Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme (14 janar) në Rrugën e Kombit në aksin Milot-Morinë.

Aksidenti tragjik ka ndodhur në afërsi të një karburanti në Rreshen, ku mjeti  tip "Citroen" me targa 01-351-MH me të cilin udhëtonte familja Avdiaj nga Prishtina është përplasur me mjetin kamion tip (MAN) me targa 04-406-HB me drejtus Isa Ishala, nga Rahoveci i Kosovës.

Si pasojë e përplasjes fatale kanë humbur jetën 4 personat Blerim Avdiaj, 45 vjeç, Anjeza Avdiaj, 34 vjeçe dhe dy fëmijët Klejdi Koçi, 11 vjeç dhe Medina Avdiaj,  5 vjeçe. 11-vjeçari Klejdi Koçi ishte nipi i Blerim Avdiajt. Ata janë dërguar në morgun e Kukësit. Një nga anëtarët ka gjetur vdekjen në vendin e ngjarje, ndërsa 3 të tjerët kanë shkuar me shenja jete në spitalin e Kukësit dhe kanë ndërruar jetë aty.

I plagosur rëndë ka mbetur edhe një fëmijë tjetër, Violeta Avdiaj 3 vjeçe, e cila ka mbërritur në Spitalin e Traumës në Tiranë. 

Shkak i aksidenti dyshohet se ka qenë parakalimi i gabuar nga makina 'Citroen' me të cilën po udhëtonte familja nga Kosova dhe shpejtësia e lartë. Kjo ka bërë që ata të përplasen me kamionin, duke u marrë edhe jetën 4 anëtarëve të familjes dhe lënë të plagosur rëndë fëmijën e mitur.

Familja ishte rezidente në Zvicër, ndërsa ishin nisur nga Kosova drejt Shqipërisë, ndërsa të dyja mjetet e përfshira në aksident ishin me targa të Kosovës.

Drejtuesi i kamionit ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është shoqëruar në polici për sqarimin e ngjarjes së rëndë.

Foto nga aksidenti

VIDEO, raportime nga vendi i ngjarjes

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:13
Aksidenti fatal te Rruga e Kombit/Drejtori i policisë rrugore: Parakalimi i gabuar i makinës shkak i aksidentit! Shoqërohet drejtuesi i kamionit

Edmond Tarkaj, drejtor i policisë së qarkullimit rrugor, në një prononcim për Report Tv ka konfirmuar emrat e viktimave, të siguruar më herët nga gazetarët e Report Tv. Sipas tij dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të një parakalimi të gabuar të mjetit tip 'Citroen' në një aks ku nuk lejohet një gjë e tillë, duke sjellë dhe përplasjen fatale me kamionin. Ai tha se është shoqëruar drejtuesi i kamionit, i cili ndodhet në gjendje të mirë.

"Ngjarja është me katër viktima të një familje, drejtuesi i mjetit është burri i familjes, Blerim Avdiaj dhe ka shpëtuar vetëm një vajzë 3 vjeçe, e cila ndodhet në spitalin e  traumës. Mjeti vinte nga Kukësi drejt Milotit ku ëhstë përplasur edhe me kamionin. Drejtuesi i kamionit është shoqëruar paranë organeve të komisariatit të policisë Mirditë dhe ndodhen në gjendje të mirë. Ai shprehet se ka qenë një parakalim i gabuar nga mjeti Citron që shkaktoi aksidentin në një aks që nuk lejohet parakalimi", tha Tarkaj.

 

Ora 20:03
Aksidenti tragjik/ Fëmija 3-vjeçar ndodhet në reanimacion në Spitalin e Traumës, mjekët japin shpresë për jetën

Vajza 3-vjeçare, Violeta Avdiaj e përfshirë në aksidentin e pasdites së sotme në Rrugën e Kombit, tashmë ndodhet në reanimacion në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Nga informacionet e marra pranë spitalit nga gazetarja Daniela Maloku, mjekët kanë shpresa se vajza 3-vjeçare mund t’i shpëtojë plagëve të marra nga aksidenti.

Ora 19:32
Aksidenti tragjik në rrugën e Kombit, fëmija 3-vjeçare mbërrin te Trauma në Tiranë

Mbërrin te Spitali i Traumës në Tiranës fëmija Violeta Avdiaj, 3 vjeçe, e mbetur i plagosur në aksidentin tragjik me 4 viktima në rrugën e Kombit. Fëmija ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Ora 19:16
Policia njoftim zyrtar/ Aksidenti në aksin Milot-Morinë, ndërrojnë jetë 4 persona, pjesëtarë të një familje nga Kosova

1610648229_aksidentmilotrreshen.jpg

Policia e Lezhës ka sjellë informacionin zyrtar lidhur me aksidentin e mbrëmjes së sotme.

Sipas saj, aksidenti ndodhi në aksin rrugor Milot-Morinë në afërsi të një karburanti ku makina tip “Citroen” u përplas me kamionin me drejtues me iniciale I.I. në Kosovë.

Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip "Citroen" , bashkëshortja e tij dhe  2 fëmijët dhe është plagosur fëmija i mitur, i cili është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë.

Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.

Ora 19:00
Pamje të rënda nga aksidenti në Rrugën e Kombit, makina bëhet copë

Dalin pamjet nga aksidenti i rëndë i ndodhur në Rrugën e Kombit mbrëmjen e sotme.

Makina tip “Citroen” është shkatërruar thuajse totalisht ndërsa kamioni ka pësuar dëmtime në pjesën e parakolpit.

Shkak i këtij aksidenti mësohet të jetë bërë shpejtësia dhe parakalimi i gabuar.

Ora 18:56
Aksidenti tragjik në Rrugën e Kombit, 4 viktimat janë pjesëtarë të një familje nga Kosova, 2 fëmijë të mitur

4 viktimat e regjistruar në aksidentin pasditen e sotme në Rrugën e Kombit janë anëtarë të një familje nga Kosova.

Mësohet se familja po udhëtonte me mjetin tip ‘Citroen’.

Dhe një fëmijë është plagosur rëndë i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është nisur në Tiranë drejt spitalit të Traumës.

Targa e kamionit