Të paktën 39 persona humbën jetën dhe 152 të tjerë u plagosën në mbrëmjen e së dielës në një aksident hekurudhor që përfshiu dy trena në Spanjën jugore. Nga të plagosurit, 24 janë në gjendje të rëndë, njoftoi Presidenti i rajonit të Andaluzisë, Juanma Moreno. Autoritetet paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet në përplasjen më të keqe hekurudhore në Spanjë në më shumë se një dekadë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:40 sipas orës lokale kur vagonët e fundit të trenit Iryo që shkonte për në Madrid dolën nga shinat, duke kapërcyer në binarët e tjerë, ku në kah të kundërt po udhëtonte një tren Renfe për në Huelva. Goditja ishte e tmerrshme dhe shkaktoi përmbysjen e dy vagonëve të parë të trenit Renfe. "Gjëja më e rëndësishme tani është të ndihmojmë viktimat", shkroi në platformën X, Ministri Spanjoll i Transportit Oscar Puente.

Për shkak të katastrofës, shërbimi hekurudhor me shpejtësi të lartë për në rajonin jugor të Andaluzisë dhe Madridit do të mbetet i pezulluar për të gjithë ditën e hënë. "Lidhja hekurudhore me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe Kordobës, Seviljes, Malagës dhe Huelvës do të mbetet e pezulluar për të gjithë ditën e hënë", bëri të ditur në një deklaratë shoqëria që administron hekurudhat në vend ADIF, duke shtuar se "do të nevojiten të paktën 48 deri në 72 orë për të rivendosur infrastrukturën hekurudhore".

Iryo, kompania që operon një nga trenat me shpejtësi të lartë të dalë nga shinat, tha në një deklaratë se "të gjitha protokollet e emergjencës" ishin aktivizuar. Pasagjerët në trenat e përfshirë në dalje nga shinat u evakuuan, raportoi Adif, ndërsa vijon kërkimi për viktima ose të mbijetuar mes llamarinave të vagonave që dolën nga shinat.

Arsyet e devijimit të trenit të operuar nga kompania private Iryo, i cili transportonte të paktën treqind pasagjerë dhe po udhëtonte nga Malaga në Porta de Atocha në Madrid, janë aktualisht të panjohura.

Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, deklaroi në një konferencë për shtyp se "aksidenti ishte jashtëzakonisht i çuditshëm", pasi ndodhi "në një vijë të drejtë, në një linjë të rinovuar së fundmi" dhe përfshinte një tren Iryo "praktikisht të ri". 

 "Pashë një pasagjer të bërë copë-copë. Ne ishim të parët që mbërritëm dhe aty ishte një trup i prerë në mes. Skena ishte e tmerrshme", tha kryebashkiaku i Adamuzit, Rafael Moreno , për gazetën El Pais.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:12
Aksidenti hekurudhor në Spanjë me 39 të vdekur, Rama: Në emër të popullit shqiptar shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave

1768487461_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për përplasjen e dy trenave në Adamuz, Spanjë. Përmes një postimi në X kreu i qeverisë shprehet se ky është një lajm i hidhur, teksa nga ana tjetër ka përcjellë ngushëllimet për familjet e viktimave.

“Me hidhërim të thellë mora lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor në Adamuz. Në emër të popullit të Shqipërisë dhe timin, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë kohë pikëllimi. Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që punojnë pa u lodhur në përgjigje të kësaj tragjedie”, shkruan Rama në rrjete sociale.

Ora 09:01
Aksidenti hekurudhor në Spanjë, dëshmia: Vetëm në errësirë midis të vdekurve. Askush nuk u përgjigjej telefonatave

"Vajza ime më telefonoi në orën 7:45 të mbrëmjes, duke qarë dhe e shqetësuar, duke thënë se treni kishte dalë nga shinat. Nuk kishte mbulim në atë kohë. Vrapova menjëherë këtu në stacion, direkt në Renfe. Ata nuk dinin asgjë. Telefonuan 112 dhe thanë se kishte ndodhur një aksident. Filluan të telefononin makinistin e trenit dhe inspektorët, por askush nuk u përgjigj. Ajo që më tronditi ishte se ata mbyllën zyrën dhe ikën me vrap, duke na lënë këtu pa asnjë lajm. Më dukej çmenduri."

Kjo është dëshmia e nënës së një vajze që po udhëtonte në vagonin numër 4 të trenit të distancave të gjata Alvia, që shkonte nga Madridi në Huelva, kur ai u përplas në orën 7:39 të mbrëmjes në Adamuz (Kordoba) me trenin me shpejtësi të lartë Iryo. Ky i fundit, pasi doli nga shinat, po udhëtonte në drejtim të kundërt, nga Malaga në Madrid.

Në deklaratat për transmetuesin publik TVE, gruaja rrëfeu momentet dramatike pas lajmit të parë nga vajza e saj e mbijetuar: "Vajza ime më tha se ata kishin arritur të shpëtonin nga vagoni, por se shumë ishin të vdekur. Pasagjerët ishin vetëm, në errësirë; as ekipi i shpëtimit dhe as policia nuk kishin mbërritur ende. Falë Zotit, ajo arriti të tregonte historinë. Ajo tani është në qendrën e urgjencës të ngritur për të trajtuar të plagosurit."