Akademia e Shkencave/ Dy vjet debate për reformimin, sot zgjidhet kryesia, pa konkurrentë

Akademia e Shkencave/ Dy vjet debate për reformimin, sot zgjidhet kryesia, pa konkurrentë

Akademia e Shkencave

Më në fund do të mbahen zgjedhjet. Debatet dhe puna dyvjeçare për reformimin e  Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të rezultojnë sot me votimin e kandidatëve që do ta drejtojnë këtë institucion. Përgjatë një muaji nga data 10 prill deri më 10 maj, konkurrentët për kryesinë e Akademisë së Shkencave kanë paraqitur kandidaturat e tyre, ku mësohet se ka rezultuar një mungesë dëshire për të mbajtur këto poste drejtuese dhe përfundimisht kandidaturat kanë rezultuar me një person të vetëm. Për kryetar ka kandiduar akademiku Skënder Gjinushi, për nënkryetar kandidon akademiku Vasil Tole, për pozicionin e Sekretarit Shkencor kandidon Salvator Bushati dhe për pozicionin e kryetarit të Seksionit të Shkencave të Natyrës, akademik Neki Frashëri.

akademia e shkencave (1).jpg" style="height:507px; width:780px" />

Pra, mbledhja e Asamblesë së Akademisë së Shkencave për votimin e kandidaturave të kryesisë është vendosur të mbahet sot në orën 10.00 në sallën “Aleks Buda”, sipas deklaratës zyrtare të institucionit, bërë më 15 maj (e pandryshuar).  Akademia e Shkencave ka bërë të njohura procedurat e zgjedhjeve të ditës së sotme, ku mësohet se para votimit kandidatët do të paraqesin projektin e tyre për drejtimin e saj. Koha që i është lënë çdo kandidati për të paraqitur platformën është 15 minuta dhe gjatë kësaj kohe anëtarët e Asamblesë do të kenë të drejtën të bëjnë pyetje rreth projekteve.  “Zgjedhja e kryetarit do të bëhet me votim  të fshehtë më mbledhjen e përgjithshme të Asamblesë pa debat”, njofton Akademia e Shkencave. Mandati i kryetarit të Akademisë së Shkencave është 4-vjeçar dhe pas votimit kandidati për kryetar do të dërgohet për dekretim nga Presidenti i Republikës. Sipas burimeve për “Shqiptaraj.com”, është menduar  që këto zgjedhje të udhëhiqen nga akademiku më i madh në moshë, Luan Omari, i cili është edhe një nga themeluesit e këtij institucioni në vitin 1972.

Dy vjet debate për platformat reformuese
Akademia e Shkencave, institucioni më i rëndësishëm i vendit, përgjatë dy vjetëve, pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama për reformimin rrënjësor, ka mbetur pa kupolë drejtuese. Dy vjet më parë, pasi zgjedhjet e kryetarit, Gudar Beqiraj, dhe nënkryetarit, Myzafer Korkuti, rezultuan me ndërrim postesh, nga kryetari në nënkryetar e anasjelltas, nisën debate të ashpra, ku nismëtar i këtyre debateve u bë akademiku, Artan Fuga, përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama. Kryeministri Rama reagoi menjëherë pas debateve të zgjeruara të rretheve akademike. Rama i quajti zgjedhjet një farsë dhe tha ultimatumin që “në qoftë se Akademia e Shkencave nuk reformohet, do të ketë zero buxhet për të”.

Reflektimi qe i menjëhershëm, ku së pari; nënkryetari Muzafer Korkuti, që sapo kishte mbyllur mandatin si kryetar dha dorëheqjen; pas tij jep dorëheqjen edhe kryetari Gudar Beqiraj, i cili sapo kishte mbyllur mandatin si nënkryetar. Pasi ngrihen edhe grupet e punës për reformën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, nën drejtimin e ministrisë së arsimit, debatet për konceptin reformues dhe draftligjin nuk kanë reshtur.  Prijëtar i këtyre debateve ka qenë Artan Fuga, që fillimisht iu bashkua projektit të reformimit dhe më pas ngriti akuza publike për grupin e hartimit të projektligjit të ri, pasi platforma e tij alternative u la jashtë. Grupi i punës që u drejtua nga akademiku Skënder Gjinushi vijoj të punonte për projektligjin, i cili që prej qershorit të vitit të kaluar pritet të aprovohet në Kuvend.  Përfundimisht debatet për reformimin e Akademisë së Shkencave, gjatë këtyre dy vjetëve janë fokusuar mes platformës së grupit të Skënder Gjinushit, e cila përfaqëson Akademinë aktuale të Shkencave,  dhe platformës alternative personale të Artan Fugës. 

Drafi i Gjinushit për reformën e koncepton Akademinë e Shkencave sipas një organizimi vertikal, si organin më të lartë të shkencës, funksioni i të cilit është të mbikëqyrë, të vlerësojë, të organizojë, të nderojë, të këshillojë,të asistojë, etj. Ndërsa “Platforma Fuga”, pretendon që  akademiku të jetë pjesëtar aktiv në grupin kërkimor. Ndërsa drafti Gjinushi bën fjalë për qendra kërkimore shkencore të riorganizuara, me dhënie të statusit të merituar punonjësve të kërkimit dhe institucioneve kryesore të sistemit të kërkimit shkencor në vend, Fuga dy ditë para zgjedhjeve ka ngritur akuza se: “Politizimi i shkencës dhe i kërkimit shkencor është akt i fundit i këtij kobi kombëtar ! Mendja e shqiptarit do të drejtohet zyrtarisht nga politika ! Ndarja e pushteteve si vlera bazë e demokracisë pô dhunohet aq fort saqë nuk do të ketë më asnjë dallim midis drejtimit politik dhe gjykimit shkencor!”.  

Ndërsa Skënder Gjinushi në mënyrë të ndërsjellët ka akuzuar Fugën duke e e konsideruar si “produkt të politizimit” dhe përshëndetës të saj”, duke kujtuar 2008-n kur Fuga u bë mbështetës i projektit të ndarjes së instituteve shkencore nga kupola drejtuese e Akademisë së Shkencave. Gjinushi platformën alternative të Fugës e kundërshton sepse “Sipas kësaj platforme kërkohet rithemelimi i institucionit nga qeveria. “Dhe kërkon pastaj rithemelimin nga qeveria, pra Akademinë e re ta ngrenë komisione qeveritare, organe jashtëakademike. Që është jashtëzakonisht e dënueshme.” Është shprehur Gjinushi. Ndërkohë Fuga deri në çastet e mbërrishme të këtyre zgjedhjeve i ka bërë thirrje presidentit të Republikës që të mos i dekretojë këto zgjedhje.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fredi: 24/05/2019 08:42

    Them se Akademinë e Shkencave ta mbyllim në Tiranë e ta hapim në Vlorë, pasi vlonjatët janë shumë të dhënë pas librave. I ke inat, jepu hakun!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi