Një nga ikonat më të mëdha të futbollit shqiptar, Agustin Kola (66 vjeç), po kalon momente të vështira për shkak të problemeve shëndetësore. Ish-sulmuesi i famshëm i Tiranës dhe kombëtares shqiptare është shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Burime pranë familjes bëjnë me dije se Kola është diagnostikuar me ulçerë në stomak, ndërsa po i nënshtrohet trajtimeve të specializuara mjekësore. Fatmirësisht, gjendja e tij raportohet e stabilizuar, megjithëse kërkon ende kujdes të vazhdueshëm nga personeli shëndetësor.

Klubi bardheblu nuk ka qëndruar indiferent. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, KF Tirana ka shprehur mbështetjen e plotë për legjendën e saj, duke u shprehur i bindur se Kola do ta fitojë edhe këtë betejë, ashtu siç ka bërë gjithmonë në fushë.

"KF Tirana ka ndjekur nga afër gjendjen shëndetësore të legjendës sonë, Agustin Kola, duke qenë pranë tij fizikisht që nga dita e parë e shtrimit në spital. Për klubin tonë, prioriteti kryesor ka qenë dhe mbetet mirëqenia e tij. Solidariteti dhe përkushtimi ynë janë shprehur çdo ditë përmes kujdesit të afërt dhe mbështetjes së vazhdueshme.

E kuptojmë që jo i gjithë komuniteti bardheblu ka mundësi të komunikojë me të privatisht, ndaj është e rëndësishme për ne që t’ju ofrojmë këtë hapësirë për të shprehur urimet dhe dëshirat tuaja për shërimin e tij të shpejtë. E presim me padurim legjendën Kola dhe jemi të sigurt se së shpejti do të shihemi në stadium", njofton Tirana.

Agustin Kola mbetet një nga figurat më të dashura të futbollit shqiptar, i njohur për pasionin, karakterin luftarak dhe kontributin e jashtëzakonshëm në historinë e Tiranës dhe të Kombëtares.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?