Paro Laçi, dëshmitar kyç në gjyqin e aferës ‘Partizani’, me të pandehur edhe Sali Berishën e dhëndrin e tij Malltezi për korrupsion e pastrim parash, thotë se ka marrë mbrojtje ndërkombëtare nga Zvicra, ku po vijon procedurat e azilit politik, për shkak se në Shqipëri i rrezikohet jeta nga Berisha dhe familja e tij.

Dy ditë pasi në GJKKO u shqyrtua kërkesa e tij për t’u futur në listën e dëshmitarëve të mbrojtur, ish presidenti i klubit Partizani, në një intervistë ekskluzive për Report Tv denoncon se është kërcënuar edhe kohët e fundit me jetë nga ish kryeministri dhe ato që i cilëson si bandat e tij kriminale.

“Në celularin tim kanë mbërritur edhe telefonata, edhe mesazhe. Unë nuk i njoh personat. Dikush nga policia, dikush nga shteti, dikush si mik. Dikush që më ka thënë: ‘Hiq dorë, sepse edhe familja jote nuk të mbështet’. Më është bërë presion deri aty sa më kanë thënë se do të më eliminojnë fizikisht, do të më vrasin. Ma kanë dhënë edhe skemën si do më vrasin. Do krijojnë një debat të paqenë, dhe unë do vritem si larje hesapesh. Këtë e kam deponuar edhe në shtetin zviceran. Se po të vritem se po luftoj për çështjen “Partizani”, për mua vdes nesër”, deklaroi Laçi në emisionin ‘Frontline” të gazetares Marsela Karapanço.

Jamarbër Malltezi i ka ofruar miliona euro për të mbyllur gojën, thotë Paro Laçi.

“Po të dojë të dalë përballë meje, të thotë shumën që ka kërkuar të më paguajë që të mbyll gojën. Të tregojë publikisht shumën me të cilën do të më blejë që unë të mos flas. Sepse unë do të flas. Do të flas nëpërmjet avokatit tim. Kam pretendimet e mia. Flasim për një shumë prej miliona eurosh”, tha ish presidenti i klubit Partizani.

Megjithatë Laçi thotë se nuk frikësohet dhe se dëshminë e tij do ta japë për të dhënë më në fund drejtësi për një prej aferave më të mëdha korruptive, atë të privatizimit të ish klubit Partizani, ku SPAK thotë se familja Berisha përfitoi miliona euro.

“Ne do t’i drejtohemi Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ta mbikëqyrë këtë proces. Me mbikëqyrje kuptojmë që përfaqësuesit e saj të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit dhe të shohin vetë çfarë po ndodh. Ne nuk do ta pranonim kurrë një pafajësi”, tha ndër të tjera ai.

Në seancën e së mërkurës, GJKKO vendosi që dëshmia e Paro Laçit të merret përmes letërporosisë në shtetin zviceran.

Togat e zeza i thanë se nuk e kanë ata kompetencën për ta futur në listën e dëshmitarëve të mbrojtur, por kjo i takon Prokurorisë së Posaçme.

Paro Laçi është një dëshmitar i vyer i Prokurorisë së Posaçme në procesin kundër Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion e pastrim parash, dhe të tjerëve të lidhur me to.

Ish drejtuesi i klubit ‘Partizani’ ka denoncuar vazhdimisht publikisht presionin që i është bërë për të lëshuar ambientet e ish klubit sportiv që prej fillimit të procedurave të privatizimit.

Intervista e Paro Laçit në Report Tv:

Marsela Karapanço: Është kënaqësi të kemi rrëfimin tuaj sonte, sidomos për një çështje që ka bërë bujë si dosja “Partizani”. Ju jeni në Zvicër. Keni kërkuar apo jo azil politik? Çfarë ndodhi? Pse jeni ndier i kërcënuar dhe pse vendosët t’i drejtoheni gjykatës me një dokument të tillë e të mos ishit i pranishëm fizikisht?

Paro Laçi: Në radhë të parë, unë kam kërkuar azil politik, më është dhënë një mbrojtje ndërkombëtare nga shteti zviceran dhe jam në procedurën e azilit. Por kjo nuk do të thotë që unë nuk do të dëshmoj. Do të gjejmë mënyrën dhe rrugën për ta vazhduar denoncimin tim kundër kësaj afere korruptive.

I kam drejtuar një shkresë GJKKO-së. I kam dërguar një shkresë tjetër avokatit tim, zotit Idajet Beqiri, dhe i kam dhënë mandat që të më përfaqësojë. Por në këtë çështje gjyqësore nuk do të jem vetëm si dëshmitar. Jam personi që i kam denoncuar këto ngjarje dhe që kam vuajtur në kurrizin tim kërcënimet, burgosjen e padrejtë dhe gjithë këto shantazhe që më janë bërë. Kohët e fundit, Sali Berisha dhe bandat e tij kriminale më kanë kërcënuar edhe me jetë.

Sali Berisha do të bëhet Ramiz Alia i viteve 2030. Do të shkojë përpara me atë plan që ka pasur Katovica i Ramiz Alisë, duke na kujtuar që na ka dhënë pasaporta shërbimi në 1997, duke na arrestuar, duke na burgosur me dhjetëra herë në mënyrë të padrejtë. Dhe tani është pika e fundit, Katovica, Ramiz Alia vetë e ka thënë, që kanë skuadrat e tyre që vrasin njerëz. Një ndër këta është Berisha. Është pika e fundit e kësaj ndodhie me Partizanin. Unë jam një person sipas Katovicës që nuk zë mend, nuk largohem nga Shqipëria, nuk mbyll gojën. Vazhdoj të flas. Një ndër rastet më flagrante është Sali Lusha, që shkruan një shkrim në një gazetë në Shqipëri, që unë isha personi numër 2, nëse nuk do të arrinte Sali Lusha, do ta vrisja unë Ilir Metën. Ishte viti 2001, kur ndodhi ai skandali i Brukselit.

Pavarësisht se kam marrë urdhra për të vrarë njerëz, nuk kam vrarë njeri për Sali Berishën. Jam demokrat, kam qenë gjithmonë kundër regjimit të Enver Hoxhës. Edhe si familje jemi të djathtë. Në këto shkrime që ka bërë një ndër kriminelët, siç është Sali Lushaj, më ka përmendur vëllezërit, më ka përmendur fisin.

Marsela Karapanço: T’i marrim pak me radhë, zoti Laçi. Dua t’ju pyes për çështjen “Partizani” dhe për deklarimet tuaja. Ju jeni në Zvicër dhe aktualisht nuk e keni dhënë dëshminë fizikisht. Por, për çështjen që sapo përmendët, po thoni se kishit marrë udhëzim që, nëse Sali Lusha nuk do ta kryente vrasjen e Ilir Metës... Keni dhënë dëshmi për këtë.

Paro Laçi: Është dhënë një urdhër nga Sali Berisha, është organizuar një plan të mirëfilltë. SPAK-u duhet t’i thërrasë të gjithë personat, nga ish-ambasadori te ish-konsullja, zonja Suzana, që ka lajmëruar shtetin shqiptar se kishte informacion që rrezikohej jeta e Ilir Metës. Pse nuk erdhi Ilir Meta? Organet partnere dhanë informacion se do të bëhej një atentat.

Pse shkruajnë gazetat e Brukselit që numri 2 do të bëhej në Londër? Mos vallë kishte prapë rrezik që të organizohej prapë? Dhe nga kush do të organizohej, nëse jo nga Sali Berisha? Vetëm Sali Berisha. Dhe kjo që pohoj është, sipas meje, kuptimi i plotë i Katovicës.

Shumë shqiptarë e kanë mbyllur gojën, sepse është faza e fundit e Katovicës. Nëse dikush nuk do të zërë mend, atëherë ne kemi njerëzit tanë që i eliminojmë. E ka thënë Ramiz Alia. Berisha sot s’ka asnjë problem tjetër që mund të vrasë një Paro Laçi, mund të vrasë 10 shqiptarë. Sepse ka vrarë shumë, ka dhënë urdhra për të vrarë shumë. Kryesorja sot është kush do t’ua mbrojë pronat e fëmijëve të Sali Berishës. Siç erdhi Berisha me ca gjyqe false, që e dënoi Nexhmijen për kafe dhe jo për mijëra njerëz të pushkatuar nga Enver Hoxha, se ishte bashkëshortja. I mbrojti Sali Berisha? Me një plan të mirëfilltë të Katovicës. Tani problemi është Katovica 2, kush do ta mbrojë Berishën dhe familjen e Berishës.

Tani Berisha po bën një kontrabandë shumë të madhe, kontrabandën e protestës. Sali Berisha kërkon ta gllabërojë protestën. Nxjerr dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezin. Nxjerr vajzën e vet si pedagoge. Nxjerr njerëz për ta manipuluar protestën dhe për ta marrë në drejtimin e tij.

Marsela Karapanço: Do të kalojmë edhe te protesta dhe patjetër do t’ju marr një mendim, por të qëndrojmë pak te çështja. Përveç deklarimeve publike që janë bërë, keni marrë mesazhe të tjera, që ju kanë bërë të ndiheni i kërcënuar dhe të aplikoni për azil në Zvicër?

Paro Laçi: Kam marrë mesazhe direkte personalisht. Siç e përmenda, një prej mesazheve është shkruar në një gazetë me tirazh të madh kopjesh, ku thotë se Paro Laçin nuk e duan vëllezërit e vet, nuk e do as familja. Familja më këshillon të mos merrem më me këtë çështje, nuk ka drejtësi në Shqipëri, nuk dënohet Berisha.

Kam shumë gjëra për të thënë për Berishën. Kam folur, do t’i deklaroj dhe do t’i jap me shkrim. Pse nuk thotë se po jap dëshmi të rreme për atë që kanë dashur të vrasin Ilir Metën? Sepse ka fakte.

Marsela Karapanço: Po ju, do të ishit i gatshëm të përballeshit në gjykatë me zotin Berisha për këtë?

Paro Laçi: Jam shumë i gatshëm. Unë e kam rrezikuar jetën disa herë. Në shumë raste kam rrezikuar edhe për Berishën. Kam punuar në Gardën e Shtetit në 1997, kur 3 milionë shqiptarë donin të vrisnin Berishën. Nuk jam fshehur ndonjëherë. I kam dalë në ballë plumbave që janë nisur për Berishën. Si unë, shumë anëtarë të Gardës. Disa prej tyre edhe janë vrarë.

Kam edhe foto, Berisha ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Unë s’kam ngrënë bukën e Berishës. Atë bukë që ka ngrënë, e ka hedhur poshtë duke thënë që unë kam shitur drogë.

Paro Laçi: Unë do të përballem me drejtësinë. Dhe nuk është e thënë që unë nuk do të deklaroj. Deklarimin tim, kam kërkuar edhe në organet kompetente zvicerane, ku kam kërkuar azil politik, edhe në gjykatë, kam kërkuar që të mund të merrem në pyetje edhe nga Zvicra, në një ambient.

Marsela Karapanço: Pra, keni ofruar mundësinë që dëshmia juaj të merret me videokonferencë?

Paro Laçi: Normalisht.

Marsela Karapanço: Po nëse do të shoqëroheshit nga autoritetet apo nga persona të posaçëm, a do të vinit fizikisht në Tiranë?

Paro Laçi: Në qoftë se e vlerësojnë ekspertët që sot kanë përgjegjësi për jetën time, sepse unë kam mbrojtje ndërkombëtare nga shteti zviceran. Nëse shteti zviceran e sheh të arsyeshme që mund të më shoqërojë, pse jo? Vij.

