Ajri i Tiranës rrezik për shëndetin
niveli i ozonit mbi normën e OBSH

Ajri i Tiranës rrezik për shëndetin<br />niveli i ozonit mbi normën e OBSH
TIRANE - Ajri që thithin banoerët e kryqytetit përbën një kërcënim për shëndetin e tyre. Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar raportin e monitorimit të cilësisë së ajrit për vitin 2012, ku ndonëse vihet re një përmirësim në masën 10% krahasuar me vitin 2011, sërish ndotja është tepër e lartë dhe klasifikohet në zonën e rrezikut për shëndetin e qytetarëve, sidomos qendra e Tiranës.

“Përmbajtja e grimcave, PM 2.5 dhe PM 10 është praktikisht e njëllojtë në qendër të qytetit dhe në periferi të tij. Kjo thekson gravitetin e problemit të grimcave të imta në ajrin urban, dhe vendos studiuesit e vendimmarrësit para detyrash jo të lehta për të luftuar ndotjen e ajrit në të ardhmen.

Në përmbajtje të gazeve nuk ka ndonjë ndryshim të rëndësishëm, nga që dyoksidi i azotit NO2 dhe benzeni kanë thuajse të njëjtët nivele me një vit më parë. Por ajo që ka rëndësi është fakti se që të dy këta gaze janë fare pranë kufijve mesatarë vjetorë të lejuar prej KE, duke u bërë faktor shtesë në mozaikun e ndotjes së ajrit të Tiranës.

Edhe pse ka një përmirësim të përmbajtjes së grimcave në ajër krahasuar me vitin 2011, Tirana vazhdon të mbetet një qytet me ajër të rrezikshëm për jetën në qendrën e saj. Indeksi shëndetsor i cilësisë së ajrit (AQHI), mjaft i njohur tani në Amerikën Veriore (Kanada), ka gjithashtu një përmirësim të masës rreth 10 përqind, por qëndron përsëri pranë atij që konsiderohet kufi i ajrit të rrezikshëm për jetesën e populatës.

Ky indeks shëndetsor i cilësisë së ajrit ka në bazën e llogaritjes së vet veprimin e kombinuar të ozonit O3, dyoksidit të azotit NO2 dhe grimcave shumë të imta PM 2.5 mbi organizmin e njeriut, prandaj ndonëse përmbajtja e grimcave të imta (PM 10/PM2.5) në qendrën e qytetit ka shënuar një ulje të konsiderueshme gjatë vitit 2012 në krahasim me vitin 2011 kryesisht për efekt të normalizimit të trafikut, nuk janë ulur aspak gazet ozon O3 e dyoksid i azotit NO2”, - thuhet në raportin e ISHP-së që mund ta lexoni të plotë në http://ëëë.ishp.gov.al/multimedia/raporti_vjetor_i_cilesise_se _ajrit.pdf.  AQIH u tejkalua në qendër të Tiranës në muajt janar, mars, gusht dhe dhjetor. Raporti sqaron me detaje praninë e gazeve të dëmshne në ajrin e Tiranës

OZONI (O3)

Është një gaz mjaft reaktiv, që ekziston në pjesën e poshtme të atmosferës (nivelin e tokës) por edhe në troposferë. Ai nuk shkarkohet direkt nga njeriu, por formohet nga reaksionet kimike mes ndotesish të tjerë. Normat e KE sugjerojnë që një mesatare ditore 8 orëshe prej 120 μg/m3 nuk duhet të kalohet me shume se 18 herë në vit. Ne rastin e vitit 2012 kjo është tejkaluar 24 herë në stacionin e qendrës dhe 99 herë në stacionin e ISHP.

DYOKSIDI I SQUFURIT (SO2)

Është një gaz pa ngjyrë, i cili në përqendrime të lartë ka shije dhe erë. Djegia e naftës dhe qymyrit, si edhe e gazit, kur këta përmbajnë squfur mund të konsiderohet si burimi kryesor i formimit të tij. Përmbajtja e tij në ajrin e qytetit të Tiranës është më e ulët se ajo e lejuar prej legjislacionit të KE.

DYOKSIDI I AZOTIT (NO2)

Është më shumë një ndotës sekondar, i formuar prej oksidimit të oksidit nitror NO. Në qytetin e Tiranës burimi primar i oksidit nitror janë makinat, ndonëse po rritet edhe kontributi relativ nga banesat (ngrohja dhe ftohja). Përmbajtja e dyoksidit të azotit në qendrën e qytetit dhe në kryqëzimet e trafikut tashmë kapeëcen vlerën kufi të KE (40 μg/m3), ndërsa në asnjë rast nuk është kapur kapërcim i vlerës kufi orare të KE (200 μg/m3).

MONOKSIDI I KARBONIT (CO)

Është një gaz pa shije, ngjyrë dhe erë. Burimi i tij kryesor në ajrin mjedisor është transporti rrugor. Në qytetin e Tiranës burimi kryesor është djegia jo e plotë e karburanteve në automjetet rrugore dhe përqendrimet më të larta hasen pranë rrugeve. Vlera më e larte ditore e kapur është 2.9 mg/m3, kufiri i KE është 10 mg/m3.

GRIMCAT E IMTA (PM10 DHE PM2.5)

PM10 është lëndë e grimcuar e imët, me diametër grimcash më të vogël se 10 mikron. Ndërsa PM2.5 është lënda e grimcuar shumë e imët, me diametër grimcash më të vogël se 2.5 mikron. Këto lloj grimcash të ajrit konsiderohen aktualisht prej OBSH si ndotësit më të rrezikshëm urban për shëndetin e njeriut. Mesatarja ditore e PM10, prej 50 μg/m3 është tejkaluar 49 herë në pikën e stacionit të qendrës së qytetit, dhe 80 herë në pikën e stacionit të ISHP, ndërsa për 211 kjo vlerë është tejkaluar 156 herë në qendër të Tiranës.

BENZENI

Benzeni është një hidrokarbur aromatik. Në qytetin eTiranës burimi primar i benzenit është shkarkimi nga automjetet që përdorin benzinën si karburant. Përmbajtja e tij në ajër është akoma brenda normës së lejuar në vendet e KE.

VARIACIONET
Ajri në dimër më i ndotur se në verë e pranverë
 
Ka tendenca stinore të përgjithshme në cilësinë e ajrit që lidhen me kushtet e motit. Cilësia e ajrit në dimër është më e rënduar se në stinën e verës e të pranverës. Kjo për arsyet e mëposhtme:
Dimri: Në dimër ndotjes së shkarkuar nga makinat i shtohet edhe ndotja e shkarkuar nga djegia e lëndëve djegëse për ngrohje.

Kjo ndotje në përgjithësi mbetet mbi qytet, kur ajri në lartësi rreth 80-100m është më i ngrohtë se ajri në nivelin e tokës. Kjo gjë shkakton formimin e një farë ‘kapaku’ që nuk lejon shpërhapjen e ndotjes dhe fenomeni njihet si inversion temperature. Këto kushte janë vecanërisht dominuese në ditët e ftohta e pa erë, shpesh pas një nate pa re dhe kur mëngjesi është me ngricë. Reshjet e shiut përgjithsisht ulin përmbajtjen e ndotësve në ajër, vecanërisht atë të grimcave të imta.

Vera: Në verë drita e diellit reagon me ndotjen e shkarkuar prej makinave. Ky veprim rezulton në rritjen e përmbajtjes së ozonit në nivelin e sipërfaqes së tokës.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Shëndeti në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi