Tre persona kanë mbetur të lënduar në një aksident rrugor të ndodhur në aksin nacional Pushimi i Shoferit–Fier Shegan, në dalje të fshatit Rrupaj.

Në aksident u përfshinë dy automjete, një me targa greke dhe një me targa italiane. Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit me targa greke tentoi të parakalonte automjetin me targa italiane, ndërsa manovra dyshohet se çoi në përplasjen e tyre. Si pasojë, automjeti me targa italiane doli nga rruga dhe përfundoi në kanal.

Të lënduar mbetën tre italianë që udhëtonin në automjetin me targa italiane, dy bashkëshortë dhe djali i tyre i rritur. Ata u transportuan me urgjencë në Spitalin e Lushnjës nga dy autoambulanca, por fatmirësisht kanë marrë vetëm dëmtime të lehta.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e rrethanave të aksidentit, ndërsa po menaxhon edhe qarkullimin në këtë segment rrugor.