Marsela Karapanço: A keni bërë deponime apo kallëzime, zoti Laçi, për kërcënimet që thoni se keni marrë? A keni diçka të dokumentuar? Ju ka mbërritur ndonjë mesazh në celular, në email apo me postë?

Paro Laçi: Në celularin tim kanë mbërritur edhe telefonata, edhe mesazhe.

Marsela Karapanço: Nga kush?

Paro Laçi: Unë nuk i njoh personat. Dikush nga policia, dikush nga shteti, dikush si mik. Dikush që më ka thënë: “Hiq dorë, sepse edhe familja jote nuk të mbështet”.

Marsela Karapanço: Pra, këto janë mesazhet që ju kanë ardhur? Ju kanë kërkuar të hiqni dorë nga dëshmia?

Paro Laçi: Më është bërë presion deri aty sa më kanë thënë se do të më eliminojnë fizikisht, do të më vrasin. Ma kanë dhënë edhe skemën si do të më vrasin. Do të krijojnë një debat të paqenë dhe unë do të vritem si larje hesapesh. Këtë e kam deponuar edhe në shtetin zviceran. Se po të vritem se po luftoj për çështjen “Partizani”, për mua vdes nesër.

Marsela Karapanço: Pra, i keni të dokumentuara këto mesazhe për t’ua paraqitur autoriteteve?

Paro Laçi: I kam me telefonata, i kam edhe nëpërmjet një familjari. I kam të dokumentuara, me emra e mbiemra. Dhe është shumë e thjeshtë. Sali Berisha nuk do të dënohet.

Marsela Karapanço: Pse jeni kaq pesimist në rast se do të vendoset drejtësia, nëse ka akuza që qëndrojnë ndaj zotit Berisha?

Paro Laçi: Jam shumë i qartë se si do të rrjedhin ngjarjet. Sali Berisha ka nxjerrë në terren njerëzit e tij. Për shembull, është një zotëri me mbiemrin Kalaja. Ky me mbiemrin Kalaja do të jetë kandidat për kryetar të Bashkisë së Krujës. Nëse nuk del fjala ime, atëherë e kam thënë kot. Vëllai i tij është gjyqtar në shkallën e dytë të GJKKO-së dhe kështu do të shkojnë gjërat.

Një superkriminel që unë kam deklaruar, ka dalë e më ka thënë në Kamëz: “Të vras, të pres, të bëj…”. Është Erzen Breçani. E kam thënë, ka shitur kokainë nëpër Europë. E dimë shumë mirë kush është. Unë kam frikë nga këta njerëz. Dhe sot është shpallur i pafajshëm. Është bërë një qokë.

Gjyqtarja e Partizanit.

Siç i është bërë qokë kësaj gjyqtares së tanishme, zonja Ulliri.

Do të jetë deputete në Partinë Demokratike. Ka qenë deputete, po do të bëhet prapë. Këto janë pazare që po bëhen në drejtësinë shqiptare.

Unë e kam vuajtur drejtësinë shqiptare. Jam arrestuar nga Erzen Breçani, me urdhër të Sali Berishës. Jam arrestuar nga Agron Kuliçi, me urdhër të Berishës. Jam futur në burg përpara se të fillonte çështja Partizani. Skeda ime penale ka qenë zero. Asnjëherë s’kam qenë i arrestuar. Dhe vjen Dritan Berisha, nipi i Berishës, bën dokumentacionin, bën dosjen dhe e çon në Itali.

Marsela Karapanço: Nëse në dosjen “Partizani” nuk do të ishte emri i Berishës, a do të kishit të njëjtin qëndrim ndaj tij? Nuk është se keni konflikt interesi dhe keni këto deklarata?

Paro Laçi: Unë me Sali Berishën nuk më lidh asgjë. Të kalojmë pak më prapa në kohë, përpara se të isha president i Partizanit. Unë me Sali Berishën i kam prishur urat kur ai ka dashur të na përdorë në degën e Partisë Demokratike në Belgjikë për të ndihmuar Shkëlzen Berishën.

