Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Cërrik-Mollas, pranë fshatit Selvijas.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se përplasja e një “Mercedes Benz”-i dhe “Smart”-i ka shkaktuar dy viktima, Qemal Çala, 63 vjeç dhe Drilon Tabaku, 22 vjeç. Të dyja viktimat ndodheshin në automjetin tip "Smart" që drejtohej nga Çala. I plagosur ka mbetur shoferi i makinës tjetër që ndodhet në spital.
Në foto, shihet një prej automjeteve që është përplasur me barrierën anësore të rrugës. Barriera është shkatërruar plotësisht, ndërsa makina më pas ka goditur edhe murin duke dalë në një kanal, një përplasje që ka rezultuar fatale.
Në vendngjarje ndodhen ambulanca, zjarrfikësja dhe policia, e cila po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Dyshimet e para janë shpejtësia tej normave të lejuara ose manovrat e gabuara, por pritet ende ekspertiza e grupit hetimor.
Njoftimi i policisë:
Në aksin rrugor "Mollas–Gostimë", janë përfshirë në një aksident rrugor automjeti me drejtues shtetasin S. M., 38 vjeç, dhe automjeti me drejtues shtetasin Q. Ç., rreth 63 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit, shtetasi Q. Ç., si dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi D. T., rreth 22 vjeç.
Gjithashtu, është dëmtuar drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi S. M., i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Lajm në përditësim...
Komente








