Kreu i partisë Shqipëria Bëhet Adriatik Lapaj, ka komentuar protestën e Partisë Demokratike, duke sqaruar arsyet pse zgjodhi të zhvendosë protestën e tij disa metra larg asaj të opozitës së drejtuar nga Sali Berisha.
“Në respekt të protestës që po zhvillon PD, sepse ata nuk janë armiqtë e mi, përkundrazi… unë jam këtu tani,” u shpreh Lapaj në një intervistë për Report TV.
Ai pranoi se kauza e protestës së tij është e njëjtë me atë të PD-së, largimi i Belinda Ballukut dhe i kryeministrit Edi Rama, por nga ana tjetër sqaroi se qëllimi duhet të jetë rritja e Shqipërisë dhe jo e partisë.
“Jetojmë në një kohë kur askush nuk duhet të mendojë ‘si të rrisim partinë’, por ‘si të rrisim Shqipërinë’,” tha ai.
Lapaj shtoi se do t’i ishte bashkuar protestës nëse ajo do të ishte qytetare dhe do të shkonte përtej strukturave partiake.
“Nëse sot aty do të kishte qytetarë përtej logove, unë sigurisht do të isha në shesh. Vendi ka nevojë që të vijnë edhe socialistët, edhe të gjithë ata që janë kundër makutërisë së Edi Ramës.” deklaroi ai.
Lapaj argumentoi se ndarja e protestave nuk duhet të shndërrohet në konflikt mes partive opozitare, duke paralajmëruar se ai që përfiton nga përçarja është pikërisht kryeministri Rama.
“Kjo është e vetmja çështje parimore pse jam ndarë nga protesta e PD. E kam respektuar atë dhe jam spostuar. Kjo na bën nder të gjithëve, sepse Edi Rama nuk mund të na vërë në konflikt me njëri-tjetrin,” tha Lapaj.
I pyetur për ftesën e Berishës për t’iu bashkuar protestës së PD-së, Lapaj pranoi se ka pasur komunikime me përfaqësues të kësaj force politike, por vetëm në nivele që ai i quajti ‘bazike dhe jo të avancuara”.
“Na duhet të mendojmë për Shqipërinë, jo për partinë. Nëse secili qëndron në gardhin e vet, Rama na mund të gjithëve. Nëse dalim përtej dhe populli zbarkon totalisht në rrugë, Rama e ka të vështirë dhe do të ikë,” theksoi ai.
Lapaj kërkon një qeveri tranzitore 12-mujore, të përbërë nga profesionistë dhe intelektualë brenda dhe jashtë vendit, me mandat të qartë për të përgatitur zgjedhje të lira dhe demokratike.
Në ditën e 15-të të protestës së tij, Lapaj paralajmëroi organizimin e një proteste edhe më të madhe dhe bëri thirrje për bashkim qytetar përtej partive.
“Unë do të qëndroj edhe në shi për t’ia zhveshur maskën Edi Ramës,” përfundoi ai.
Lajmi kryesor:
Protestë aspak kombëtare, pjesëmarrje e ulët në bulevard! Molotovë drejt Kryeministrisë, Berisha: Objektivat e betejës sonë Qeveria, Parlamenti, Surreli











