Nisma për ngritjen e shtatores së Abat Prend Doçit në Rrëshen ka marrë zyrtarisht dritën jeshile pas miratimit të vendimit nga Këshilli Bashkiak i Mirëditës.. Monumenti do të vendoset në sheshin që mban emrin e tij dhe do të inaugurohet më 22 shkurt 2027, në 110-vjetorin e ndarjes nga jeta të Abatit të Mirditës.
Unioni Mirdita, një grupim i madh mirditorësh që synon të ruajë dhe promovojë vlerat historike të zonës, e cilëson këtë akt si një vlerësim të vonuar për një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe një prej personaliteteve më të spikatura të botës katolike shqiptare.
Sipas Unionit Mirdita, Abat Prend Doçi pati një rol të rëndësishëm në forcimin e identitetit kombëtar, në promovimin e kulturës shqiptare dhe në afrimin e Shqipërisë me Perëndimin. Ai themeloi Shoqërinë “Bashkimi”, kontribuoi në Kongresin e Manastirit dhe e ngriti Mirditën katolike në rangun e një abacie të varur drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë.
Për këtë arsye, nuk mungon as një thirrje për shqiptarët brenda dhe jashtë që të kontribuojnë financiarisht për realizimin e shtatores.
“Edhe një euro e shndërruar në bronz do të ishte e paçmuar në simbolikën e domethënies”, thuhet në thirrjen publike të Unionit Mirdita.
Kush ishte Abat Prend Doçi?
Abat Prend Doçi ishte një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, meshtar katolik, poet, diplomat dhe patriot që lidhi jetën e tij me çështjen shqiptare. I lindur më 8 shkurt 1846 në Bulgër të Mirditës, ai u shkollua në Shkodër dhe më pas në Romë, ndërsa në vitin 1888 u emërua nga Papa Leoni XIII Abat i Oroshit në Mirditë.
Përtej misionit fetar, Prend Doçi pati rol të madh në forcimin e identitetit kombëtar shqiptar. Ai punoi për përhapjen e arsimit dhe gjuhës shqipe, luftoi kundër zakoneve që pengonin zhvillimin e shoqërisë dhe u bë një nga zërat më të fortë për bashkimin kombëtar.
Në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi”, e cila luajti rol kyç në përhapjen e alfabetit shqip me shkronja latine dhe në botimin e librave në gjuhën shqipe. Ai mbështeti fuqishëm edhe Kongresin e Manastirit dhe afrimin kulturor të shqiptarëve me Europën.
Abati i Mirditës ishte gjithashtu aktiv politikisht. Ai udhëhoqi lëvizje kundër pushtimit osman dhe u internua nga turqit në Stamboll për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Më vonë shërbeu edhe në misione diplomatike të Vatikanit në SHBA dhe vende të tjera.
Prend Doçi la pas edhe krijimtari letrare me frymë të fortë kombëtare. Poezitë “Një kushtrim shqiptarëve” dhe “Shqipnia nën zgjedhën turke” mbeten ndër thirrjet më të forta patriotike të kohës kundër pushtimit osman.
Ai ndërroi jetë më 22 shkurt 1917, duke hyrë në histori si një nga figurat më të rëndësishme shpirtërore, kulturore dhe kombëtare të mirditorëve dhe shqiptarëve.
Komente







