Ahmetaj: 2015-a, viti i luftës
kundër informalitetit në biznes

Ahmetaj: 2015-a, viti i luftës<br />kundër informalitetit në biznes
TIRANE- Gjatë aktivitetit të organizuar nga Ministria e Ekonomisë për ndarjen e çmimeve për sipërmarrjen më të mirë të vitit 2014, ministri Arben Ahmetaj ka njoftuar për një tjetër aksion të qeverisë, kësaj here kundër informalitetit në sipërmarrje. Në çeljen e mbrëmjes gala për ndarjen e 15 çmimeve "Bleta e artë 2014" në Teatrin e Operas dhe Baletit, ministri Ahmetaj tha se 2015 do të jetë viti i luftës kundër informalitetit, dhe i garantimit të konkurrencës së lirë. Duke u ndalur tek prioritetet e qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit, ministri Ahmetaj tha se synohet rritja e prodhimit dhe eksporteve. Fjala e plotë e ministrit Ahmetaj në ndarjen e çmimeve "Bleta e artë 2014"

“Viti që vjen do të jetë viti i luftës kundër informalitetit. Vizioni ynë është që Shqipëria të kthehet në një vend i rëndësishëm prodhimi, përpunimi dhe tregtimi në rajon. Sipërmarrjen e shohim si një pasuri kombëtare. Paketa fason synon rritje 20 % të eksporteve. Ekonomia shqiptare kërkon hope cilësore dhe sasiore në mënyrë që ne t’i japim qytetarit dhe sipërmarrësit shqiptar atë që pret për të ardhmen”, tha ministri Ahmetaj.

Më tej, ministri Ahmetaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisë dhe sipërmarrjes private. Ahmetaj, tha se qeveria Rama njohu borxhin e qeverisë ndaj sipërmarrjes dhe deri më tani janë shlyer rreth 300 milionë dollarë.

“Marrëdhënia me sipërmarrjen ka munguar për vite me radhë. Çmimi “Bleta e artë” apo “Sipërmarrësi i vitit”, nisi vjet si një risi, për të hapur një marrëdhënie të re mes qeverisës e sipërmarrjes. Donim të ngrinim një urë lidhëse dhe bashkëpunimi me sipërmarrjen private. Mendoj se në muajt që kanë shkuar kemi bërë shumë në këtë drejtim, do të vazhdojmë të bëjmë shumë. Në 15 muajt e fundit kemi rritur bashkëpunimin me sipërmarrjen. Që ditën e parë morëm përsipër të njihnim borxhin ndaj sipërmarrjes, dhe deri më sot kemi dhënë 300 mln dollarë për ta. Ngritëm Këshillin Ekonomik Kombëtar si një urë bashkëpunimi, dhe funksionin në mënyrë spektakolare, transparente dhe intensive”, tha ministri Ahmetaj.

Gjatë këtij aktiviteti ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama u ndanë 15 çmime për sipërmarrjen. Ndërsa drejtoresha e Tatimeve, Briseida Shehaj mori çmimin "Administratori i vitit".

Më poshtë kategoritë e çmimeve dhe fituesit për çdo kategori
1- Çmimi “Biznesi fason” – Krienko
2- Cmimi “Inovacion” – MirakaTec
3- Çmimi “Gruaja sipërmarrëse” – Lindita Legisi, “Omega”
4- Çmimi “Made in Albania” – Kraco
5- Çmimi “Standarde dhe cilësi” – Papmetal
6- Çmimi “BusinessPromotion” – Biznes Albania
7- Çmimi “Vula e cilësisë” – Engjëll Mazreku
8- Çmimi “Punësim në vend të lëmoshës” – VipSaloti
9- Çmimi “Siguri në punë” – Kassel
10- Çmimi “Përgjegjësi Sociale” – Raiffeisen
11- Çmimi “Biz-Art” – Kalo andAssociates
12- Çmimi “Letrat e Bukura” – “Pegi”
13- Çmimi “Teknologjinë e Informacionit” - EasyPay
14- Çmimi “Shija e posaçme” – Restorant “Artisti”
15- Çmimi “Mikpritja e spikatur” - “LifeGallery”

Fituesit në kategorinë “Administratori i vitit” u shpallën Briseida Shehaj, Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve në kategorinë femra dhe Artan Didi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në kategorinë meshkuj.




Rama: Shtet–sipërmarrje një marrëdhënie e degraduar, po e ndryshojmë
Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Bleta e artë 2014”, sipërmarrësi i vitit 2014, është ndalur tek raportet qeveri-sipërmarrje, duke u shprehur se gjatë këtyre viteve kjo ka qenë një marrëdhënie e degraduar. Kreu i qeverisë tha se tashmë kjo marrëdhënie po ndryshon, ndërsa theksoi se po vijon puna për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit. Rama tha se deri në fund të 2014, do të shlyhen 400 mln dollarë borxhe ndaj biznesit.
 
“Shoqëria jonë prej 2 dekadash e përbuz sipërmarrësin. Ka patur klientelizëm dhe dajak gjobash e borxhesh të marra forcërisht nga ana tjetër. As media s’ka mundur të ndikojë për të ndryshuar këtë marrëdhënie primitive të qeverisë me sipërmarrjen. Sektori privat në Shqipëri është zhvilluar pas një perdeje te errët paragjykimesh dhe padijenie që i ka mbajtur jashtë syrit të publikut protagonistët kurajozë të sipërmarrjes së lirë. Pas çdo sipërmarrësi ka një hije të fortë dyshimi, për të mos thënë ka një përbuzje të brendshme, që e shoqëron prej kohësh këtë figurë në vendin tonë. U krijua borxhi 720 mln dollarë. Ne jemi këtu për t’i dhënë sipërmarrjes një mesazh të fortë respekti, dhe qëndrimi për ta krijuar një kthesë në marrëdhënie me ta. Borxhet kanë nisur të shlyhen në një pjesë të madhe të tyre. Deri në 31 dhjetor, ne do të kemi shlyer 400 mln dollarë, dhe pjesën tjetër vitin e ardhshëm. TVSh rimbursohet tashmë automatikisht, dhe askush s’ka pse të paguajë më ryshfet për ta marrë. Gjobat nuk janë më një zë i ndjeshëm në të ardhurat e tatimeve. Kjo i takon të shkuarës. Por jemi ende shumë larg vendosjet se figurës së sipërmarrësit në piedestalin e merituar. Jemi larg vendosjes në vend të dinjitetit të figurës së sipërmarrësit. Mungesa e besimit të sipërmarrjes ndaj shtetit është një problem që duhet ta kalojmë së bashku”, tha kryeministri Rama.
 
Në fund të fjalës së tij, kreu i qeverisë u kërkoi ndjesë të gjithë sipërmarrësve për ndonjë problematikë të hasur prej tyre gjatë gjithë muajve të qeverisjes PS-LSI.
 
“Ju kërkoj ndjesë për gjithçka mund të mos ketë funksionuar në ketë një vit qeverisje në praktikat tuaja me shtetin”, u shpreh kryeministri Rama.
 
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Do bashkojnë votat për atentat kushtetues’, paralajmëron Basha: Rama dhe Berisha pakt për të mbyllur listat, e votojnë në seëancën plenare

‘Do bashkojnë votat për atentat kushtetues’, paralajmëron Basha: Rama dhe Berisha pakt për të mbyllur listat, e votojnë në seëancën plenare