Marsela Karapanço: Si do ta ndihmonit nga Belgjika?

Paro Laçi: Shkëlzen Berishën e nxori Hasan Berisha nga shtëpia, sepse u dashurua me nusen e nipit të vet. Na është kërkuar të shkojmë ta ndihmojmë. Kam thënë jo, se çfarë bën Shkëlzen Berisha me kushëririn e vet nuk më intereson. Që aty i kemi shkëputur urat. Na ka ardhur neve si direktivë. Dihet debati që është bërë, sepse na ka ardhur një nga dega qendrore dhe na kanë kërkuar ta ndihmojmë. Kam qenë kundërshtar herët.

Marsela Karapanço: Për cilin vit po flasim? Kur ndodhi krisja e marrëdhënieve tuaja me zotin Berisha?

Paro Laçi: Flasim për vitet 2001–2002. Unë s’kam kërkuar asnjë vend pune. Nuk kam as nip, as vëlla, as kushëri, as motër. Ne e kemi ndërtuar jetën tonë në Perëndim. Kam familjarë me pasaporta belge dhe italiane. Nuk kemi nevojë për të. Kemi dhënë për demokracinë dhe nuk na hedh dot njeri poshtë. Jemi familje e djathtë.

Sali Berisha do të më merrte nëpër këmbë, do të ma mbyllte gojën, vetëm në një mënyrë. Babai im nuk ishte spiun i shtetit ose i UDB-së. Babai im ka punuar në kohën e Partisë së Punës, por s’ka pranuar të bëhet spiun, s’ka pranuar t’i nënshtrohet. Ka qenë një oficer i lartë ushtarak dhe ka ngritur zërin kundër padrejtësive. Berisha e di shumë mirë se çfarë familjeje jemi. Nëse Berisha do të nxirrte një fakt se unë isha spiun i shtetit, apo qoftë edhe babai im, mund të ma mbyllte gojën. Kështu ua mbyll gojën shumë njerëzve Berisha, u nxjerr dosjen dhe e mbyllin gojën. Unë s’e mbyll gojën.

Nuk është interesi im personal që flas për Sali Berishën. Sali Berisha e ka shkatërruar Shqipërinë. Na ka borxh ne të djathtëve, duke shkatërruar të djathtën i ka borxh të gjithë popullit. Berisha sot po pastron figurën e vet, me bo sikur po arrestohet, sikur është burrë i vjetër, sikur është 80 vjeç, edhe gjynah... gjynah Berisha. Edhe ato që kanë vjedhur do t’i hanë Shkëlzeni dhe Argita.

Marsela Karapanço: Zoti Laçi, më bëri përshtypje një foto e hedhur në rrjetet sociale, ku jeni përfshirë në replika me Malltezin.

Jamarbër Malltezi thotë: “Eja në gjyq, se ka katër muaj që i fshihesh gjykatës, se gjoja nuk je në Shqipëri. Eja dhe sill dëshminë e penalitetit, të dëshmosh me fakte se sa demokrat dhe i besueshëm je. Eja, se t’i kanë sjellë edhe dosjet e prokurorisë. Ke gënjyer trashë edhe para shërbëtorëve të Edi Ramës. Ndaj eja dhe dëshmo nën betim, të ballafaqohesh me çfarë ke deklaruar dhe çfarë kanë dokumentet”.

Çfarë ju solli në këtë përplasje në rrjetet sociale me zotin Malltezi?

Paro Laçi: Zoti Malltezi më provokon në Facebook-un e një miku tim. Ky mik ka hedhur një foto timen me të, ku kemi dalë në Milano dy vjet më parë. Për mua, kjo është si një kërcënim. Është edhe një kundërvajtje ligjore dhe penale. Unë jam dëshmitar, ai është i pandehur. Ai nuk ka të drejtë të më provokojë me asnjë lloj mjeti, as me mesazhe. Po të dojë të dalë përballë meje, të thotë shumën që ka kërkuar të më paguajë që të mbyll gojën. Ka syrin e babit të Xenit, ia kam kërkuar.

Marsela Karapanço: Po thoni se ka kërkuar t’ju paguajë që të mos flisni? Ju dëgjova drejt?

Paro Laçi: Të tregojë publikisht shumën me të cilën do të më blejë që unë të mos flas. Sepse unë do të flas. Do të flas nëpërmjet avokatit tim. Kam pretendimet e mia.

Marsela Karapanço: Për çfarë shume po flasim?

Paro Laçi: Flasim për një shumë prej miliona eurosh. Por unë këtë shifër do t’ia kërkoj Jamarbër Malltezit.

Marsela Karapanço: Që të mos jepnit dëshminë për dosjen “Partizani”, do të paguheshit me miliona euro? Nga kush?

Paro Laçi: Nga Jamarbër Malltezi, me babanë e zotit Zeni.

Marsela Karapanço: A keni prova për këtë?

Paro Laçi: Le ta kundërshtojë ai. Unë kam edhe emra e mbiemra, kujt ia kam thënë, ku banon një person dhe me kë banon ballë për ballë.

Marsela Karapanço: Dhe çfarë do të bëni me dëshminë tuaj? Do ta jepni?

Paro Laçi: Dëshminë time do ta jap. Do të kërkoj të jem si një person i dëmtuar, përmes avokatit tim. Shpresojmë që gjykata ta pranojë kërkesën time. Nëse nuk e pranon, do t’i kërkojmë gjykatës civile dëmshpërblim. Çdo dëmshpërblim që mund të më japë gjykata, do ta jap drejtpërdrejt për bamirësi, për fëmijë me aftësi të kufizuara që duan të luajnë futboll. Ka shumë shoqata. Do të kërkoj edhe ekspertizë nga kompani zvicerane që bëjnë ekspertime në futboll, për të përcaktuar çfarë dëmi është bërë në atë kohë, kur isha president i Partizanit, me marrjen e atyre fushave.

Në këtë proces penal do të jem si palë e dëmtuar. Prandaj edhe ato para, sado të vendosë gjykata, do t’i jap për bamirësi. Jam dëmtuar shumë shpirtërisht. Nuk kam nevojë për para. Jetën time e kam ndërtuar. Jam rritur i varfër, kam lindur i varfër dhe do të vdes i varfër.

Marsela Karapanço: A e keni dokumentuar në ndonjë formë dëshminë tuaj deri tani, edhe pse nuk keni ardhur fizikisht për ta dhënë? Keni një dokument, keni shkruar diçka?

Paro Laçi: Po punojmë me avokatin tim në Shqipëri dhe me avokatët në Zvicër. Së shpejti do ta depozitojmë dhe do të shohim nëse gjyqtarja do të jetë e njëanshme. Në momentin që është grabitur kompleksi Partizani, unë kam qenë president i ekipit dhe dëmi më i madh financiar, sipas meje, më është bërë mua. Me ekipin dilnim duke paguar për fushat, ku na janë grabitur fushat tona.

Jamarbër Malltezi kërkon ta bëjë çështjen politike, duke përfshirë edhe Ramën. Nuk është problemi kur u mor leja apo çfarë u ndërtua aty. A u ngritën kulla apo mbeti fushë aerodromi?

Edhe Italia fashiste, që ishte pushtuese, kur ka marrë fushat për aerodrom, të paktën dha dëmshpërblim. Këta më keq se pushtuesit, e morën, e grabitën. Nuk u pagua fare as për hotelin, as për investimin që ishte bërë, as për tavolinat, as për zyrat. Na i kanë boshatisur natën. E kam bërë denoncimin. Nëse nuk përfshihen të gjitha denoncimet që kam bërë atëherë, ky është një gjykim i cenuar.