Agron Gjekmarkaj: Ditmiri më dha këshilla të vyera, doktorit i ke thyer zemrën, kujdes mos i jep gojës me Lulin

Agron Gjekmarkaj: Ditmiri më dha këshilla të vyera, doktorit i ke thyer zemrën, kujdes mos i jep gojës me Lulin

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Ditmiri më dha këshilla të vyera! Muaj i trazuar ishte ky. Pikëllimi na ka sulmuar në çdo anë. Mërzirat këputen si gjethe vjeshte dhe na bien në prehër. Në mes të kësaj zymtësie e zvetënimi i prekur nga “Kronika” e fundit mbi ngashërimet publike Ditmiri shfaqi anën e vet të mirë që pak kush ia njeh e shumë mendojnë që s’e ka i uruari.

Ndonëse po merret me gazetari ku bën video mbi situatën globale prej të cilave duket qartë se shëndeti i ka prirë për mbarë gjeti kohë edhe për mua. Marazet e mia i kishte ndjekur një nga një. Si i ndjeshëm që është në dy tre momente kishte rënë në zali. Të lexova tha e mendova të të ndihmoj me këshilla nuk thonë kot më mirë një mik se një çiflig.

Zemrën i ke thyer Doktorit dhe katoliçizmën në PD ia dorëzove prapë atij që i takon, Aldushit dhe mirë ke bërë se ata janë të punësuar familjarisht në parti. Nuk thoshte kot shoku Enver “toka i takon atij që e punon”. Gjënë mirë po vazhdon traditën e diplomacisë parlamentare amanet nga “Zonja e hekurt” por të mungon një ekip i RTSH nga pas që t’i rrëfeje kombit sukseset që po korr.

Në dy partitë tuaja shoh tollovi dhe nuk po gjen rehat, por duhet të mbështetesh më shumë tek elementet cilësore në parlament. Gjithsesi trokit njëherë edhe tek Babo se mund të të hapet dera dhe aty mund të gjesh shokë besnikë!

Të parin ke Taon se e ke edhe ngjitmas me bankë! Ai ndihet pak ligsht këto kohë virane se nuk e ka pranë as Alket Hysenin që mbulonte çështjet akademike në parti, por derman për lista librash i bën Ulsiu. Moglin, librin e xhunglës ai ia kishte rekomanduar. Aty afër ke dhe Tonin për çështje besimi e gjëma shpirti ai t’i hukat dhimbjet. Sa Biblën aq dhe Babon do. Këdo të citojë nuk gabon.

Më pas ke Etildën. Puna dhe modestia janë tiparet e saj, përfito. Nëse ke brenga dhe do t’i shuash, rend për ke tezja. Shpirti i saj është det plot dallgë që të nxjerrin në bregun e shpresës së mirë. Unë edhe pas kaq vitesh me të flas darkave gjerë e gjatë. Mallëngjehemi e qeshim si çiliminj prej ngazëllimeve. S’ka si Tezja, ajo i jep kuptim miqësisë, shenjtërisë së saj. Për punë ushtrie ke më të mirën e krejtëve Mimi di Puçini. Ajo të shpjegon fuqinë e urdhrit dhe magjinë e bindjes, si Bakja bëhet President dhe Mimia gëzohet duke i rënë qanes pas darke.

Kurrë mos nëvleftëso Nikon dhe gatishmërinë e tij për të të ndenjur pranë. Shëtitjet tona të gjata te liqeni nuk kishin të sosur gjatë asaj të mallkuar disidence. Ai ka nevoje të ecë, të marrë ajër dhe liqeni po e pret po kësaj here me i dëlirur nga mendimet e këqija.

Për komunikimin, deklamimin dhe retorikën ke Elisën. Me Tigrushin mund të bësh biseda filozofike mbi pushtetin si afrodiziak dhe kur ai ikën njeriu paqtohet si keci pas adeteve. Fridën e njoha pak, nuk e di në është ajo po Bora që pyetën për mua Shalsin ‘kush ishte një Ditmar Ditmar’ po unë nuk jua marr për keq, ngarkesa e madhe për vatanin, puna nuk i le të merren me të shkuarën po ti mund të japësh leksione tek akademia e barinjve se si biçim pedagogu je!

Teta Gertën e shoh të menduar këto kohe, po është shpirt njeriu. E ke parë si pikëllohet kur iu lanetërit e opozitës shani Babon. Vetëm në atë moment ajo ju do të pjekur në hell. Meqenëse i ke rënë Ballkanit si lugat shpresoj të kesh konsultuar me Majkon për çështje të diasporës, nejse nëse s’e ke bërë gabim, për çështje patriotizmi me atë merru. Punët e Shqipërisë ia zbardhën flokët, por edhe ti në atë rruge je! Punët e shëndetit besoja Damos! Ai i di palestrat më të mira në krejt kasabanë. Me pak mundim bëhesh ashik i vërtetë.

Gojës mos i jep shumë se ajo po të merr në qafë. Luli mund të kthehet e të marrë një ngastër të vogël po aq i duhet si erdhi puna e ti thua të ike doktori e erë të bëhet Luli në të fshehur. Zëvendës Lider Muli po të pret për një tjetër dreke se ai e ka të madhe zemrën edhe pse herë pas herë zhgënjime të tmerrshme i ke dhënë.

Nuk të bën përshtypje që ai Salianji si shumë i pjekur e me mendime të thella këto kohë? Po fuqia sulmuese e Gaz Bardhit nuk të nxit për beteja? Tani që Grida iku e pas trandjes tënde, a po tregon dhimbje Jorida apo ajo shpreson që të pëlcasësh si Kostandini në derë? Jo, ia ktheva më sheh si jetim e më rri pranë.

Në seancën e fundit Çuçi dhe Ulsiu dukeshin si të hidhëruar. Faji është yti se kur nuk bën kronikën duket sikur i nxjerr nga historia qafirët. Vendi ka festa dhe ti mos rri mënjanë si qyq e nuk jep flakë atdhedashurisë siç bëjnë të gjithë! Hajt tani gëzuar 28-29 Nëntorin, a harrova ju të djathtët keni vetëm datën 28! Askush nuk më kishte dhënë kaq këshilla në një hapësirë kaq të vogël kohe, mbeta shtang!!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë