ZYRTARE/ Ish-kreu i Anti-Terrorit, Gledis Nano emërohet drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në vend të Ardi Veliut! Priten ndryshime në disa drejtori

TIRANË- Gledis Nano është drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili vjen në këtë post pas dorëheqjes së Ardi Veliut. Emërimi i tij erdhi si propozim nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, e ndërsa sot është miratuar nga Këshilli i Ministrave, me firmë nga zv. kryeministri Arben Ahmetaj, pasi Edi Rama ndodhet në Slloveni.

Kush është Gledis Nano?
Gledis Nano ka qenë pjesë e bluve prej shumë vitesh, ndërsa ka mbajtur detyra të rëndësishme, pavarësisht se është kujdesur për një profil të ulët publik. Që prej 17 shkurtit 2016 ka qenë në krye të Drejtorisë së Antiterrorit, ndërsa ka rënë disa herë në sy për çështje tejet delikate. Gledis Nano, si pjesë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, por jo si drejtues, është kujdesur për njërën prej dosjeve më të bujshme të viteve të fundit, atë të “imamëve” që u arrestuan dhe dënuan për terrorizëm, në vitin 2003. Kjo ngjarje ka pasur jehonë në atë kohë dhe i dha ngritje të lartë Nanos. Një tjetër dosje e rëndësishme që Gledis Nano ka hetuar ka qenë ajo e celulës terroriste të qeverisë iraniane, të cilët kishin planifikuar një sulm ndaj lëvizjes opozitare që jetojnë në Shqipëri, në vitin 2019. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, Nano ka udhëhequr riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet famëkeqe të Sirisë, operacione që kanë pasur nivel të lartë vështirësie. Puna e kryer si drejtues i Antiterrorit, i rriti kredencialet Gledis Nanos edhe në sytë e amerikaëve, të cilët nuk kanë hezituar ta vlerësojnë. Ai ka pasur bashkëpunim të ngushtë gjatë ushtrimit të detyrës me selinë pranë rrugës së Elbasanit.

Gledis Nano krah ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim

Gledis Nano e ka kaluar Vettingun e Polisië dhe tashmë në detyrën e re, do të përballet me sfida të vështira, të cilat vijnë të trashëguara nga paraardhësi i tij, Ardi Veliu. Kriminaliteti, trafiku i narkotikëve dhe siguria publike janë shtyllat ku pritet të fokusohet drejtuesi i ri. Nano vjen në këtë detyrë pas një paraardhësi që është sulmuar vazhdimisht për ngjarjet kriminale që kanë ngelur të pazbardhura dhe skandaleve. Ardi Veliu, zgjodhi të tërhiqej nga Policia e Shtetit pa e përfunduar mandatin dhe pa pretenduar një mandat të dytë, ndërsa dorëheqjen ia komunikoi kryeministrit Edi Rama. Kreu i ekzekutivit vlerësoi rolin e tij për disa vite në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit.

Me firmën e drejtorit të ri pritet të firmosen edhe ndryshime në disa drejtori të policisë në qarqe, të cilat vijnë në kuadër të ristrukturimit të Policisë së Shtetit për afatin 100 ditor të dhënë nga kryeministri Rama. Në koridoret e Drejtorisë së Përgjithshme tashmë kanë filluar zërat për lëvizje të mundshme, por gjithçka pritet të bëhet kur drejtori i ri të fillojë punën.

Ardi Veliu u fut dje në listën e Drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që nuk e përfundoi dot mandatin e plotë 5-vjeçar në këtë post. Ditën e djeshme, Veliu i dorëzoi Kryeministrit Edi Rama letrën e dorëheqjes, ku shkruante se do i përkushtohej më shumë familjes. Kjo dorëheqje erdhi 10 ditë para përfundimit të afatit 100 ditor që kryeministri Edi Rama kishte vënë për riorganizimin e Policisë së Shtetit dhe vendosur prioritete të qarta, e ndërsa në reagimin e saj, PD tha se tashmë “Në krye të Policisë së Shtetit sot ka një bandit më pak”.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:34
Nga shkollimi, deri te vlerësimi nga ambasadorja Kim, kush është drejtori i ri i Policisë së Shtetit

Gledis Nano është emëruar drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. I martuar me dy fëmijë, Nano lindi në Shkodër më 26.08.1981. Pas përfundimit të Shkollës së Mesme, ai përfundoi Akademinë e Policisë “ Arben Zylyftari” më 2002 ku më pas emërohet Specialist i Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Shëndetit në Sektorin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Qarku Korçë.

Më pas, në 2011 Gledis Nano përfundoi Fakultetin e Drejtësisë, Dega Juridik në Shkodër dhe gjithashtu përfundoi studimet në Master Shkencor “E Drejta Penale: në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë.

Nga Gushti i vitit 2002 deri në marrjen e detyrës së Drejtorit të Drejtorisë së Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ai ngjiti një e nga një shkallët e karrierës policore duke kaluar detyrat nga specialist e deri në Drejtor. Krahas karrierës policore, Nano ndoqi dhe përfundoi me sukses një sërë trajnimesh ndërkombëtare për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes ku ndër të tjera vlen të përmendet përfundimi i studimeve në “Programin mbi studimet e Terrorizmit dhe Sigurisë” në Kolegjin Europian për Studime të Avancuara të Sigurisë Geroge C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani si dhe Akademinë Kombëtare të FBI, Sesioni i 268 në Quantico, Virginia, Ëashington DC, SHBA.

Gjatë karrierës së tij si Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kontributi dhe operacionet e drejtuara nga Gledis Nano ishin thelbësore për realizimin me sukses të operacionit të riatdhesimit të Shqiptarëve nga kampet famëkeq të Al-Hol.

Njohës shumë i mirë i katër gjuhëve të huaja, Gledis Nano është vlerësuar më një sërë certifikatash dhe vlerësimesh nga drejtues Institucionesh të rëndësisë së veçantë të sigurisë nga vendet partnere. Gjithashtu, Gledis Nano është vlerësuar me Medalja e Artë “Për rezultate të shkëlqyera në ndjekjen e studimeve në Akademinë Ndërkombëtar të Zbatimit të Ligjit” Budapest, Hungari; Medalja e Nderit  akorduar në vitin 2016, me motivacionin “Për shërbime të shquara dhe profesionalizëm të lartë të treguar në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të aktiviteteve terroriste në Shqipëri”; gjithashtu, Gledis Nano u vlerësua me Certifikatë Lavdërimi me motivacionin “për Arritje të Shkëlqyera për sigurimin e informacioneve policor me vlerë për Ambasadën e ShBA në Tiranë si në raste të hetimit të terrorizmit ashtu dhe në çështje të tjera me karakter policor. Përkushtimi dhe puna juaj e palodhur ka çuar lart emrin tuaj, atë të Drejtorisë së Antiterrorit  , dhe të përpjekjeve tona të përbashkëta në luftën ndërkombëtare ndaj terrorizmit”, akorduar nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.

Ora 13:32
Nga Didi te Veliu, fati i drejtorëve të policisë gjatë Rilindjes, përse u dorëhoqën të gjithë dhe askush s’përfundoi mandatin 5 vjeçar?

1633519928_page.jpg

Hysni Burgaj, Artan Didi, Haki Çako dhe Ardi Veliu

Asnjëri nga katër drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit mbas 2013-ës nuk e përfundoi mandatin pesë vjeçar në krye të uniformave blu. Që të katërt të larguar përmes dorëheqjes së heshtur sapo tensionet dhe diskutimet janë mbyllur.

E tillë është edhe dorëheqja e Ardi Veliut, kryepolic nga 2018 deri në 5 tetor 2021. Me një letër kërkese për tu dorëhequr, e bërë publike nga kryeministri, Veliu premton se nuk do kërkojë mandat tjetër të dytë, ndonëse ai  nuk arriti ta mbyllë dot as të parin që i mbaronte në shkurt 2023.

I pari ishte Artan Didi

Oficeri i karrierës Artan Didi, i njohur si një nga më të mirët e Renea-s për shkak të një operacioni për kapjen e një terroristi, kishte lënë policinë gjatë vitit 2005, atëherë kur si kryeministër ishte Sali Berisha.

Ai u rikthye për tu emëruar në krye të policisë së shtetit, menjëherë mbas dorëheqjes së Hysni Burgaj dhe e mbajti këtë detyrë nga tetori 2013  deri në 31 mars 2015. Ai dorëzoi kapelen e kryepolicit përmes një letre ku njoftonte dorëheqjen, pa u shuar ende zhurmat për mos ekzekutimin e urdhër arrestit për Mark Frrokun, një shkresë që u harrua në tavolinat e Policisë së Shtetit.

Për këtë skandal pati një përplasje me ish kreun e Interpol Artan Bajraktari, me seli në Tiranë, ndërkohë që Didi më jetëshkurtri në këtë detyrë me vetëm dy vite si kryepolic u largua në SHBA.

Me dorëheqje u largua edhe Haki Çako, një oficer policie që kishte prekur disa komisariate dhe së fundmi edhe drejtor i policisë së Lazaratit që siç duket spikati gjatë rënies së këtij fshati dhe mori stafetën në prill 2015 deri në janar 2018, ku u lirua mbas dorëheqjes kur ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj. 54 vjeçari nga Lushnja u përfol  dhe u vendos nën hetim për skandalin e Imsi Catcher, një hetim që përfundoi në gjykatë dhe dërgoi disa oficerë, njëri  prej të cilëve sipas burimeve të Gazetasi.al më vonë u largua për azil politik në Kanada.

Çako u zëvendësua për një periudhë tranzitore nga Rebani Jaupaj që qëndroi i komanduar derisa me propozim të Xhafës, mori drejtimin e policisë shqiptare Ardi Veliu, që ishte kataplutuar nga policia rrugore, në krye të policisë më të madhe në vend atë të kryeqytetit dhe më pas ju vendosën spaletat e Drejtorit të Përgjithshëm të policisë.

Por edhe për Ardi Veliun, aktualisht 49 vjeç emërimi zgjati nga 2018 deri në fillim të tetorit, që siç kuptohet ka qenë muaj i vështirë për mjaft kryepolicë të tjerë. Por largimi i tij nuk ndodhi gjatë asnjërit prej skandaleve si vrasja e Klodian Rashës, protestat e dhunshme që vetë ai i përmendte në letrën e diskutuar, apo edhe akuzave  me nënën e një të mituri i cili u shoqërua dhunshëm gjatë kufizimeve të lëvizjeve nga pandemia COVID19./ GazetaSi

Ora 13:01
‘Veliu do largohet kur t’i mbarojë kandili’, ministri sqaron deklaratën: Më keni keqkuptuar

 

Ditën e djeshme, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i pyetur nëse është shkarkuar Ardi Veliut u përgjigj me batutë duke thënë “"Do e merrni vesh në kohën e duhur, kur t’i mbarojë kandili". Kjo deklaratë e tij u bë kryefjalë në mediat në vend, e ndërsa sot, Çuçi e sqaroi duke thënë se është keqkuptuar, teksa listoi ato që ai quan arritjet në Policinë e Shtetit.

“Ma keni keqkuptuar pjesën e kandilit, se janë situata që krijohen në dinamikë në Komisionet parlamentare, të gjithë sektorët që nga numri i vrasjeve është përgjysmuar nga 2013, apo OFL, apo performanca apo besueshmëria që është ndaj Policisë së Shtetit. Të 100 ditëshit do ketë edhe 300 ditë dhe gjithmonë synojmë përmirësimin, sjellim një energji të re me synimin që të realizojmë objektivat apo angazhimet që kemi marrë në mandatin e tretë”, tha ai.

Ora 12:58
Ministri i Brendshëm: Veliu e ngriti Policinë e Shtetit në nivelet më të larta në 30 vite, Nano ka një sfidë të rëndësishme para

 

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se Gledis Nano ka një sfidë të rëndësishme përpara, për të çuar përpara performancën e Policisë së Shtetit, që ka bërë Ardi Veliu.

“Veliu largohet nga kjo detyrë me rezultate shumë të larta, duke e çuar në nivele si asnjëherë tjetër në këto 30 vite performancën e policisë së shtetit dhe kjo, falë profesionalizmit të Ardi Veliut dhe të gjithë treguesit e sektorit të Policisë flasin për një rritje dhe standard të krijuar për performancën e policisë së Shtetit. Nano, një oficer karriere, ka një sfidë për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të Ardi Veliut”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 07/10/2021 00:52

    <<...kur t'i mbaroje kandili.>> Hajde Cuci,hajde,pergjigje prej ministri e zyrtari te larte shteti !!!!

    Përgjigju
  • Genti: 06/10/2021 14:24

    Urime Gledis per detyren e te, te lutem ktheje kryt nga shkodra se banda e bajreve nuk po na lejon me jetu te qete, dhe kte drejtorin e policise shkoder zhduke nje sek e ma pare, qoje atje nder malet e tepelenes nga eshte ai, se punon me krimin. Respekte dhe urime per detyren e re.

    Përgjigju
  • Sifi: 06/10/2021 13:53

    Ardi Veliu si drejtir i policise ka merita per rritjen e luftes kunder kriminalitetit dhe rritjes se bedimit te popullit mbi unifirmat blu .Te dal Gaz Bardhi dhe te etiketoj bandit Ardi Veliun eshte turp dhe veper penale.Banditi kryen vepra antiligj .A ka prova per te ?Ardi Veliu duhet te padis Vgaz Bardhin per fyerje publike .

    Përgjigju
  • Goni: 06/10/2021 13:34

    Firmosja nga zv.Kryeministri eshte shkelje e kushtetutes dhe ligjit. Te tilla kompetenca nuk delegohen. Psh, neser ai mund ta shkarkoje???? Jo, pasi vetem Kryeministri e ka kompetence. Po Shqiperi hesapi, kush pyt.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë