Akademia e Shkencave veprimtari shkencore për ditëlindjen e shkrimtarit Ismail Kadare, studiuesi francez: Veprat e tij, bombë për regjimin komunist

Akademia e Shkencave veprimtari shkencore për ditëlindjen e shkrimtarit Ismail Kadare, studiuesi francez: Veprat e tij, bombë për regjimin komunist

Akademia e Shkencave po zhvillon sot një veprimtari shkencore-promovuese në ditëlindjen e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare. I pranishëm në këtë veprimtari është edhe studiuesi francez Jean-Paul Champseix, autor i librit "Ismaïl Kadaré - une dissidence litteraire", përkthyer shqip nga Irena Rambi e Bashkim Shehu.

Në fjalën e tij, studiuesi tha se librat e Kadares tij ishin 'bombë' për regjimin komunist.

"Disa nga studentët e mi, nga të cilët edhe Irena, më flisnin me nota tepër pozitive për Kadarenë dhe guxonin të flisnin, pa shumë insistim gjithsesi, mbi anën kontestuese të veprës. Njëri syresh më pati thënë një herë, me shaka : « Kadareja është elastik, ai e merr gjithmonë formën e vet». Me këto kuptoja se lexuesit mezi i prisnin veprat e Kadaresë dhe të lexonin mes rreshtave, çka dëshmonte për karakterin subversiv të veprës. Më vonë, pasi regjimi ra, një ish studenti im më tha se Pallati i ëndrrave  i ishte dukur si një « bombë » dhe se ai dhe miqtë e tij, kishin ndjerë  në atë kohë një entuziazëm të madh. Në pleniumin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Ramiz Alia në fjalimin e tij të 21 marsit 1982, duke pasur parasysh Kadarenë, pohonte se arti socialist nuk i njihte dukuritë si  : « Mungesa e qartësisë dhe dykuptimshmëria, mospërkitja klasore, kërkimet formaliste dhe teknikat moderniste, që në thelb janë mbartëse të ideologjive të huaja e asaj» ( Zëri i Popullit, 21 mars 1982). Më tej, lexova aktakuzën e Dritëro Agollit pas botimit të Pashallarëve të kuq, e cila rreshtonte në dhjetë faqe të gjitha  kritikat  : « I. Kadaré ka predispozita ndaj ndikimeve, si të thuash, i tërheq ato. […] Atij i mungon fryma e partisë,. Nganjëherë përshkrimet e tij të botës shqiptare duken sikur kanë dalë nga penda e ndonjë turisti të huaj. Përse ? Sepse kuptimi i tij i artit është ai i një liberali. Ai beson se heroi pozitiv e prish artin, e kthen atë në një vegël të propagandës, dhe e kthen në parullë të ditës.. » Maks Velo, La Disparition des « Pachas rouges » d’Ismaïl Kadaré, p. 50, Paris, Fayard, 2002.  Së fundmi, mbërriti vepra e zotit Shaban Sinani, i cili më qetësoi dhe më inkurajoi. Edhe dyshimet e mia të fundit u fshinë, më në veçanti kur lexova raportin e Nexhmije Hoxhës mbi « Dimrin e vetmisë së madhe ». Ajo e kish kuptuar mirë se  Kadareja e kishte bërë Enverin të bënte  « spekullime filozofike dhe fjali me dy kuptime », dhe konsideron pra se pikërisht ato pasazhe janë të tepërta", tha ai.

Kjo veprimtari u drejtua nga akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Saverina Pasho dhe dr. Ylljet Aliçka. Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gjinushi në fjalën e hapjes tha se Ismail Kadare, me veprimtarinë e tij krijuese, është bërë pjesë e vetëdijes qytetare dhe morale të popullit shqiptar.

"Me një veprimtari krijuese prej afro shtatë dekadash, që shprehet në një korpus letrar prej mbi 50 romanesh e novelash dhe veprash dramatike, Ismail Kadare është bërë pjesë e vetëdijes qytetare dhe morale të popullit shqiptar, program njohjeje për të huajt të botës së tij, përurues i vlerave më të larta krijuese të vendit të tij. Të gjitha veprat e I. Kadaresë pa përjashtim janë përkthyer në gjuhët e popujve të kontinentit dhe të Botës. Numri i gjuhëve të receptimit të veprës së tij ka kaluar tashmë mbi 50. Shkrimtar i pranuar dhe i përkthyer edhe në gjuhët e popujve fqinjë, vepra e Ismail Kadaresë është kthyer në një urë ndërkomunikimi përmbi kufij, përmbi fanatizma dhe paragjykime. Për më shumë se dy dekada me radhë vepra e Kadaresë ka qenë burim informacionin për Botën, dritare thuajse e vetme për të njohur e kuptuar realitetin shqiptar krejt të mbyllur dhe historinë historinë tonë kombëtare në rrjedhë të shekujve, me heroizmin e komplekset e veta. Sot vepra letrare e Ismail Kadaresë shërben si një pasaportë identiteti dhe si një histori alternative e popullit shqiptar përgjatë shekujve dhe sidomos në kohërat e reja. Kjo vepër ka qenë dhe mbetet një projekt me karakter europian dhe një program i shkëlqyer i përurimit të vlerave të identitetit të shqiptarëve kundrejt Botës", u shpreh Gjinushi.

Gjeniu i letrave dhe pena më e shquar shqiptare Ismali Kadare, feston sot 86-vjetorin e ditës së lindjes.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi