TIRANË- Në GJKKO u mbajt seanca e radhës për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë. Gjykata nuk lejoi transmetimin direkt të seancës në gjyqin “Partizani”, ndërsa u morën dëshmitë e ish-presidentëve dhe ish-drejtorëve të klubit, të cilët nuk dhanë shumë detaje mbi procedurat e privatizimit të klubit ku ushtronin aktivitetin sportiv, mbi truallin e të cilit u ngritën 17 kulla. Ata treguan para gjykatës detaje teknike, ndërsa për një pjesë koha u kishte fshirë kujtimet.

I pari që nisi me dëshminë ishte ish-presidenti i klubit Afrim Tola, i cili në dosjen e SPAK thuhet se ishte një prej anëtarëve të Komisionit, që u ngrit për vlerësimin e klubit shumësportësh të Partizanit. Tola, i cili e ka drejtuar klubin në vitet 2006-2008, në dëshminë e dhënë sot në gjykatë ai deklaroi se godinat që u privatizuan ishin të amortizuara dhe se nuk e mbante mend vlerën me të cilën u vlerësuan.

Klodian Skënderaj: Si ishte gjendja e godinave?

Afrim Tola: Të amortizuara.

Klodian Skënderaj: Thatë se keni bërë inventarizim. Konkretisht, çfarë përmbante?

Afrim Tola: S’e mbaj mend fare.

Klodian Skënderaj: Mbani mend të keni vendosur shifër konkrete për vlerësimin?

Afrim Tola: S’e mbaj mend. Këto kanë qenë akte të Financës.

Ndonëse, Afrim Tola e kishte fshirë kujtesën, në dosjen e SPAK tregohet qartë se si u manipulua procesi i vlerësimit të ndërtesave të kompleksit sportiv duke i shkaktuar shtetit miliona euro dëm. Manipulimi u bë edhe me ndihmë të anëtarëve të Komisionit, një prej tyre Tola, të cilët sipas SPAK kishin lidhje me Fatmir Bektashin, ndërtuesin dhe Argita Malltezin, vajzën e ish kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Në dosje thuhet se është paguar 53 milionë lekë për vlerësimin e ndërtesave nga 489 milionë lekë që ishte vlera reale, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 436 mln lekë.

Edhe ish-drejtori Bujar Labinoti pretendoi se kur klubi është privatizuar, ai kishte dalë në pension. Në dosjen e SPAK, Labinoti përmendet si administrator i shoqërisë “K.S. Partizani” sh.p.k., e regjistruar në vitin 1994.

“Te dorëzimi i klubit nuk kam qenë. Në 2002 dola në pension. Albert Xhani më mbajti, pasi ishte presidenti që drejtonte klubin, ndërsa unë vazhdova deri në 2012. Ai i jepte lekët për pagat, nuk i kalonte më shteti. U bë privat”, tha ai.

Ndërsa, ish-presidenti Albert Xhani tha se nën drejtimin e tij “Partizani” u kthye në shoqëri aksionere sipas rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s. Në dosjen e SPAK, Xhani përmendet si personi që në vitin 2005, në cilësinë e presidentit të shoqërisë “Partizani” sh.a., i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë privatizimin e terreneve sportive pranë KF “Partizani” dhe objektit të ngritur në të.

Në dëshminë e tij, Xhani tha se klubi nuk kishte dokumentacion pronësie për terrenet sportive dhe se fillimisht kishte menduar që toka nuk kishte pronarë, por me kalimin e kohës zbuloi se kishte 200 apo 300 dhe se 15-20 nuk ishin pronësuar.

Sipas tij, i kishte thënë avokati se “nëse do të vazhdonte kështu, kjo tokë që do të ishte për qëllime sportive, mund të përfitohej me një kontratë përdorimi.”

“Tokat që janë për qëllime publike mbeten të tilla”, më tha ai, dhe “lind e drejta e parablerjes për ish-pronarët”, dëshmoi Xhani.

Xhani bëri përgjegjës ish-kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama, për ndryshimin e destinacionit të klubit. Por, në fakt vetë SPAK dhe GJKKO thonë në dosje se ai ndryshim destinacioni u favorizua dhe u firmos nga Sali Berisha.

