Akademikët, si e mohuan
çfarë shkruajtën në diktaturë

Akademikët, si e mohuan<br />çfarë shkruajtën në diktaturë
ESE Pjesa e 4
( Dje u publikua pjesa e III)


Ku dhe si do të punësohet një pjesë e inteligjencies?

Ku po shkojmë kështu? Kush do të përgjigjet për këtë katrahurë? Për këtë stres gjithëkombëtar, ku politika ekonomike irracionale, si një fantazmë, po shkatërron nervat e njerëzve të uritur? Përsëri: fajtorët mbeten në mos anonimë, fajtorë pa faj. Jam i bindur se me një sofër modeste e me dyqane të mbushura me mallra konsumi, me një reformë pagash e çmimesh të kryer të paktën një vit më parë, sot do të arsyetonim më me gjakftohtësi për politikën, e për të ardhmen, e vendit, do të ishim më të aftë, më të mençur e më të vendosur për të zgjedhur ato rrugë që na leverdisnin, ata deputetë që duheshin, atë qeveri që do të na pëlqente dhe atë politikë që do t’i leverdiste vërtet interesit kombëtar dhe njëkohësisht edhe atij vetjak. As eksodi s’do të na traumatizonte kështu. Ideali dhe interesat kombëtare do të na bashkonin, pavarësisht nga përkatësitë partiake, në vend që t’i përçanin intelektualët shqiptarë në këtë farë feje.

Në vend që të kryhej reforma ekonomike dhe prodhimi kombëtar të rriste kuotat, ne ngjallëm me entuziazëm prej adoleshenti iluzionin e investimeve, të kredive, të ndihmave, që do të na jepnin të huajt dhe ne do të na mbulonte mirëqenia. Gjithë shpresat u varën tek intervistat që jepnin në TV krerët tanë dhe bosët perëndimorë. Te njerëz naivë u krijua bindja se Evropa e ka për detyrë që të na japë ndihma, se ja, “ne i bëmë më në fund të gjitha”, a thua se demokracinë nuk e sollëm për vete, por për të kënaqur Perëndimin, i cili tani duhet të firmosë çeqet. Ndërkohë, ekonomia kombëtare u braktis, kurse një qoftexhi (lejimi i tyre ishte kulmi i “reformës”), fitoi shumë më tepër se paga e kryeministrit, pale e një drejtori kombinati. Ec e kërko pastaj llogari për administratën që nuk vendos disiplinë dhe “nuk organizon mirë punën”.

Kështu mbetën të bllokuar e të paralizuar gjithë drejtuesit, tërë administrata shtetërore, e cila, e amortizuar dhe e burokratizuar siç ishte, ra edhe nën panikun e humbjes së vendit të punës e të kompleksit të fajit, duke ndikuar kështu që të shtohet amullia dhe pasiguria gjithëkombëtare. Vendi po drejtohet tepër gjatë nga zyrtarë që s’i kanë karriget asnjë ditë të sigurta, ndaj këta bëjnë çmos të rrëmbejnë për vete ç’të mundin... Këta jo vetëm që nuk mund të drejtojnë, të urdhërojnë, por as mund të ndalojnë dot vjedhjet e rrënimin e ekonomisë kombëtare pasi edhe vetë janë personazhe aktivë në këtë zhbërje të përgjithshme të shtetit e të rendit publik.

Intelektualët drejtues të prodhimit prej shumë vitesh janë vënë në rolin e teknicienit, normistit, brigadierit. Me një teknologji të prapambetur mendimi i tyre ishte vetvetiu i bllokuar dhe i destinuar për amortizim moral. Shpikjet dhe racionalizimet e famshme më shumë i shërbenin propagandës partiake se sa përparimit. Puna e vërtetë shkencore, jo rrallë shoqërohej me reperkusione të mundimshme nga aparati burokratik. Kështu, e krijuar si “tepricë teknologjike”, kjo inteligjencie e gjen veten, në këto kushte të reja jashtë loje. Tërë preokupimi i saj tashmë është i mbërthyer nga ankthi i sigurimit të vendit të punës, që, edhe kështu është i rrezikuar. Jo vetëm agronomët e veterinerët, por edhe inxhinierët, madje edhe një pjesë e mirë e artistëve, të aftë e të paaftë, do të paguajnë haraçin e sistemit të dështuar.

