Më 2 gusht do të marrë jetë klubi i ri Akademia e Futboll Elbasanit, që krijohet rishtazi nga bashkia pas ngërçeve me FK Elbasanin, aksionet e së cilës vijojnë të jenë në gjyq. Drejtori sportiv, Elton Guranjaku për Report tv tregon fillimisht se nga kush mbështet Akademia e Futboll Elbasanit, ndërsa është optimist për të ardhmen.
‘Për momentin aksionere është 100% bashkia e Elbasanit. Më pas mendoj se do të afrohen edhe aksionerë të tjerë. Deri më tani kemi patur shumë donacione nga sponsor të cilët janë afruar në skuadër,’-deklaroi ai.
I pyetur se si është pritur krijimi i klubit të ri që do të përfaqësojë qytetin e Elbasanit që ka një traditë në futboll Guranjeku përgjigjet:
‘Tani mendimet janë të ndryshme, por e rëndësishme është që ne kemi një mbështjetje nga ‘Tigrat Verdh e Blu’, që do ta mbështesin skuadrën gjatë gjithë sezonit. Më e rëndësishmja është që ne kemi një mbështetje të plotë nga shumica e tifozëve dhe sportdashësve në Elbasan,’-tha ai.
Sipas Guranjakut pas dy vitesh Akademia e Futboll Elbasanit do të militojë në Kategorinë e Parë.
‘Projekti është që çdo vit të ngjitemi nga një kategori. Them me bindje të plotë që këtë vit me skuadrën që kemi formuar ngjitja është e padiskutueshme. Gjithashtu jemi gati edhe për vitin tjetër që të ngjitemi një kategori më lart. Synimi jonë është që pas dy viteve të jemi në kategorinë e parë,’-u shpreh ai.
Gjithsesi asgjë nuk është e lehtë dhe Guranjaku tregon vështirësitë e para që po has krijimi i Akademisë së Futboll Elbasanit.
‘Vështirësitë janë sepse është vetë kategoria e tillë, kategoria amatore. Për këtë arsye futbollistët e kanë të vështirë të rikthehen në një ligë të tillë. Edhe futbollistët që ne kemi kontaktuar janë të gjithë që kanë luajtur në kategoritë e larta,’-tha ai.
Klubi historik i qytetit FK Elbasani administrohet nga biznesmeni Arben Laze, i cili po lufon në gjykatë për të marrë aksionet e plota. Por deri atëherë elbasani do të ketë klubin e ri, Akademia e Futbollit.