Historia jonë është e mbushur me skënderbej dhe antiskënderbej, ismailqemalë dhe antiismailqemalë, faikkonicarë dhe antifaikkonicarë… frashëllinj dhe antifrashëllinj, dinej dhe antidinej, kokalarë dhe antikokalarë… Vjen një moment që dikush mes nesh kërkon të shkatërrojë atë që ka ndërtuar dikush tjetër, pa dhënë një ide të qartë konstruktive zhvillimi.

Qytetërimet e vërteta vazhdojnë dhe përmirësojnë atë që të parët lanë. Prandaj mbijetojnë ndërtesa të 1100-s në Europë njësoj si të ishin ndërtuar sot, prandaj nëse lexojmë Republikën e Platonit, shkruar në vitin 400 para Krishtit, na duket sikur është bërë me kokëdhimbjen e sotme të njerëzve që duhet vërtetë të qeverisin e të ndërtojnë shtetin e drejtë dhe efikas. Prandaj mbijetoi Komedia Hyjnore e Dantes, e shkruar ne 1300-n, për të na treguar se veset njerëzore mund të jenë ferri ynë, ndërsa virtyti, dashuria, mençuria, parajsa jonë! Po ne, ne duam të mbajmë në ndërgjegje indin shkatërrues të atyre që dogjën bibliotekën e Aleksandrisë? Apo të ndërtuesve dhe zhvilluesve të kulturave e të vlerave më të mira njerëzore? Tek njeriu jeton engjëlli dhe djalli, cilin duam të nxjerrim në sipërfaqe?

Jemi një vend ku me lehtësinë e fjalës ndotim Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë, por me seriozitetin e punës dhe të veprës, asnjëri prej shqiptarëve modernë nuk vlejmë as sa një fije floku e tyre. Atëherë çfarë do të bëjmë? Do të vazhdojmë të mbetemi të mahnitur dhe adhurues ndaj atyre që marrin kazmën apo mendojnë plumbin ndaj çdo gjëje shqiptare apo do të kemi guximin të ndryshojmë duke u përmirësuar? Të jemi ndërtues të fatit tonë! Të arrijmë të bëjmë një kryevepër me jetën tonë të përditshme tamam si një poet ndërton fjalë pas fjale një poezi, si një murator i aftë dibran që mban në jetë mure shekullorë në Itali e Greqi! Si ata restaurues të talentuar shqiptarë që rilindën ikona e kisha në Europë! Çfarë duam të jemi? Ndërtues apo vetëm shkatërrues të jetës dhe historisë sonë??