Mburrjet për sasinë e “prodhimit” të intelektualëve do të kthehen në një mallkim social. Tani parlamenti nxjerr ligje, të cilat vërtet janë edhe të bukura, edhe në standarde ndërkombëtare, po kush do t’i zbatojë ato? Ku dhe si do të punësohet kjo pjesë e inteligjencies që u detyrua t’i futet punës intelektuale, jo për hir të dhuntive e dëshirës natyrore, po për të siguruar një vend të mirë pune, për të pasur të ardhura të garantuara e për t’u emëruar në qytet e sidomos në kryeqytet? Dilema dramatike: kush është i aftë e kush i paaftë, “qarkullimi” dhe heqja me mbledhje e “të paaftëve” që vazhdoi për vite me radhë si një farsë, tani do të zgjidhet me ligjin e egër të ekonomisë së tregut. Duke mbetur me gisht në gojë, këta pseudointelektualë nuk duhen fajësuar – nuk është faji i tyre që zgjodhën këtë rrugë dështimi.

Drama e tyre është se ata nuk e kuptojnë dot që janë të paaftë: një pjesë e tyre vazhdojnë ende të mendojnë se në kushte të tjera do të kishin lulëzuar. Për të kompensuar defektet intelektuale, ata nguten të shajnë mbarë e prapë e të hidhen në radhët e para të opozitës, duke kujtuar se kështu do të bëhen të afirmuar. Arrijnë përkohësisht sukses, por opozita nuk është çelës magjik për ta, as strehë vorfënore.

Opozita, duke qenë e mençur dhe nën një konkurrencë të përhershme politike, me një lëvizje fare të thjeshtë centrifugale, i nxjerr përsëri jashtë loje... Ku do të shkojnë këta njerëz të dëshpëruar dhe fatkeq, jo për faj të tyre? Asistenca sociale nuk është ngushëllim për ta, as zgjidhje përfundimtare. Kjo shtresë shoqërore do të sjellë mjaft telashe sociale, pasi ajo nuk është e pakët në numër dhe s’është aq e pafuqishme sa ç’e kujtojnë, thjesht për faktin se pikat kyçe, në tërë hierarkinë shtetërore e partiake, qenë mbërthyer prej saj. Prandaj tensionet sociale, së shumti vijnë edhe prej këtij kontingjenti.
 
 
Tirana – kryeqytet pa asnjë mjedis të intelektualëve
Nuk besoj të ketë pasur gjatë gjithë historisë së civilizimit një kryeqytet ku të mos gjendet një kafe, një klub a një vend ku njeriu mund të takohet me njeriun për të kaluar kohën e lirë. Në Athinën a në Romën e lashtë intelektualët kishin vendet, sheshet, klubet e mjediset ku takoheshin, bisedonin, rrihnin mendimet e kundërta, kurse kryeqyteti i Shqipërisë është më i mjeri në të gjitha kohërat: intelektualët nuk kanë as edhe një vend, as edhe një kafe ku mund të takohen. Hollet e “Dajtit” e të “Tiranës” tani mund të të shërbejnë vetëm me dollarë. Nuk është e zorshme për të përfytyruar një intelektual shqiptar që kërkohet nga ndonjë gazetar a personalitet i huaj, e, pas bisedave, intelektuali detyrohet t’i thotë të huajit, se ai nuk mund të paguajë kafetë se nuk ka valutë të huaj...

Ishte e kuptueshme përse në vitet 70-të, pas plenumit të 4-t, kafenetë serioze ku mblidheshin intelektualët u kthyen në kafe me qëndrim “gatitu”, domethënë pa karrige e pa tryeza... Duket, nuk mund të përballoheshin të gjitha lokalet me mikrofona të fshehtë. Por nuk mund të shpjegohet që, edhe tani, në pluralizëm, të mos ketë as edhe një vend-takimi të intelektualëve të kryeqytetit! Ec e fol pastaj për jetë të gjallë e intensive intelektuale!

Bashkudhëtare në fajin kombëtar të kryer për gjysmë shekulli në fabrikimin e kësaj inteligjencie të kufizuar e të përndjekur është izolimi i tejzgjatur dhe pajisja e saj me një teknologji jashtë çdo standardi që ka përcjellë këtë pjesë të inteligjencies dhe mendësitë e saj kallpë. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Zanatçiu intelektual do të zgjidhte si mjete pune, kryesisht ato primitive, sepse vetëm ato mund të zotëronte si “specialist”, qoftë ky i rangut të ulët, ose të lartë. Jeta e tij qe tepër e varfër. Mësuesi i fshatit ose i qytetit të vogël gëzimin më të madh e kishte kur vinte koha të ziente rakinë... Prandaj tashmë shtrohet pyetja: A është teknologjia jonë e bashkë me të ndërgjegjja e punës, niveli profesional i inteligjencies, “shtabi drejtues” poshtë në bazë dhe interesi për punë, në mos në standardet ndërkombëtare, në periferi të tyre? Intelektualët shqiptarë nuk u izoluan pra vetëm nga bota e nga jeta ndërkombëtare intelektuale, por edhe nga njëri-tjetri, sepse edhe po të krijohej një kafene për pikëtakime, ajo shumë kollaj mund të quhej “Klubi Pëtef!”.

Për të gjitha këto “bërsi” që na la e kaluara, kërkojmë fajtorët e gëzohemi, kur të gjitha gjynahet ia vëmë një personi tashmë të vdekur dhe një emri të ravijëzuar: kryediktatorit Enver Hoxha. Si për ta ndrequr këtë e zgjerojmë disi rrethin: fusim në listë edhe ish-Byronë Politike. Shumë mirë. Gjyqi i tyre pa asnjë diskutim është vënie e drejtësisë në vend. Po, a mos edhe ky vështrim është tepër i ngushtë, për të mos thënë një hile që lejon fshehjen e fajtorëve të tjerë, të ekzekutorëve, teoricienëve, demagogëve, kameleonëve, “diktatorëve të vegjël” me emër ose anonimë të cilët terrorizonin inteligjencien me “mësimet” e plenumit të 4-t dhe fantazmën e frikshme të klubit “Pëtef”.

Nomenklatura gjysmëshekullore nuk shkulet duke ndërruar vetëm tjegullat e çatisë, duke rrëzuar suvatë apo duke ndërruar perdet në dhomat e pritjes; A mos kjo hile është (ngushtimi i rrethit të fajit) varianti nr. 2 i klishesë, tashmë të njohur e të formuluar “kompleksi kolektiv i fajit”, si dhe i këmbënguljes për mbylljen e dosjeve, që shqip do të thotë: shpërndarje e fajit, si hiri i një të vdekuri, që hidhet në oqean? Pa asnjë diskutim, faji është i sistemit por pa harruar edhe aktorët e autorët e tij. Çrrënjosja e sistemit nuk është pronë vetëm e partive politike, por edhe e atyre intelektualëve që janë jashtë tyre.

Partitë politike në vend që të tërheqin mendimin intelektual në këtë drejtim, tërë hallin e synimin e kanë si ta anëtarësojnë (rekrutojnë) inteligjencien. Kjo është, në fakt, mendësi moniste, ajo teori që gjithçka, edhe inteligjencien, e quan monopol të partisë. Kjo mendësi nuk i lejon intelektualët të jenë plotësisht të lirë. Në posdiktaturë akoma nuk po e merr të drejtën e plotë të qytetarisë pluralizmi i vërtetë e demokratik, por plurimonizmi. Postdiktatura do të shuhet e do të nisë një fazë të re kur në jetën tonë monizmi dhe plurimonizmi t’i bëjnë njerëzit për të qeshur, e jo t’i acarojnë e t’i vënë njëri kundër tjetrit, siç po ndodh sot.

Humbja e gjurmëve dhe klithma e hajdutit: k     apeni hajdutin! – u bëka në postdiktaturë psikozë vetëvrasëse e mjaft mëkatarëve që pranojnë plurimonizmin si një lëshim që i bëjnë maskës së tyre të re “prej demokrati”. Kjo psikozë e kjo psikologji e tjetërsimit nuk duhet derdhur kurrsesi mbi inteligjencien jashtëpartiake. Si intelektual s’është mëkat të jesh jashtëpartiak, mëkat është të gjendesh jashtë proceseve demokratike. Mëkat është të vazhdosh të jesh demagog e të vazhdosh të gënjesh për të fituar poste duke “milituar” nëpër parti të ndryshme, pra duke bërë poligami politike.

Nuk mund të ndërrojë plotësisht sistemi, po qe se, për shembull, nuk ndërron tërë struktura e Ministrisë së Brendshme. Është jashtë logjikës elementare që ata persona që kanë ushtruar diktaturën, duke veshur doreza të bardha, do të ndryshojnë edhe mendësitë e tyre e do të kthehen në mbrojtës të demokracisë.
Në qoftë se ti ke qenë ministër i Punëve të Brendshme në diktaturë, sot s’mund të shitesh dot për demokrat. Në qoftë se ke marrë titullin profesor ose doktor me temën e tufëzimit apo të superioritetit të rendit socialist (shqiptar), të parën gjë që duhet të bësh, publikisht hiq dorë nga titujt e gradat shkencore, që mund të të besojë sadopak opinioni publik këtej e tutje.

Nuk mund të të besojë kurrkush, po qe se tërë jeta jote ka kaluar në ingranazhet kryesore të diktaturës: shef në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shef në KQ të PPSH-së, shef në Gjykatën e Lartë e në tërë jetën drejtuese je marrë me “trajtimin e emigracionit kosovar” e tani na thua se “kosovarët e çështja kosovare janë trajtuar keq në Shqipëri!”, kur, në fakt, cilido kosovar i dënuar, i internuar, apo i keqtrajtuar në Shqipëri, si dhe propaganda jonë për Kosovën, s’ka kaluar jashtë “syrit” tënd dhe shkresave të tua “të dhembshura”. Kush e ka fajin për estetikën marksiste-leniniste, mësuesi e shkollave që punonin me tekstin tënd, profesor i nderuar? Po qe se ti ke qenë autor kryesor i shkrimit të kushtetutave dhe Historisë së PPSH-së, pedagog numër një i enverizmit e tani, që ke dalë në pension, a mund të të besojmë kur thua (me të drejtë, sigurisht) se të gjitha këto kanë qenë jo shkencore dhe antikombëtare?

Në qoftë se ti, si akademik e si drejtor instituti, për një periudhë të gjatë ke drejtuar shkrimin e Historisë së Shqipërisë, madje ke kontrolluar edhe temat, “tezat shkencore”, e “kumtesat e sesioneve ose të konferencave kombëtare”, a mund të dalësh sot të na thuash se gjithë historiografia shqiptare ka qenë e ngritur në rërë, domethënë, e shkruar mbrapsht? Kush e ka fajin atëherë? Ne, që mësuam me leksionet tuaja dhe dhamë provime me tekstet tuaja? A mund të kalohet aq thjesht e aq lehtë duke thënë: e kishte fajin sistemi dhe të gjithë jemi të përlyer në kompleksitetin kolektiv të fajit? Shembuj të tillë, për fat të keq, mund të jepen shumë. Demokracia, nga këta “profesorë” nuk kërkon shpagim, as vetëvrasje, as harakiri, siç u shprehëm diku më lart.

Kërkohet sinqeritet sepse vetëm sinqeriteti mund të ngjallë besimin dhe shpresën. Po qe se ndërgjegjja e tyre nuk i lejon të heshtin, gjë që do të ishte gjysma e së keqes, fjala e tyre do të ishte ndihmesë e vyer, kur sinqerisht të tregonin se sa e dëmshme është për shkencën, për vendin, për moralin, për kulturën, e për jetën intelektuale të kthehet shkencëtari ose artisti në vegël, në vegël të një ideologjie në pushtet, shërbim ky që si shpërblim të jepte ofiqe, grada shkencore, privilegje dhe poste.

Edhe zgjidhjen e këtij “kyçi” ne e kërkojmë deri tani me mjete politike e duke e sensibilizuar opinionin vetëm me artikuj gazetash dhe deklarime në mjediset tona të ngushta... Por unë jam i bindur se reforma ekonomike, po qe se do të kryhej kohë më parë, do të sillte natyrshëm shmangien nga jeta shoqërore të burokratëve, të pseudointelektualëve, të demagogëve profesionistë, të drejtuesve të korruptuar dhe të paaftë në tërë piramidën e jetës sonë intelektuale, të atyre që kontribuuan me zell për të na sjellë deri në këtë derexhé, do ta bënte në mënyrë të natyrshme, “më të butë”, më të arsyeshme, dhe, pse jo, edhe më radikale kirurgjinë e ekonomisë së tregut e të transformimit social.

Dhe, sigurisht, rezultati ekonomik e social do të kishte qenë krejt ndryshe. Në këtë start do të kishin hyrë prej kohësh të aftët, të ndershmit, ata që nuk dinë t’i bien gjoksit e të mburren... Është e vërtetë ajo që tashmë po del sheshit; kontingjenti i intelektualëve të ndershëm e të aftë akoma nuk po ndihet sa duhet e si duhet... Në fakt, opozita e thithi me mençuri një pjesë të kësaj inteligjencie, duke e angazhuar pa asnjë paragjykim në detyra të një peshe kombëtare, por jo për faj të saj, një pjesë e mirë e intelektualëve vazhdon të rrijë në galeri duke pritur ditë më të qeta, e, ndoshta, situata më të favorshme. Heshtja e mëtejshme do ta fusë këtë inteligjencie në faj të vërtetë.

Shkrimi u publikua sot (21.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën