Genc Gjokutaj, avokati i Sali Berishës, e ka quajtur një çështje të sajuar procesin për Partizanin, pasi dëshmisë gati 3 orë të deputetit Taulant Balla. Në një prononcim për mediat, Gjokutaj tha se Balla nuk dinte çfarë akuzash ka bërë në kallëzim, dhe tha se ka dyshime se Balla ka konsumuar elementë të kallëzimit të rremë.
“Është drejtësi që dëgjon 4 orë e gjysmë një dëshmitar, i cili 50% të dëshmisë nuk e mbante mend dhe 50% i referohej mediave. Balla nuk dinte çfarë akuzash ka bërë në kallëzim. Thonte korrupsion ndërkohë që e ka bërë kallëzimin për shpërdorim detyre. Është çështje e sajuar dhe sot pas dëshmisë kam dyshime të forta që jo vetëm që ka konsumuar elementë të kallëzimit të rremë, por do edhe pak hetim dhe bën vaki edhe mos ta ketë bërë vetë kallëzimin. SPAK e mori ditën e punës për sot. Sipari i një procesi fals do kishte këtë figurë dhe këtë tablo. Çështja nuk ka fakt penal”, u shpreh Gjokutaj.
Gjokutaj u pyet edhe për kryeministrin Edi Rama, i cili është thirrur si dëshmitar nga mbrojtja, kërkesë që u pranua nga GJKKO seancën e kaluar.
“Ky është vendim gjykate, ne e kemi kërkuar ata e pranuan. Mendoj që Rama nuk ka luajtur mendsh të mos vijë në gjykatë. Nuk është në diskreticionin e tij të vijë apo jo”, tha Gjokutaj.
Lajmi kryesor:
Afera ‘Partizani’/ Dëshmon Balla: Privatizimi brenda 6 muajve, Malltezi përfitoi nga pushteti i vjehrrit! Berisha firmoste vendimet për të favorizuar procedurën











