PRISHTINE, 22 Nentor/ATSH/- Kompanitë ajrore, do ta rrisin numrin e fluturimeve. Ndërsa pritet që numri i udhëtarëve në vitin 2015 të jetë dukshëm më i madh, pasi që gjatë këtij viti nuk ka qenë ai që është pritur. E po ashtu dhe çmimet pritet të jenë më të lira.
Ndërkaq qytetarët janë shumë të kënaqur me shërbimet që i ofron Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, sidomos pas vënies në funksion të terminalit të ri, i cili ofron kushte të shkëlqyera.
Kështu ka theksuar Haldun Firat Kokturk, drejtor Gjeneral i ANP "Adem Jashari" Limak Kosovo dhe anëtar i Bordit te Drejtoreve, në një intervistë për KosovaPress.
"Në vitin 2011 ne kemi marrë përsipër menaxhimin e terminalit të ri. Kemi arritur të ndërtojmë një terminal të ri të shkëlqyer, me të cilin tani po i ofrojmë shërbimet tona. Ne jemi mjaftë të kënaqur me performancën e terminalit. Pothuajse shifrat që i kishin pasur nga niveli i kënaqshmërisë së udhëtarëve, arrin mbi 90 për qind. Është një sasi shumë e madhe, e cila është e vështirë për tu arritur, në aspektin ofrimit të kualitetit të shërbimeve. Kosovaret janë të lumtur me aeroportin tyre të ri dhe ne jemi po ashtu të lumtur dhe ne e ndjejmë që ata janë të lumtur", tha ai.
Kokturk po ashtu thotë se në vitin 2013-të, përmes ANP-së, kanë udhëtuar 1.6 milion pasagjerë.
Por gjatë këtij viti sipas tij, ka pasur një recesion, si pasojë e kushteve atmosferike, e po ashtu dhe për shkak të bankrotimit të kompanisë ajrore "Bell Air", duke bërë që numri i udhëtarëve të mos jetë ai që është pritur. Ndërsa thotë se numri i fluturime për në Zvicër dhe Gjermani, po rriten tashmë nga kompanitë ajrore.
"Në vitin 2013 e kemi mbyllur me 1.6 milion pasagjerë . Kishte një recesion gjatë fillimit të këtij viti, për shkak të kushteve të motit dhe telasheve, që sjelli bankrotimi i Kompanisë "Bell Air". Por tani aktualisht kompanitë ajrore, janë duke i rritur numrin e fluturimeve, sidomos në shtetet e Zvicrës dhe Gjermanisë. Dhe numri i udhëtarëve, të cilët do të udhëtojnë nga Aeroporti i Prishtinës, do të rritet sidomos në vitin 2015. Aktualisht për vitin 2014 nuk janë në nivelin e kënaqshëm dhe të pritshëm, por janë duke u përmirësuar", tha ai.
Kokturk, po ashtu thekson se Limaku ka investuar rreth 130 milion euro, e që sipas tij kjo është një shumë e arsyeshme, për një lloj të tillë të terminalit. Ndërkaq sa i përket sigurimit të transportit për në aeroport, për udhëtarët të cilët duan që të udhëtojnë përmes këtij aeroporti, ai thotë se ky është projekt i Qeverisë së Kosovës, e cila pritet që së shpejti ta lëshoj në qarkullim një autobus, përmes së cilit qytetarët mund të shkojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Ndërsa nuk e mohon konkurrencën që atyre po ua bënë Aeroporti i Shkupit, i cili ofron udhëtime me çmime me të lira. Por thotë se po bëjnë përpjekje që të tërheqin sa më shumë kompani ajrore, me qëllim të ofrimit të çmimeve sa më të arsyeshme për klientët që udhëtojnë përmes ANP-së.
"Ne jemi në konkurrencë me Aeroportin e Shkupit. Sepse është Qeveria e Maqedonisë,ajo që i mbështet mjaftë kompanitë ajrore. Në fund të fundit, aeroporti vetvetiu, është një biznes i qëndrueshëm, në aspektin ekonomik edhe pse shifrat e numrit të udhëtarëve mund të ndryshojnë. Aeroporti i Maqedonisë është konkurrencë e jona, duhet ta pranojmë këtë. Por në fund të ditës përpjekjet tona, janë që të tërheqim sa më shumë kompani ajrore, që ofrojmë çmime të arsyeshme për klientët. Prandaj ne si aeroport ofrojmë mjaftë nxitje për kompanitë ajrore, për lirimin e çmimeve...Së shpejti çmimet do të ulen . Posaçërisht ne sezonin e verës, ne kemi kërkesa të mëdha nga udhëtaret. Dhe udhëtaret, klientët kosovarë, dëshirojnë çmime të arsyeshme dhe ne kemi vullnetin që t'i zgjerojmë bashkëpunimet me kompani ajrore", tha ai.
E së fundi Kompania Limak, e cila menaxhon dhe operon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", ka themeluar Institutin për Shërbime të Aeroportit të Limak-ut, i cili ka si qëllim, rritjen e mundësive, për zhvillimin profesional të studentëve të UP-së, me qëllim të ngritjes së njohurive, në lëmin e menaxhimit të aeroportit. Kokturk, thotë se ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe sa i përket problemit me papunësinë që ka Kosova.
"Është një projekt shumë i rëndësishëm, për problemin e madh që ka Kosova me papunësinë. Jemi duke bashkëpunuar me një universitet me reputacion shumë të lartë të Turqisë. Ky program do të iu ofrojë gjasa rinisë kosovare, që të punësohet në aeroport. Është një prej projekteve me të rëndësishme të përgjegjësisë sociale të korporatave", tha ai //KosovaPress/./a.g/