Një aksident rrugor është shënuar mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Mamurras-Laç, pranë zonës së Gjormit, ku dy automjete janë përplasur dhe më pas kanë dalë nga rruga.

Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë qyterari i identifikuar si Nikolin Gjoni, ndërsa katër të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë te Trauma.

Ndërkohë policia ka arrestuar Orgest Pecën, drejtuesin e automjetit tjetër, 20-vjeç.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave.

"Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin O. P., 20 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Rreth orës 23:30, të datës 19.05.2026, në aksin rrugor Thumanë–Laç, automjeti që drejtonte 20-vjeçari është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin N. Gj., 56 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, shtetasi N. Gj. ka humbur jetën, ndërsa janë dëmtuar shtetasit P. Gj., 75 vjeç, M. Gj., 70 vjeçe dhe V. Gj., 56 vjeçe, pasagjerë në automjetin tjetër, të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar", njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë