TIRANE- Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka deklaruar përfundimin e regjistrimit elektronik të dosjeve për kompensimin e pronave, duke shënuar 42.979 të tilla. Nga AKKP është theksuar se tashmë janë hapur dhe dosjet e mbetura pa u shqyrtuar. Burimet kanë bërë të ditur se kanë qenë rreth 7 mijë të tilla që prej tetë vitesh. “Kjo agjenci për krijimin e këtij regjistri themeltar u orientua drejt një kalendari pune të qartë për identifikimin dhe regjistrimin e të gjitha dosjeve në institucion, qoftë atyre “të humbura”, “të mbyllura nëpër sirtarë” apo të lëna prej 8 vitesh, pa shqyrtim, në arkivë”, thuhet në njoftimin e dhënë prej agjencisë së kthimit dhe të kompensimit të pronave.