Prof. Floresha Dado shkruan se “Akademiku J. Bulo iku papritur, duke marrë me vete disa brenga që lidhen me përvojën e gjatë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, të Akademisë së Shkencave. Ishte brenga e shkatërrimit të instituteve, që nuk arritën dot të ruajnë idetë e realizimit të projekteve të mëdha shkencore, kombëtare, siç është ndërprerja e punës së nisur më parë për fjalorin disa vëllimesh të gjuhës shqipe, ndërprerja e ekspeditave dialektologjike pas botimit, më 1990, të veprës themelore “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe’, ndërprerja e punës në kartotekën e leksikut të shqipes në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ndërprerja e kolanës “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar’, duke mos ekzistuar asnjë projekt nga institucionet përkatëse dhe strategji për botime kritiko-shkencore të tyre, mungesa e një projekti për hartimin e Historisë së Letërsisë Shqiptare, të rikonceptuar me parime të tjera. Po ashtu debatet e sotme mbi standardin e shqipes, kur disa bëhen tepër agresivë (ta dërrmojmë armikun!!), prej të cilëve disa nisen më tepër nga kritere jashtëgjuhësore se sa nga thelbi i zhvillimit historik të strukturës gjuhësore etj.”
Sipas studiueses së Letërsisë, Dado, akademik Jorgo Bulo u përket përfaqësuesve të atij brezi që e lidhën gjithë jetën e tyre me punën shkencore, që nuk njohën në vitet e lodhshme, me shumë punë të papaguara, asnjë tundim drejt karrierës politike apo parasë. Ky brez po largohet dalëngadalë. “Sigurisht shkenca zhvillohet në vazhdimësi nga breza të moshës së mesme, nga më të rinjtë, që patën fatin të shkollohen e specializohen me mendimet teorike-shkencore modern. Sigurisht ata janë prerja e re drejt së cilës shkojnë shkencat tona albanologjike.
Midis tyre dhe brezit që ka shkuar, dhe po shkon, duhet të ketë nderim, bashkëpunim dhe rivlerësim meritash shkencore, jashtë çdo lloj paragjykimi. Kjo është politika shkencore e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.” Dado e thekson mw tje se fusha e studimeve të tij ishte historia e letërsisë, ku përcakton se kjo histori letërsie e studiuar nga ai ka kaluar përmes analizave të thella e të rëndësishme.
“Historiani i letërsisë J. Bulo i përket shkollimit dhe formimit shkencor historiko-kulturor, metodë sunduese në shkencat shqiptare (i kësaj shkolle ishte edhe E. Çabej në studimet mbi letërsinë, i cili, si filolog, u formua në kulturat evropiane perëndimore). Sigurisht kjo metodë nuk të pengon të arrish në konkluzione të rëndësishme mbi zhvillimin historiko-letrar, por nuk të mjafton për të depërtuar në thelbin e poetikës së veprës së çdo autori.
Por intuita shkencore, ndjeshmëria e thellë ndaj artit letrar e kanë orientuar studiuesin J. Bulo në analiza të thella, shumë interesante, duke kapërcyer kufizimet e metodës drejt analizave të brendshme, shumë interesante të poetikës së lirikës naimiane. Kjo intuitë, mpleksur me vëzhgimin e hollë mbi artin e fjalës, e kanë çuar natyrshëm në konkluzione dhe teza të rëndësishme.
Studimi monografik “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit” (1999) është ndër studimet më moderne mbi poezinë e poetit të madh, modeli i vërtetë i stilit shkencor të prof. Bulos.”, shkruan Dado.
dy.b/shqiptarja.com