Agnesa Vuthaj: “2013-ta viti im i surprizave”

Agnesa Vuthaj: “2013-ta viti im i surprizave”
Një nga modelet dhe miss-et e cila mban me krenari dhe meritë dy kurora bukurie është Agnesa Vuthaj. Bukuroshja nga Kosova ka marrë pjesë së fundmi në sfilatën kundër sëmundjes së kancerit dhe ndan me lexuesit e “THASH&THEM”, përshtypjet dhe mbresat që ky event i ka lënë. Plot sharm si gjithnjë Vuthaj na tregon edhe për projektet e saj në “Agnesa Vuthaj Association”, fondacion i cili drejtohet nga vetë ajo. Ndërkohë modelja nuk ka lënë pa përmendur as festat e fundvitit, të cilat i ka kaluar së bashku me familjen e saj në Zvicër.Agnesa gjithashtu ka rrëfyer të vërtetën në me propozimin për martesë të marrë më datë 12.12.12. Ajo ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga modelimi duke qenë se edhe ofertat për të sfiluar nuk i kanë munguar asnjëherë.

Agnesa si i festuat festat e fundvitit?

Ndërrimin e motmoteve e kalova në nje festë familjare në Zvicër, derisa ditën e parë të 2013 udhëtova për në Gjermani, për të vazhduar festimet e fillimit të vitit, po ashtu me familjen time.

 Ashtu si shumë emra të njohur të pasarelës dhe të modelimit edhe ju morët pjesë në sfilatën e veçantë që u zhvillua kundër kancerit tek femrat, çfarë ju frymëzoi tek kjo fushatë dhe ç’rëndësi merr ajo për ju?

Mua më frymëzoi idea e sfilatës me kauzën për të luftuar kancerin dhe vetë dijësuar për diagnostifikim të hershëm dhe sensibilizim, por edhe fakti që sfilata quhej “Miss” dhe shumica e modeleve ishim misse nga Kosova dhe Shqipëria, e patjetër edhe koleksioni elegant e me klas i Afërdita Paqarades i dha rëndësinë këtij organizimi të veçantë.

Patët ndonjë stepje kur mësuat se do të sfilonit tullace?

Sfilimi si tullace ishte një ndjenjë solidarizimi me të prekurit me kancer, unë u ndjeva njësoj si me flokë, sepse kur jam në pasarelë përqëndrohem më shumë tek lëvizjet, prezantimi i veshjeve dhe të jap energjinë time të brendshme. Besoj që edhe në jetë femrat mund të ndihen mirë edhe pa flokë, derisa besojnë në bukurinë e brendshme.

Ju njiheni si Miss i dy kurorave atë të Miss Kosovës dhe Miss Shqipërisë çfarë peshe kanë ato për Agnesën?

Kurorat e bukurisë luajtën një rol shumë të rëndësishëm në jetën time. Unë kam ndërtuar karrierën time në fushën e modës dhe spektakleve falë titujve “Miss Kosova” dhe “Miss Albania”, duke marrë pjesë në organizime të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, duke përfaqësuar vendin në spektaklet më të rëndësishme të bukurisë dhe modës në botë, por edhe duke shërbyer si një ambasadore e bukurisë, kulturës dhe traditës shqiptare në botë. Kurora e bukurisë ka vlerë të jashtëzakonshme nëse dimë si ta përdorim.

Si po ecin projektet me “Agnesa Vuthaj Association” cilat janë planet e reja dhe sa e kënaqur jeni me rezultatet e arritura deri tani?

Aktiviteti i fundit për këtë vit ishte në nëntor, ku “Agnesa Vuthaj Association” mundësoi përfaqësimin e Kosovës për herë të pestë në “Miss Earth 2012” në Filipine. Jam e kënaqur me punën që është bërë ndër vite dhe rezultatet e arritura, ndërkaq 2013 do të jetë një vit me më shumë aktivitete dhe projekte të reja.

Po sa i përket modelimit mendoni se do t’i vazhdoni sfilatat?

Me modelim do të vazhdoj patjetër. Unë jam edhe imazh i “Bankës Kombëtare Tregtare” në Kosovë. Në shkurt do jem në një sfilatë në Londër. Vazhdimisht marrë oferta për sfilata dhe sete fotografike në Evropë, Dubai dhe Azi, por duke qenë se jam e angazhuar edhe me Asociacionin tim dhe me punë të tjera në Kosovë, shpeshherë nuk më përputhen datat dhe në shumë aktivitete të modës nuk mund të jem pjesëmarrëse.

Çfarë bën Agnesa në kohën e lirë, cilët janë pasionet tuaja?

Më pëlqen të lexoj, ndodh të kaloj gjithë ditën në shtëpi duke lexuar romanin tim të preferuar, por jam edhe adhuruese e udhëtimeve, udhëtoj shumë me familjen apo shoqet e mia sa herë që kam kohë të lirë.

Pak kohë më parë dhe pikërisht më 12.12.12, keni publikuar një status në Facebook ku flisni për një propozim martese në këtë datë, ç’mund të na thoni më shumë?

Ishte një propozim që më befasoi, sepse nuk e prisja, meqë nuk isha në një lidhje, por megjithatë u emocionova shumë, sepse ishte propozimi i parë që kisha marrë për martesë, prandaj edhe e postova në Facebook, sepse desha ta ndaj këtë emocion të veçantë për mua edhe me miqtë e mi të Facebook-ut.

Ky propozim për martesë iu erdhi nga ndonjë person apo mik i afërt?

Propozimi i 12.12.12 ishte nga dikush me të cilin kishim punuar në një projekt së bashku.

Është Agnesa e dashuruar?

Do doja shumë të isha e dashuruar.

Duhet thënë se gjatë konkurrimit tuaj në “Dancing With The Stars”, keni fituar simpatinë e publikut, si e kujtoni këtë eksperiencë?

DWS e kujtoj si një nga eksperiencat më të bukura të jetës time. Unë akoma vazhdoj të marrë komplimente peë vallëzimet e bëra dhe për paraqitjen time në përgjithësi. Po ashtu krijova miqësi të reja që i ruaj akoma dhe përveç hapave të vallëzimit DWS më dha edhe një mësim të madh për jetën. Do mbetet një përvojë e paharruar përgjithmonë.

Po me Simonen vijoni t’i ruani kontaktet?

Ruaj kontaktet me Simonen, sikur edhe me miqtë e tjerë të DWS.

Do të jeni pjesë e ndonjë projekti televiziv në Shqipëri?
Për momentin nuk kam ndonjë plan konkret për ndonjë projekt në Shqipëri.

Çfarë planesh dhe aspiratash keni për këtë vit të ri?

2013 uroj të jetë një vit i vazhdimit të projekteve paraprake, por edhe i sukseseve të reja. Kam shumë plane që shpresoj të më realizohen edhe dëshira që uroj të më përmbushen, gjithashtu shpresoj të jetë edhe vit i surprizave.

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Momenti shokues! Tezja telefonoi, fëmija i çiftit u përgjigj në kamera dhe tregoi trupin e Eleonorës: Babai vrau mamin!

Momenti shokues! Tezja telefonoi, fëmija i çiftit u përgjigj në kamera dhe tregoi trupin e Eleonorës: Babai vrau mamin!