Në shumë hapësira urbane dhe rurale të Shqipërisë, vazhdon të ndihet ende atmosfera e zgjedhjeve të 23 qershorit, por në dëm të mjedisit. Që nga koha e fushatës zgjedhore e deri më sot, pika kryqëzimesh të rëndësishme urbane si edhe nëpër ndërtesa të ndryshme, banimi apo institucionesh, ka akoma postera propagandues të subjeketve zgjedhore dhe shkrime me spraj.
Për sa i përket materialit propagandistik, në Nenin 79 “Materialet propagandistike”, të Kodit Zgjedhor, shpjegohet qartë se si veprohet me materialet propagandistike. Në pikën e parë të këtij neni thuhet se kryetari i njësisë së qeverisjes vendore cakton, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, vendet publike për afishimin e materialeve propagandistike. Në pikën e dytë thuhet se KQZ-ja miraton, me udhëzim të veçantë, kriteret për përzgjedhjen e këtyre vendeve.
Ndërsa në pikën e tretë dhe të fundit të këtij neni thuhet se çdo afishim i materialeve propagandistike jashtë vendeve publike të autorizuara sjell heqjen e tyre nga organet e zbatimit të ligjit, në varësi të njësisë qeverisëse vendore. Nëse do t’i përmbahemi Kodit Zgjedhor, heqja e materialit progandistik është detyrë e njësive qeverisëse vendore.
Ndërkohë, në pikën e dytë të Nenit 171 thuhet se shkeljet e tjera të dispozitave të këtij Kodi, kur nuk përbëjnë vepër penale, dënohen me gjobë nga 1000 deri në 2500 lekë. Ndërkaq në Kodin Zgjedhor nuk përkufizohet lloji i “materialit propagandistik”, që mund të afishohet në vendet publike sipas ligjit, duke marrë parasysh se gjatë kësaj fushate kemi pasur edhe numrat e subjekteve zgjedhore, që iu janë atribuar në fletët e votimit, të cilat janë pikturuar nëpër mure së bashku me akronimin e subjekteve zgjedhore në fjalë.
Nga ana tjetër, ligji nuk sanksionon subjektet zgjedhore, materiali propagandistik i të cilave është afishur në vende publike në kundravajtje me ligjin. Ndërkaq thelbi i problemit mbetet pastrimi i hapësirave publike nga këto “mbeturina” të fushatave zgjedhore, të cilat vazhdojnë të rrinë të afishuara me vite.
Mbishkrimet
Një nga llojet e materialit propagandistik gjatë kësaj fushate kanë qenë edhe mbishkrimet në mure ndërtesash në format e numrave të subjekteve zgjedhore, që iu janë atribuar në fletët e votimit, të cilat janë pikturuar nëpër mure së bashku me akronimin e subjekteve zgjedhore në fjalë. Zakonisht këto mbishkrime pikturoheshin në orët e vonëtë të natës. Për t’i hequr ato nevojitet që muret të lyhen.
Shkrimi u publikua sot (9.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)