TIRANE - Një i ri ka qenë duke kaluar nga njëra anë e rrugës në anën tjetër, mbi vizat e bardha, kur papritur një makinë tip BMW X5 e drejtuar nga F.Fera, ish-shoferi i Luan Ramës, Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, i cili sipas burimeve të gazetës, e ka përplasur të riun në këmbë.

Ngjarja ka ndodhur dje pasdite pranë pallateve Agimi, në të hyrë të bllokut. Sapo i riu ka rënë në tokë, drejtuesi i makinës ka dalë për t'i dhënë ndihmën e parë. Sipas policisë, por siç e konfirmon edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, shoferi Fera e ka dërguar të riun në Spitalin Ushtarak, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Rama, por edhe të njëjtat burime policore, kanë treguar se djali aksidentuar ka pësuar një frakturë në këmbë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat e policisë, të cilat kanë bërë këqyrjen, ndërsa për shëndetin e të shtruarit në spital është interesuar edhe vetë Z.Rama.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, kanë treguar se F.Fera e ka përplasur lehtë të riun dhe ai nuk ka asnjë rrezik për jetën, përveç një dëmtimi të lehtë në këmbë.

I pyetur nga Shqiptarja. com për incidentin, Luam Rama deklaroi se ishte në dijeni për incidentin e ndodhur, por që nuk kishte lidhje me të dhe se F.Fera, prej disa kohësh, nuk është më shofer i tij. "Fera është ish-shoferi im. Edhe makina e aksidentit nuk ka qenë e imja dhe as e punës time. Makina ka qenë private e shoferit apo ndonjë mikut të tij, por nuk ka asnjë lidhje me emrin dhe personin tim", theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Burime policore kanë treguar se, shoferi i aksidentit është pyetur në polici në lidhje me aksidentin, ndërkohë që hetimet për të gjetur shkakun, nëse ka qenë fajtor shoferi, apo i riu duke kaluar rrugën në momentin e gabuar.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 26 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)