Konkretisht në dosje thuhet se pavarësisht nga mundësitë e siguruara nga ndryshimi i ligji për Sportet, destinacioni i përdorimit të terreneve sportive u modifikua përfundimisht edhe nga Bashkia dhe nga KRRTRSH, kur kryetar Bashkie ishte Lulzim Basha në 2013-ën. Plani i tij urbanistik, që modifikoi pjesërisht projektin të Urbaplan të Edi Ramës që nuk kishte hyrë asnjëherë në fuqi, u votua vetëm nga Partia Demokratike dhe më pas u ratifikua nga Sali Berisha si kryetari i KRRTRSH.

Dëshmi dhanë edhe Dhurata Çela dhe Petrit Kullolli. E para ish-drejtoreshë e Agjencisë së Pronave për Tiranën dhe i dyti topograf, në grupin e atyre që shqyrtuan dosjen e “Partizanit”. Sipas SPAK, dosja e ish-kompleksit Partizani, ishte nga të parat që u shqyrtua nga agjencia e Pronavel, ndërsa një dëshmi në prokurori e ish drejtoreshës së përgjithshme të Pronave Justina Boriçi konfirmon se Dhurata Çelën e kishte emëruar me rekomandim nga lart. Gjithsesi, Çela në dëshminë e saj në GJKKO u ndal vetëm në detaje teknike, duke deklaruar se gjithçka kalonte përmes protokollit dhe se nuk e mbante mend sa juristë e topografë ishin të punësuar asokohe.

“Në Agjencinë e Kthimit të Pronave kam qenë në vitin 2006 dhe jam larguar në fillim të vitit 2007. Kam qenë drejtoreshë. Kryesisht çohej kërkesa nga subjektet. Pasi plotësohej dokumentacioni, dosja kalonte në hapin tjetër. Në kohën time nuk e di sa topografë dhe juristë kam pasur. Gjithçka kalonte nëpërmjet protokollit. Për familjet ish-pronare kam nxjerrë vendime. Për këto familje kam bërë plotësim vendimi. Ishte kthim dhe kompensim për pronë, por ishte diçka që mund të rihapej si dosje. Nëse institucionet u shkrinë, ndryshuan disa procedura", tha ajo. 

Ndërkohë, ish-topografi në Agjencinë e Kthimit të Pronave për Tiranën në vitet 2005-2009, Petrit Kullolli shpjegoi procedurat e verifikimit dhe matjes së pronave. Në dosjen e SPAK, Kullolli rezulton pjesë e grupit të punës që ka kryer verifikimet në terren dhe ka hartuar relacionet teknike për pronat e familjeve përfituese në territorin e ish-kompleksit “Partizani”.

Sipas aktakuzës, Kullolli ka qenë pjesë e grupit të punës që ka kryer matjet dhe verifikimet në terren për pronat e familjeve përfituese në ish-kompleksin “Partizani”, duke firmosur akt-verifikime dhe relacione teknike bashkë me zyrtarë të tjerë të AKKP-së. SPAK dyshon se disa nga këto verifikime nuk janë kryer realisht në terren ose janë pasqyruar me mospërputhje në sipërfaqet e tokës dhe objekteve.

Në dëshminë e tij, Kullolli pretendoi se me Jamarbër Malltezin nuk është takuar kurrë, por e njeh pasi është person publik. Por, në fakt në dosjen e SPAK thuhet qartë se grupi i ngarkuar me shqyrtimin e dosjeve jo vetëm që ka lidhje me familjet përfituese, por edhe me vetë Jamarbër Malltezin. Një prej anëtarëve të këtij grupi, Rudina Llagami rezulton që vite më pas të jetë punësuar tek shoqëria Kontakt e Malltezit, ndërsa Kullolli i cili pretendoi se nuk kishte asnjë lidhje me dhëndrin e Berishës, rezulton që 2 vite para se të niste procedura e privatizimit, të kishte ofruar shërbim topografik për Malltezin për pasuritë e blera në Priskë.

"Kam qenë i punësuar në vitet 2005-2009 në Agjencinë e Kthimit të Pronave. Kam qenë topograf i Tiranës. Ne verifikonim sipërfaqen, kemi bërë matje me metra dhe instrumenta. Kur është toka e sheshtë, masnim 100 mijë metra. E përshkruanim në skicë. Bënim edhe matje fizike. Ne merrnim hartën dhe bënim dosje me fotokopje. Këto bëheshin brenda ditës. Ditët që shkonim për verifikime merrnim edhe pronarët e tokës.

Në kohën time më caktonte drejtoresha. Jamarbër Malltezin e njoh se është person publik dhe nuk jam takuar kurrë me të. Kemi qenë dy herë, një herë për Begejat dhe një herë për 3 familje të tjera. Inxhinier Nexhat Turkeshi e kam pasur profesor dhe hartat që bënte ai ishin 100% të besueshme. Në punën time private kontaktoja me një person që kishte letra për pronën. Për pronat e Begejave i jam referuar dokumenteve kadastrale dhe hartës së vitit 1937", tha Petrit Kullolli. 

I vetmi që ka mbetur pa dëshmuar është Isa Tare, ish-drejtori i klubit Partizani, një dëshmi që në fakt do kishte shumë interes në procesin për aferën Partizani. Në dosjen e SPAK, thuhet se Tare ka dëshmuar se atij iu premtua një apartament që të mos kundërshtonte privatizimin. Por, në GJKKO ai nuk është paraqitur për të dëshmuar pasi familja pretendon se vuan nga demenca. SPAK kërkoi që të merret si bazë dëshmia që Tare ka dhënë në prokurori, por kjo kërkesë hasi kundërshtimin e mbrojtjes dhe gjykata ende s’ka marrë një vendim. 

Ndërkohë, GJKKO ka thirrur edhe 5 dëshmitarë të tjerë, të cilët do të pyeten në seancat në vijim, mes tyre edhe ish-presidenti i klubit Paro Laçi. Në dosjen e SPAK, thuhet se Paro Laci ka dëshmuar se i është ofruar një pazar nga njerëzit e Berishës për të liruar ambientet e klubit. Madje, në intervista televizive për Report Tv ai ka deklaruar disa herë që është kërcënuar nga Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, e madje i kanë ofruar edhe 500 mijë euro që të mbyllte gojën për këtë çështje.

Dy dëshmitarët e radhës që do të pyeten në seancën e 20 majit, janë ish-ministri i Sportit Ylli Pango, dhe ish-vartësja e tij Violeta Shqevi, që do të pyeten për ndryshimin e ligjit për sportet, që i hapi rrugë procedurës së privatizimit. Është një procesverbal i mbledhjes së Këshillit të ministrave të vitit 2008, një ndër provat kryesore që ka në duar SPAK, ku diskutohej miratimi i një ndryshimi që do t'i bëhej urgjent nenit 31 të ligjit për Sportin për t'u dhënë pronarëve të truallit të objekteve sportive të drejtën e privatizimit të objekteve, duke lejuar ndryshimin e destinacionit.

Në gjyqin “Partizani”, në seancën e 30 prilli dëshmoi kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit. Për të, ishte Sali Berisha i cili për shkak të pozicionit si kryeministër, bëri të mundur privatizimin vetëm brenda 6 muajve me vlerë qesharake, të ish-kompleksit. Për të realizuar këtë, së pari kompleksi 26 mijë metër katrorë, u hoq nga plani i përhapjes së ushtrisë. Qëllimi final sipas tij, ishte përfitimi i bashkëshortit të vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzuan më pas 17 kulla.

EMRAT E PERSONAVE QË DËSHMUAN SOT
Afrim Tole                    Ish-shefi i Klubit Partizani
Bujar Labinoti              Ish drejtori i kompleksit
Albert Xhani                Ish presidenti i Partizanit
Dhurata Çela                Ish drejtoreshë e AKKP Tiranë         
Petrit Kullolli                Topograf në AKKP Tiranë

 

EMRAT E 5 DËSHMITARËVE QË THIRREN SEANCËN E RADHËS
Ylli Pango- ish ministër i Sportit
Tedis Lubonja- Përgjegjëse në sektorin juridik te Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave
Paro Laci- Ish presidenti i Partizanit
Altin Ceni- Specialist në sektorin juridik te Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave
Violeta Shqevi- ish-punonjëse e ministrisë së Sportit

Lexo këtu investigimet e plota të Report Tv dhe Shqiptarja.com për privatizimin e 'Kompleksit Partizani' nga 'klani Berisha'
INVESTIGIMI I

INVESTIGIMI II
INVESTIGIMI III

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:08
Afera Partizani/ Dëshmia e ish-drejtorit të Klubit, Tole: Godinat ishin të amortizuara, nuk mbaj mend me çfarë vlere u vlerësuan

Ish-drejtori i Klubit Sportiv “Partizani”, Afrim Tola, dëshmoi në gjykatë lidhur me gjendjen e ish-kompleksit sportiv dhe procedurat e inventarizimit gjatë kohës që drejtonte klubin në vitet 2006-2008.

Në dëshminë e tij, Tola deklaroi se godinat kanë qenë të amortizuara. Ai pranoi se kishte qenë pjesë e grupit të ngritur për inventarizimin dhe evidentimin e aseteve të klubit, por tha disa herë se nuk i kujtoheshin detaje konkrete mbi vlerësimin e godinave apo aseteve të klubit. 

Avokati i Malltezit, tha se vlerësimi sipas formularit është 20 milionë lekë, por Tola këmbënguli se këto janë akte të financës dhe se nuk i kujtohej vlera. 

Sipas tij, klubi funksiononte me staf të reduktuar dhe me fonde minimale, ndërsa vetëm sportistët elitarë përfitonin pagesa. Tola pretendoi gjithashtu se në ambientet e klubit kishte pasur familje informale që kishin zënë godinat.

Pjesë nga dëshmia në GJKKO

Prokurorja Millonai: Çfarë detyre keni pasur në vitet 2006-2008?

Afrim Tola: Kam qenë drejtor i klubit shumësportësh “Partizani”, më pas në Tatime.

Prokurorja Millonai: Si ka funksionuar ky klub dhe a ka pasur objekte e staf administrativ?

Afrim Tola: anë qenë rreth 6-7 punonjës staf. Sportistët s’kanë pasur status. Objekte ka pasur, është bërë inventar dhe unë kam qenë në komision, por s’e mbaj mend.

Prokurorja Millonai: Vjollca Shirja, e njihni? Kur jeni larguar në 2008?

Afrim Tola: S’më kujtohet mirë. Në 2005 kanë qenë 25 punonjës. Në kohën time staf i reduktuar. Sportistë shumë, për pagesën ka qenë një fond shumë i vogël, ku vetëm sportistët elitarë merrnin diçka. Atë vit u rregullua palestra e volejbollit dhe ajo e mundjes. Me urdhër të vitit 2003 rezulton se është miratuar Sportklubi në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Prokurorja Millonai: Për procedurat e privatizimit çfarë roli keni pasur dhe çfarë veprimesh keni bërë?

Afrim Tola: Kam qenë pjesë e një grupi të ngritur nga ministri për të treguar asetet e klubit.

Millonai: Ke qenë pjesë e grupit të vlerësimit. Çfarë keni bërë?

Afrim Tola: Vetëm kemi treguar objektet.

Millonai: Keni pasur investime?

Afrim Tola: Kemi pasur një fond të vogël, që mezi mbanim frymën gjallë.

Millonai: Në kërkesën për shkurtim fondesh keni pasur rol?

Afrim Tola: Jo.

***

Klodian Skënderaj: Si ishte gjendja e godinave?

Afrim Tola: Të amortizuara.

Klodian Skënderaj: Thatë se keni bërë inventarizim. Konkretisht, çfarë përmbante?

Afrim Tola: S’e mbaj mend fare.

Klodian Skënderaj: Në dijeninë tuaj, mbani mend nëse ka pasur familje informale që kishin zënë ambientet?

Afrim Tola: Ka pasur.

Klodian Skënderaj: Mbani mend të keni vendosur shifër konkrete për vlerësimin?

Afrim Tola: S’e mbaj mend. Këto kanë qenë akte të Financës.

Klodian Skënderaj: Çfarë përmbajtje ka ky inventarizim?

Afrim Tola: Janë të gjitha godinat.

Klodian Skënderaj: Vlerësimi sipas formularit është 20 milionë lekë.

Gjyzari: Duke qenë se në formular ka disa objekte të zëna forcërisht, kur është bërë inventari?

Afrim Tola: Më vonë.

Jamarbër Malltezi: A jeni në dijeni se ka një shkresë të vitit 2003 ku thuhet se godinat kanë qenë të zëna forcërisht?

Afrim Tola: S’më kujtohet.

Jamarbër Malltezi: Jeni në dijeni se Edi Rama i ka firmosur të gjitha shkresat që objektet janë të zëna?

Afrim Tola: S’e di.

Jamarbër Malltezi: Kanë qenë të zëna edhe godinat e Sport Klub “Partizani”?

Afrim Tola: Shumica të zëna.