben Ahmetajt. Çfarë më shtyu?

Në qershor 2022, kam kallëzuar në SPAK Ilir Metën për korrupsion dhe pastrim parash, me fakte dhe prova. Është regjistruar procedimi penal dhe vijojnë hetimet.

Pas Arben Ahmetajt, në SPAK kam kallëzuar dy ministra aktualë, disa drejtorë dhe një sekretare të përgjithshme për afera të dyshuara me koncensione dhe tendera. Sot që të gjithë janë nën hetim nga SPAK-u.

Çfarë fshihet pas daljes së Ahmetajt?

Kur paralajmërova në studion e kolegut Denis Minga, 24 orë para, se Arben Ahmetaj do të thotë ato që thotë Berisha çdo natë në ballkon, panelistët qeshën me mosbesim.

(Gjithsesi rriti të ardhurat nga reklamat të televizionit të Familjes Berisha, sidomos tani që duhen para për protestën kombëtare).

Intervista e Tigrit ishte një ofertë e miksuar me shantazh për pazar.

Pazar për çfarë?

Dy dosjet e SPAK-ut për korrupsionin 20-vjeçar dhe çështjen ‘Buka’ janë si një amnisti për Arben Ahmetajn, flamuri më i lartë i korrupsionit në Shqipëri pas Ilir Metës.

Disa ditë më parë, Altin Dumani tha se Arben Ahmetaj po hetohej çdo ditë.

Atëherë çfarë e tremb Arben Ahmetajn?

1 -Gratë e tij, të kapura në pastrim parash nga SPAK, nuk arrestohen, por sillen nëpër Tiranë dhe resorte duke menaxhuar bizneset e fshehura të Tigrit. Sot janë burg ish ministra dhe ish kryetar bashkie, madje Safet Gjici për një gojore, u kthye në burg edhe Pëllumb Abeshi etj., ndërsa për gratë e Tigrit, të faktuara si të implikuara në pastrim parash, nuk ka asnjë masë.

2 -Motra e Tigrit, Bruna Mene, me të ardhura një rrogë te pensionet, posedon pasuri me vlerë miliona euro. Pas nisjes së hetimeve ndaj vëllait nga SPAK, ka nisur të shesë dhe tjetërsojë pasuri. Vetëm një nga vilat te Liqeni i Thatë e nxori në shitje me vlerë 600 mijë euro. Ku i gjeti paratë?

3- Në 2016, kur ishte ministër Financave mbylli aferën e kompanisë së tij Hermes me Albtelekom. Albtelekom i kërkonte Hermes në gjykatë 23 milionë euro për vjedhjen me impulset telefonike në 2002. Për këtë aferë Ahmetaj u arratis disa muaj në Rumani në 2005. Në 2016, Albtelekom u tërhoq nga pretendimi në gjykatë që Hermes duhej t’i kthente 23 milionë euro. Ahmetaj ishte ish pronar i Hermes dhe bashkëpronar i Albtelekom. Ministria e Financave ka 14 % të aksioneve në Albtelekom. Ahmetaj ka përdorur funksionin publik për t’i falur vetes së tij 23 milionë euro detyrime.

4- Ka menaxhuar qindra milionë euro fonde për pandeminë dhe rindërtimin. Dhjetëra mijëra euro kanë shkuar në xhepat e klientëve të Arben Ahmetajt. Madje një pjesë të fondeve kanë përfunduar edhe në xhepat e burrave të mikeshave të tij. Miliona euro këta klientë i kanë çuar në offshore. Kush është përfituesi fundor i parave? SPAK mund të zbulojë një skemë të frikshme korrupsioni nëse ndjek paratë.

5- Nuk është edhe aq sekret se Arben Ahmetaj, në emër të një rrethi biznesmenësh ka hidrocentrale, kompani enregjitike dhe ndërtimi, ka vila dhe dhjetëra apartamente. Godtija nga SPAK dhe arratisja, i kanë vështirësuar kontrollin ndaj këtyre pasurive.

6- Artan Gjokaj është njeriu më i besuar i Arben Ahmetajt, ish këshilltar i tij, i implikuar edhe në mbulimin e vilës në Hamallaj. Nga një mësues filloreje në Gjirokastër, Artan Gjokaj është bërë oligark, me biznese nga Gjirokastra në Tiranë, me qendrën më të madhe të shitjes së makinave, me hidrocentrale dhe kartel kompanish. Mos vallë këto biznese janë të Arben Ahmetajt? A mund të jetë rastësi që Artan Gjokaj u ‘bleu’ shtëpinë prindërve të Eriola Hoxhës, e cila me këto para ‘bleu’ vilën e Klod Zotos?

7- Arben Ahmetaj kontrollon sot përmes njerëzve të tij sektorë kyç në Ministrinë e Financave, të Ekonomisë, në dogana, tatime, OSHEE etj. Rrjeti shtrihet deri në Qendrën e Biznesit, AMF, AKBN, Albpetrol, privatizime, letra me vlerë, thesar etj. Ky rrjet nuk është prekur. /Prapaskena/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drini: 04/02/2024 01:06

    Bravo Adriatik!Ju jeni gazetari qe i sherbeni si duhet interesit publik, me ane te edenoncomeve korruptive me fakte.NJe gazetar kurajoz dhe me llogjike te forte.Ti duhesh shperblyer nga gjithe shqiptaret

    Përgjigju
  • naku: 03/02/2024 19:15

    nuk ka besim tek drejtesia shqiptare ky ish qeveritar i larte?

    Përgjigju
  • Zef i: 03/02/2024 18:25

    Ku është SPAKu me gjith këto fakte që zoti i nderuar Doçi i denoncon,?

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 03/02/2024 18:18

    Adriatikun e akuzoi per takimin me drejtorin e ujesjellesit te Tiranes Elton Kacollja. Akuza shume e rende. Po sponsorizohet sulmi ndaj prokurorit qe po heton drejtoret e bashkise Tirane, perfshire dhe Eltonin.

    Përgjigju
  • Ben: 03/02/2024 17:35

    Nuk i kuptoj dot arnautsat.A e kuptoni,qe si çdo politikan arnautas,edhe Arbeni ka tonelata me euro,dollare? Ka rreth 200 milion euro,dhe i ka bo me corrupsion.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion